Elita, hierarkia dhe perëndimi i largët

27/01/2012 - 00:00

 

Një nga vlerat më të mëdha të demokracive perëndimore sigurisht është krijimi i elitave dhe funksionimi i hierarkisë, si një element i rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe të gjithë piramidës së meritave në një shoqëri të civilizuar. Në fakt për krijimin e elitave perëndimi ka punuar me shekuj për të krijuar shtresa solide vlerash që shërbejnë si shkallë potente mbi të cilat ngrihet gradualisht e ardhmja. Për fat të keq në Shqipëri aktualisht shtrohen disa pyetje të thjeshta por shumë domethënëse. A ka elita? A ka hirarki vlerash? A ka lëvizje graduale për të ngjitur shkallët institucionale apo jashtë institucionale? Natyrisht që komentet dhe qëndrimet mund të jenë të ndryshme dhe me optika të lëvizshme që mund të pohojnë apo mohojnë. Gjithsesi unë hyj te ata intelektualë që janë skeptikë përsa i përket funksionimit të elitave dhe hierarkisë së vlerave. Nuk mund të them se në vendin tim nuk ka njerëz të elitës, por mund të them se në vendin tim elita nuk funksion, ose nuk është aktive për të prodhuar faktorë që ndikojnë në prosperitetin e zhvillimeve shoqërore, politike, ekonomike apo sociale. Me përjashtim të ndikimeve të largëta, mediatike, letrare (të tipit Kadare), kulturore apo dhe politika të cilat nuk janë të afta të ndikojnë në pozicionimin e shtetit dhe faktorëve vendimmarrës, pjesa tjetër mbetet një utopi e cila nuk formaton dot një përkufizim real të elitës. Gjithsesi nuk është në fokus të këtij shkrimi të analizojë faktorët e mos krijimit apo mos funksionimit të elitave pasi për këtë duhet t’i rikthehemi historisë për të parë faktorët që ndikuan në dëmtimin apo shkatërrimin e elitave, ku në mënyrë të padiskutueshme periudha komuniste mbetet ajo më e errëta ku u persekutua apo u dëmtua rëndë ajo elitë apo model elite që ishte krijuar me aq mundim para viteve 40-të.

Është për të ardhur keq por në vitet 30-të niveli intelektual, shtresëzimi kulturor apo ndikimi i elitës së kohës duke nisur nga Fan Noli dhe duke vazhduar me Konicën dhe figura të tjera ishte i pakrahasuar me tentativën për elitë në ditët e sotme. Aq kokëfortë është ky fakt, sa në horizontin e modeleve elitare, politike, kulturore, sociale apo dhe akademike shikon figura që lenë për të dëshiruar, shikon modele që shiten për vizionarë, por që në fakt nuk janë të tillë, shikon profile të sforcuara me suport politik që fitojnë nivele përfaqësimi të pamerituara. Për ta vërtetuar këtë fakt mjafton të shikosh se cilat janë modelet e përfaqësimit në rrafsh institucional, kulturor, social dhe më gjerë. Për të qenë më konkret me lexuesin e nderuar të gazetës “Dyrrah” do të thosha se vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që politikanë që nuk kanë mbaruar shkollën e lartë, apo që s’kanë formimin minimal kulturor të ngjiten deri në kolltukun e ministrit, shikon deputetë që gjuajnë me grushte arbitrin apo kalojnë kangjellat e parlamentit si të ishin rrugaçë ordinerë, shikon drejtues institucionesh kulturore që nuk njohin elementët bazë të të qenit i kulturuar, shikon drejtues të shoqatave apo mjediseve intelektuale që kanë një background të dyshimtë formimi, shikon prototipë të mbështetur nga klane apo biznese të dyshimta që prezantohen si vlera intelektuale, shikon njerëz të cilët përcjellin opinion publik, që përdoren si marioneta për të dërguar gështenja të pjekura në duart e politikës. Nga këtu nis dhe katapultimi i vlerave. Ti sot mund të jesh askushi dhe nesër mjafton që të kesh suportin politik dhe ekonomik dhe mund të kërcesh në shkallët më të larta të institucioneve.

Kjo gjë nuk mund të ndodhë kurrë në demokraci të zhvilluara. Nuk mund të ndodhë kurrë në vende me elita, ku shtresëzimet dhe shkallët nuk të lejojnë që të kalosh pesë apo dhjetë shkallë njëkohësisht, por duhet që t´i ngjisësh shkallët një e nga një. Hierarkia e vlerave ndodhet në një rrezik akoma dhe më të madh kur shikon dhjetëra universitete që kanë mbirë si kërpudha dhe ku ka pikëpyetje të mëdha përsa i përket kualitetit. Natyrisht që kapitalizmi i bën seleksionet, por kapitalizmi te ne funksionon mirë vetëm në nivele private, pasi në shtet mjafton të kontribuosh në një forcë politike në pushtet, mjafton që të kesh një mbështetës institucional dhe një student mediokër mund t’i zërë punën studentit të shkëlqyer. Një notë 7 që mund të jetë më e fortë se sa dhjeta në një universitet tjetër, do t’i hapë rrugën të paaftit që ka pasur fatin të shkollohet në një institucion ku notat merren me mënyra që nuk dua t’i përmend pasi të gjithë i dimë shumë mirë. Gjithsesi, mungesa e hierarkisë vërehet qartë dhe te një element që në dukje duket i zakonshëm, por që në thelb do të thotë shumë përsa i përket çështjes që po trajtojmë: Hierarkisë dhe meritokracisë së vlerësimit të kontributit të figurave të ndryshme nga fusha të tilla si arsimi, kultura, sporti etj. Shikoni me kujdes se në çfarë parametrash jepen çmimet duke nisur nga Presidenti i Republikës deri të shoqatat më të zakonshme. Sigurisht që figurat që janë vlerësuar kanë kontribute të padiskutueshme në fushat ku kanë punuar, por a kanë qenë ata vërtetë më të mirët? A ka pasur të tjerë me vlera më të spikatuara, që për shkak se nuk janë përzier me politikën apo nuk jetojnë, harrohen dhe kapterët marrin meritat e gjeneralëve. Populli e di mirë se cilat janë vlerat e vërteta, po ajo që dua të them është se po jepen aq shumë vlerësime dhe nderime sa mund t’ia kemi kaluar dhe vendeve të tilla si Zvicra, Italia apo Britania e Madhe. Natyrisht që duhet të jemi më modestë dhe realistë kur të japin ato nderime, pasi duke vepruar kështu ua humbasim dhe vlerën e vërtetë. Puna ka arritur deri aty sa shoqata të caktuara kanë nderuar çdo biznesmen i cili ka kontribuar në aktivitetin e tyre, pa pyetur për backgroundin e këtyre njerëzve i cili në ndonjë rast është me të vërtetë i dyshimtë. E njëjta psikologji dhe mos hierarki vlerash ekziston dhe te gjërat më të thjeshta.

Dy dekadat e fundit rrugët e qytetit, rrugicat, shkollat, sheshet janë mbushur me emra të shumtë një pjesë e të cilëve në mënyrë të padiskutueshme nuk janë ata në podiumin më të lartë të hierarkisë së vlerave të një qyteti. Do të ndalem pak te Durrësi. Nuk është lënë emër pa vënë në rrugë, trotuare, kanë ngritur buste e përmendore duke nisur nga koloneli Tomson dhe duke vazhduar te Xhon Lenon dhe shpesh emra që një pjesë e durrsakëve nuk i njohin, duke vazhduar më pas me emërtime pa fund, por askush nuk është kujtuar që t’i vërë qoftë dhe një rruge emrin e Kristo Sotirit, njeriut që ka kontribuar në arkitekturën e qytetit, askush nuk është kujtuar t’i verë një rruge apo një institucioni emrin e Vangjel Toçit i cili ka kontribute të jashtëzakonshme në arkeologjinë dhe kulturën e qytetit bregdetar. Natyrisht që ka dhe vlerësime që kanë qenë të drejta, por e përgjithshmja flet kundër. Nuk do të vazhdoj me shembuj pasi do të ishin të shumtë, por do të thosha se ka ardhur koha që thekra të ndahet nga egjra, bakri nga floriri dhe vlera nga antivlera. Një shoqëri që nuk ka hierarki vlerash është si një kështjellë rërë që mund të shembet me goditjen e parë të këmbës së një fëmije, apo me një statujë akulli që do të shkrinte me rrezen e parë të diellit. Ka ardhur koha që të ndërtohen themele të reja vlerash dhe shkallë të forta në hierarkinë e prezantimit të tyre. Ka ardhur koha që të formohen elita, pa të cilat perëndimi do të jetë gjithnjë dhe më i largët. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: