Fëmijët e harruar

30/04/2013 - 13:10

Nga Fatos Baxhaku

Mbi këtë valë të rrokopujshme elektorale, që na ka përfshirë të gjithëve, notojnë lloj-lloj termash, konceptesh, planesh hijerënda, reforma, synime të mëdha për ta çuar vendin përpara, për të bërë ndryshimin, për ta rilindur atë. Si zakonisht, ca herë duke besuar dhe ca herë të tjera duke u shtirur, partitë dhe liderët e tyre premtojnë një Shqipëri më të mbarë, më të bukur, më të begatë, më të qetë. Bëjnë mirë, një nga punët e tyre kryesore është që të ngjallin besim. Në konventa, takime me popullin disa prej të cilave edhe buzë arave të bleruara të kësaj pranvere, partitë flasin për ekonominë, shëndetësinë, arsimin, drejtësinë, rendin, pra për shtyllat kryesore që e mbajnë në këmbë një vend të caktuar. Sërish bëjnë mirë, kjo gjithashtu është detyrë e tyre. Porse, sipas mendimit tonë modest kanë harruar një detaj, i cili është mbase më i rëndësishmi nga të gjitha ato shtyllat e para të marra së bashku: fëmijët!

Ka një tendencë që fëmijët të konsiderohen vetëm si nxënës dhe pikërisht prandaj, të gjitha bateritë e partive kanë shkuar drejt arsimit. Porse fëmija është një qenie shumë herë më komplekse se sa një nxënës i thjeshtë. Në radhë të parë, është një qenie e brishtë njerëzore, me të drejta shumë herë të dhunuara, është një qenie delikate nga pikëpamja e fizikut, është një qenie e paformuar nga pikëpamja e inteligjencës (ashtu sikurse mendojmë ne të rriturit), është një qenie ende naive, e pamësuar me djallëzitë që fsheh bota e të rriturve dhe pikërisht prandaj, bash për këtë kategori, partitë duhej të kishin hartuar projekte të qarta, të cilat me kohë duhej t’ia kishin prezantuar prindërve, atyre që do t’u japin votat në këtë behar.

Njësoj sikurse një familje dallohet nga mënyra se si i trajton fëmijët e saj, ashtu edhe një shtet, një shoqëri dallohet nga shkalla e ndjeshmërisë ndaj problematikës së fëmijëve. Vërtet ne shqiptarët i kemi energjitë e duhura (kur nuk na i ha politika dhe bastet) për ta çuar vendin përpara. Sigurisht që, shumë nga objektivat e shpallura do të realizohen, ca për vullnet të partive, udhëheqësve, porse edhe shumë të tjera sepse i ka ardhur koha. Shqipëria pa dyshim që është një vend më i mbarë se 20 vjet më parë, porse të gjitha arritjet, që do të kemi e që kemi pasur, do të duken si një hiç i vërtetë, nëse do të kemi ende fëmijë që sheshin rrugëve, lypsarë të vegjël të shfrytëzuar, apo të braktisur, fëmijë të trafikuar, fëmijë të dhunuar në familje apo jashtë saj, dhe sidomos fëmijë të rritur para kohe me shpresë të vdekur që në vegjëli, sikurse janë fëmijët e trishtuar të Bulqizës. Askujt përveç supeve të tyre të brishtë nuk i dhimbset kjo fëmijëri e humbur. Bëjmë ndonjë reportazh të “qurravitur” dhe pastaj të gjithë shohim hallet tona prej qytetarësh të vërtetë.

Të gjithë i shohim teksa rrufisim të qetë kafenë tonë mëngjesore, madje edhe bezdisemi prej këmbënguljes së ndonjërit, që do me patjetër të të shesë bajamet e tij të kripura. Të gjithë e dimë varfërinë e periferisë, braktisjen e shkollës, kequshqyerjen e mijëra fëmijëve, shëndetin e lig të qindra të tjerëve, porse ja që jemi të zënë me gjëra të tjera “më të mëdha”, më globale, me reformat që themi.

Sikur partitë të dinin mirë ca gjëra, atëherë me siguri programet e tyre elektorale do të kishin edhe një pikë më tepër, atë të fëmijëve. Për shembull, dikush duhet t’ua thoshte partive dhe politikanëve, deputetëve dhe aspirantëve për deputetë se Shqipëria ka kohë që ka aderuar në “Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës”, që është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që më 20 nëntor të 1989. Ky dokument, të cilin e kemi pranuar, kërkon nga vendet nënshkruese disa detyrime që kanë të bëjnë në thelb me dinjitetin, shpresën, jetën normale të çdo fëmije. Në thelbin e tij, dokumenti prej 20 faqesh është ngritur mbi “të drejtën e secilit fëmijë për të pasur një nivel jetese të mjaftueshëm për zhvillimin e tij fizik, shpirtëror, moral dhe shoqëror”. Këtë të drejtë në letër, ne e kemi njohur, por a e kemi zbatuar atë vallë, sikurse kemi premtuar? Hidhni një herë sytë rreth e rrotull dhe nuk keni fare nevojë të përgjigjeni. Sigurisht është normale që përgjegjësia e parë për mbarëvajtjen e çdo fëmije është ajo e të dy prindërve. Porse, sikurse e dimë fort mirë, në jetë nuk ndodh gjithnjë që një fëmijë i mbarë të ketë prindër po aq të mbarë. Dhe në këto raste, konventa parashikon që në këto raste pamundësie është obligim i shtetit që të ndihmojë prindërit, jo aq shumë për ata vetë, se sa për fëmijët që kanë në shtëpi. Po ky premtim a është mbajtur? Një nen tjetër u përcakton detyra shteteve firmëtare për të marrë “masa kundër dhunës fizike apo mendore, fyerjes, keqtrajtimit, braktisjes, mospërfilljes, nëpërkëmbjes ose shfrytëzimit, apo abuzimit seksual”. Edhe këtu, ende shumë larg fjalës së dhënë.

Sikur partitë, kur hartonin programet elektorale ta dinin, atëherë ato me siguri do të ishin kujtuar edhe për një zyrë modeste në Ministrinë e Punës. Ajo quhet “Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës”. Është pikërisht kjo zyrë që koordinon të gjithë tematikën që ka të bëjë me fëmijët që nga arsimi e rendi dhe deri te drejtësia e shëndeti. Punonjësit e heshtur të kësaj zyre kanë bërë çfarë kanë pasur në dorë deri më tani, porse duket sheshazi se buxhetet e tyre janë krejt të vogla. Nganjëherë, sidomos ndër zyra shteti, nuk mjafton vetëm vullneti i mirë.

Sigurisht që rregullimi i shtyllave, për të cilat flasin partitë, do ta përmirësojë edhe jetën e secilit prej fëmijëve, porse ka raste kur gjërat e vogla e si të largëta në dukje, janë vërtet fort me rëndësi dhe nga hartimi i një politike, moderne, shpirtgjerë, europiane (meqë ky terma tani është bërë fort i modës), konkrete, por edhe afatgjatë, të gjithë do të fitonin: politika do të bëhej më e besueshme, prindërit do të ishin më të qetë, fëmijët do të kishin një jetë më të mbarë dhe vendi do të kishte një hije tjetër.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/04/30/femijet-e-harruar/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: