Nga Çim Peka

Më 29 nëntor 2012, Shqipëria e Kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha së bashku me disa dhjetëra shtete të tjera, kryesisht të Europës Lindore, abstenuan në votën e tyre në OKB për dhënien Palestinës statusin e anëtarit-vëzhgues në Kombet e Bashkuara. Kryeministri turk i kohës, Recep Tayyip Erdogan pati lobuar fuqishëm në mbështetje të Palestinës, ndërkohë që SHBA ishin kundër.

Pas votës, Kryeministri Edogan u shpreh në median turke se ai i kishte bërë presion një lideri të një vendi mysliman për të votuar në favor të rezolutës për Palestinën, por pati dështuar ta bindë atë, duke shtuar se ‘bota është e mbushur me frikacakë’. Ai vetë nuk e përmendi emrin e këtij ‘njeriu frikacak’, por e përditshmja turke Hürriet e identifikoi Kryeministrin Sali Berisha si liderin e sulmuar dhe Shqipërinë si vendin që kishte guxuar t’i bënte ballë presionit të Erdogan, duke u kujdesur që të përmendte me emër këtë ‘frikacak’.

Pavarësisht se Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka njohur shtetin e Palestinës, dhe të lejojë hapjen e ambasadës së saj në Tiranë, pavarësisht se Sali Berisha ishte shprehur publikisht në OKB se Palesina meriton të ketë shtetin e vet, dhe pavarësisht se vendimi i qeverisë shqiptare ishte marrë duke pasur parasysh parametra dhe rrethana të ndryshme gjeopolitike, kulturore, etj. Fakti që qeveria shqiptare nuk pranoi diktatin e Erdogan, bëri që ky i fundit të fyente publikisht homologun e tij shqiptar.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë kanë qenë të shkëlqyera për dekada të tëra, pavarësisht se kush ka drejtuar qeveritë në dy vendet. Për arsye politike, gjeopolitike, ushtarake, ekonomike, kulturore dhe historike marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë, janë, duhet, dhe do të vazhdojnë të jenë të forta. Marrëdhëniet midis dy popujve tanë po ashtu janë tepër solide dhe miqësore.

Pas ardhjes në pushtet të socialistëve, marrëdhëniet midis dy vendeve u duk se morën një hov të ri, me Edi Ramën që nxitoi te deklaronte Turqinë si aletin strategjik të Shqipërisë (pavarësisht se këtë gjë bëri edhe me një numër të madh shtetesh të tjera). Në fakt marrëdhëniet midis dy vendeve më shumë kishin pamjen e marrëdhënieve personale të Z. Erdogan dhe Z. Rama, ku ra në sy pjesëmarrja e Ramës në dasmën e vajzës së Erdogan dhe një moment interesant ku Z. Erdogan u bë shoferi personal i Kryeministrit shqiptar. Nuk ka gjë më të mirë sesa kur raportet pozitive të dy liderëve shërbejnë si shtysë për përmirësimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve politike dhe ekomomike edhe midis vendeve respektive. Nëse ndodh.

Ndoshta përplasja midis Erdogan dhe Sali Berishës nuk do na ishte kujtuar, po të mos ishte një intervistë e Recep Tayyip Erdogan si President i Turqisë, dukshëm i programuar ngutshëm, ku Presidenti turk habiti me mbështetjen e tij hapur për Kryeministrin Rama vetëm pesë ditë para zgjedhjeve të përgjithshme. Madje, ai shkoi akoma më tej kur i kërkoi Ilir Metës të bënte koalicion paszgjedhor me Edi Ramën e Rilindjes.

Deklarata e Presidentit turk duhet lexuar thjesht si një nder që po përpiqet t’i bëjë mikut të tij, Kryeministrit në ikje Edi Rama. Se sa ndërhyrje të tilla të paprecedenta në kulmin e fushatës, do të kenë efekt ditën e diel nuk mund të kuptohet, dhe se sa ndikon kjo në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, vetëm Zoti Erdogan mund ta marrë me mend.

Ajo që bie në sy, është konteksti i brendshëm dhe i jashtëm i zhvillimeve shqiptare që detyruan Kryeministrin Shqiptar të kërkojë ndihmë te Presidenti turk. Edi Rama është në përfundim të një fushate elektorale me një bilanc qeverisës katër-vjeçar katastrofik, me një fushatë qesharake ku fjalët ‘timoni dhe tepsia’ janë transformuar në sloganin e vetëm elektoral; ku partneri i tij qeverisës tashmë garon kundër dhe me sa kuptohet nga retorika elektorale duket se po mbyllin me shpejtësi çdo mundësi për bashkëqeverisje, dhe ku është e qartë se pa këtë aleat Edi Rama nuk do të jetë më Kryeministër i vendit.

Po ashtu, javës që shkoi me një lëvizje tektonike, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës takoi liderin e opozitës shqiptare Lulzim Basha në kulmin e fushatës elektorale, duke sinjalizuar haptas mbështetjen për të, dhe duke e goditur nën brez Kryeministrin në detyrë, Edi Rama. Është e qartë për të gjithë që ky është momenti i hakmarrjes, dhe Presidenti Trump nuk ngurroi t’i kthejë hakun.

Vlen të theksohet se marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-të, Gjermaninë dhe vendet e Bashkimit Europian pas grushtit të dështuar të shtetit korrikun e vitit të kaluar janë në kuotën më të ulët në disa dekada. Pavarësisht, arsyeve të degradimit të këtyre marrëdhënieve (që janë të shumta), ajo që u kristalizua në javën e fundit të fushatës elektorale në Shqipëri është mbështetja e hapur e Presidentit të Shteteve të Bashkuara për Lulzim Bashën, dhe mbështetja e Presidentit të Turqisë për Edi Ramën.

Ndërkohë që Edi Rama ka një llogari të hapur me Presidentin Trump, Lulzim Basha nuk ka asnjë llogari të hapur me Presidentin Erdogan. Ndërkohë që gjasat për një marrëdhënie të mirë midis Ramës kryeministër pas 25 qershorit dhe SHBA-ve janë nul, gjasat për marrëdhënie të mirë midis Lulzim Bashës kryeministër dhe Turqisë janë realiste, dhe nuk ka pse të jetë ndryshe pavarësisht ndërhyrjes së pavend të Presidentit Erdogan.

Vendosja e elektoratit shqiptar përpara dy alternativave zgjedhjeje, midis asaj që mbështesin SHBA-të, dhe asaj që mbështet Turqia është gabim taktik dhe strategjik i Edi Ramës dhe vetëm i tij. Përgjegjës është vetëm ai, dhe pasoja do t’i vuajë vetëm ai. Zgjedhjen midis dy alternativave, shqiptarët e kanë dhënë para 26 vjetësh, që me vizitën e James Backer në Tiranë. /Syri.net/