Nga Ndue Dedaj

Njerëzit, sa herë vijnë fushatat elektorale, i mbajnë sytë për nga elitat e vendit, a do të përfshihen ato në politikë, a do t’i thithë politika apo jo kapacitetet intelektuale të fushave të ndryshme? Edhe pse ka pasur raste, nuk mund të thuhet se politika orientohet gjithnjë nga majat. Vetëm kur ka situata delikate, në mos kriza, atëherë liderët shpejtojnë dhe i bien pikës. Kështu ka ndodhur në fillimet e pluralizmit, kur kërkohej përfaqësim e afirmim politik në sistemin e ri demokratik. Kështu kur duhej bërë marrëveshja e quajtur historike e 9 marsit 1997 për të dalë nga anarkia e shkaktuar prej rënies së kompanive piramidale dhe e zgjedhjeve të një viti më parë. Kështu dhe kur duheshin gjetur ustallarët e Kushtetutës, ku nuk mund të mungonte i urti Sabri Godo etj. Me diçka ekzistenciale politike shpjegohet dhe emërimi kohët e fundit nga zoti Berisha i dy ministrave, Halim Kosova dhe Visar Zhiti, përkatësisht i Shëndetësisë dhe i Turizmit e Kulturës. Ndër emrat më elitarë e meritorë të kohës, që nuk u deshën as njëzet e katër orë për t’i gjetur, pasi ata ishin aty. Njëri, mjek i shquar, që e kemi “takuar” të gjithë më se njëherë dhe kemi mbetur të mahnitur prej shërbesës dhe personalitetit të tij, duke uruar me shpirt që të gjithë mjekët të ishin si ai. Tjetri, një nga poetët më të talentuar, ish-i dënuar politik i ndërgjegjes, që gjithë këto vite ka dëshmuar përmes librash dinjitozë diktaturën komuniste, pa kërkuar ndonjë rol protagonisti, paçka se me profilin e një disidenti, duke na kujtuar për nga sqima Atë Zef Pllumin. Duket se e vetmja gjë që nuk u kishte shkuar ndërmend dy zotërinjve ishte se një ditë mund të bëheshin ministra, por ja që politika i thirri. Është një rast që meriton analizë për të paktën tri argumente. E para, intelektualët e shquar, dhe pse kanë mjaft ngarkesë e përkushtim në zejen e tyre, i përgjigjen thirrjes për të kontribuar për vendin, nëse ftohen nga politika për t’u bërë pjesë e saj. E dyta, as në të shkuarën nuk kanë munguar të bëhen pjesë e qeverisjes njerëzit në zë, mjaft të kujtojmë Mirash Ivanajn, ministrin e Arsimit në vitet ’30, apo të tjerë personalitete akademike që u bënë ministra gjatë monizmit, nga Sejfulla Malëshova te Farudin Hoxha. Mund të përmendim më pas Gramoz Pashkon i papërsëritshëm, zëvendëskryeministër etj. E treta, ministra të tillë gjenerozë, që nuk kanë vetëm kredencialet e politikës që i mbajnë, mund të jenë tolerantë sa të duash, por në thelb ata nuk përdorën nga rrethanat, ngaqë kanë personalitet unik dhe integritet moral e profesional të lartë. Por thuajse asnjë sosh nuk ka pasur jetëgjatësi politike, pasi herët a vonë politika i ka goditur në asht.

E kur flasim për përfshirjen e elitave nuk është fjala vetëm për ata që marrin portofola ministrorë, por për gjithë zyrtarët e lartë që u ngjitën në hierarkinë e shtetit, në legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor, media, diplomaci, banka, dogana etj. Është e njohur se jo domosdoshmërish ekspertët më të mirë të ekonomisë, drejtësisë, kulturës, shoqërisë civile mund e duhet të përfshihen në politikë, të marrin pushtet, se në administratën publike do të ketë dhe mediokër, pasi një shkencëtar nuk e lë studion e tij për një post administrativ etj. Kjo ka një të vërtetë, por jo deri aty sa të abuzohet duke i mbushur institucionet e vendit me zyrtarë pa ndonjë spikatje, veç militantizmit politik në fushatat elektorale dhe besnikërisë ndaj selive blu, rozë etj. Për kushtet në të cilat jemi ne, me demokraci e institucione ende jo mirëfunksionuese, me hapa të ngadalshëm integrues, herë-herë me një moral të dyshimtë në rekrutimin politik të rishtarëve, është e nevojshme që elitat të përfshihen më shumë se kurrë në politikë, për t’i dhënë asaj një tjetër klas e frymëmarrje e jo vetëm ngjyresë demokratike. Por a thua kësaj here është bërë vonë për këtë synim, pasi politika i ka shpallur tashmë emrat që do të përfaqësojnë shqiptarët dhe për katër vitet e ardhshme? Nëse i referohemi popullit, në urtësinë e tij proverbiale, vonë nuk është asnjëherë për të ndryshuar për mirë, paçka se sezonin e ardhshëm parlamentar nuk duket se do të ketë “rebelë” që do të guxojnë t’i thonë fjalë kritike mazhorancës në qeverisje, cilado të jetë ajo, pasi mendimit ndryshe iu vu fre me lënien jashtë listave të bartësve të tij. Shqipëria ende nuk e ka mbërritur kulturën e diversitetit politik brenda llojit, le pastaj me tjetrin përballë. Ndaj, teksa nuk e kemi të lehtë që në njëzet vjet qeverisje të gjejmë emra qeveritarësh elitarë aq sa do të donim të kishte, nuk është e vështirë të rreshtohen zëdhënës partie apo partiakë të thekur, që befas kanë zënë vend në kabinetin qeveritar, duke kaluar ndonjëherë nga njëri dikaster te tjetri, pa folur për ndonjë ministër “legjendar” që e ka pasur për zemër për vite të tëra si e majta si e djathta. Se ku është kuptimi i elitave politike këtu askush nuk mund ta thotë. Se politikës i është vërsulur shumëkush, pos elitave, kjo mund të shihet dhe në formatin minor, thuajse anonim të shumicës së kryetarëve të partive të dy koalicioneve, të cilët nuk kanë kurrfarë emri dhe ndikimi publik dhe janë aty një zot e di se pse. Por për mospërfaqësim të merituar tonin flasin listat, ku krahas figurave mjaft elitare, ka dhe të atillë që mund të dallohen veç për “besën” e kartonit, që as duan t’ia dinë se në Kuvendin e Shqipërisë, madje si themelues të parlamentarizmit shqiptar, kanë qenë Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Sulejman Delvina, Ambroz Marlaskaj, Sejfi Vllamasi etj., etj.

Nuk është e rastit që ka mospërputhje mes pritshmërisë së publikut për deputetët dhe asaj që vendosin të zotët e listave në orën e fundit, ku jo rrallë ka ndodhur që “axhenda” e iks deputeti, ministri a ish-ministri nuk është përputhur me atë të kryetarit të partisë, ku tipik është rasti i Arben Malajt, çka u tha prej vetë atij. Mund të duket si batutë, po nëse diktatori bënte nja dy a tri plenume deri sa ta shkarkonte (njëherësh: shkatërronte) një ministër, tani mjafton një heqje vize me laps mbi emrin e “armikut” të partisë dhe ai nuk është më në karrierën politike të partisë ku ka qenë themelues me të tjerë. Nuk kupton as pse axhenda e zonjës Bazhdari nuk u përputh me atë të lidershipit socialist, kur ajo ishte investuar fort dhe publikisht si përfaqësuese e ish të persekutuarve politikë? Ndërkohë që nuk e gjen të përligjur as pse deputetët demokratë Marku, Xhepa e Alibeaj nuk u përfshinë në listën e PD-së, pa folur për të tjerë parlamentarë të zotë të kësaj force politike që u zbritën mjaft poshtë në rreshtimin e ri elektoral. Ti si zgjedhës do të doje jo vetëm të ishin përsëri në Parlament zërat kritikë intelektualë, por kërkimi i individëve të shquar, për në tempullin e fjalës, të shtrihej dukshëm në shoqërinë civile, departamentet e universiteteve, rrethet e profesorëve, agjencitë promovuese të zhvillimit, kompanitë mediatike, shoqëritë e biznesit, elitën e krijuesve etj., pa mohuar ato raste kur kjo ka ndodhur dhe kësaj here. Vërtet që të rinjtë mund të jenë energjia e nevojshme parlamentare, sidomos në një vend me trashëgimi kuvendore popullore, më së shumti me veteranë të luftës e të punës, por jo aq të “rinj” sa të mos mund të rriten vetë nën hijen e shefave dhe kompleksimit ndaj hierarkëve të politikës shumëvjeçare. Me “telekomandë” nga lart, siç ka zënë të thuhet me shpoti për disa syresh, mund t’i zësh për pak foltoret politike, falë dhe oratorisë agresive deri në mani, por jo dhe panteonin e politikës. Duke u bërë Parlamenti një “aulë” qytetarie dhe elitarie, njerëzish që nuk i drejtohen politikës “për të bërë barrë” përmes saj, kjo filozofi do të zbriste dhe në nivelin e dytë të pushtetit, në qarqe e prefektura, apo në komuna e bashki, kur të ishte radha e tyre për zgjedhjet. Njerëzit e elitës, në qendër e në rrethe, nuk janë për t’u mandatuar nga politika sa herë të ketë situata të nxehta që duhen kapërcyer, por për t’u përfillur në vazhdimësi prej saj si kontribuues të vetëdijshëm politikë në dobi të qytetarëve dhe interesave të vendit. Së fundi, ia vlen t’i mëshohet idesë se, pos 140 deputetëve, që tash për tash janë kryefjala e ditës, pas 23 qershorit do të ketë dhe disa herë më shumë emra që do të thirren për të qeverisur, në nivele të ndryshme, çka do të thotë se beteja për elitizimin e politikës dhe drejtimin e shtetit me meritë është një proces që duhet thelluar, për më tepër kur çdo vonesë drejt integrimit në BE është dobësi jo vetëm e politikës, por dhe e elitave – shërbesa e të cilave, në funksion të ndryshimit, është dhe misioni i tyre qytetërues.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/05/16/elitat-dhe-politika/