Garë brenda PD apo?…

03/07/2013 - 13:42

Nga Besnik Mustafaj

Partia Demokratike do të nisë këto ditë fushatën për të zgjedhur kryetarin e vet të ri sipas parimit “një anëtar, një votë”. Për ne demokratët kjo është ngjarja më e rëndësishme pas asaj të Dhjetorit 1990, që shënoi themelimin e Partisë Demokratike. Për herë të parë në historinë më shumë se 23-vjeçare të formacionit tonë politik, të gjithë demokratët, pa asnjë përjashtim, do të marrin pjesë në zgjedhjen e kryetarit. Së paku të gjithë demokratët, pa asnjë përjashtim, do të kenë të drejtën të shprehen për kryetarin e ri. Pjesëmarrja në votim është, sigurisht, në dëshirën e secilit. Megjithatë, do thënë se niveli i pjesëmarrjes së demokratëve në këtë votim do të përcaktohet kryesisht nga niveli i besimit që anëtarët e Partisë Demokratike do të kenë në ndershmërinë dhe drejtësinë e këtij procesi. Ky besim do të jetë jetik për të ardhmen e afërt të Partisë Demokratike.

Është plotësisht e vërtetë se Partia Demokratike, duke kuptuar këtu si anëtarësinë, ashtu edhe strukturat drejtuese, nuk ishte e përgatitur për një fushatë të tillë. Në kalendarin e saj të zakonshëm ishte i parashikuar një Kuvend Kombëtar në vjeshtë, kur edhe do të zgjidhej kryetari. Por, deri mbrëmjen e 23 qershorit, ishte e paravendosur që kryetari të ishte përsëri Berisha. Kjo e bënte ekzistencën e Kuvendit të ardhshëm një ngjarje thjesht rutinore. Po ashtu, nuk ishte dhënë asnjë shenjë se do të vendosej më në fund parimi i votimit “një anëtar, një votë”. Në këtë kuptim, Partia Demokratike është zënë në befasi të plotë nga fushata që pritet të fillojë nga dita në ditë.

Duke nënvizuar se Partia Demokratike nuk ishte e përgatitur për të hyrë në një fushatë të tillë, pyetja duhet shtruar nëse formacioni ynë politik është i pjekur për të përballuar një fushatë të tillë? Këtu përgjigjja nuk mund të jetë pohuese e as mohuese en bloc. Mungon çdo lloj përvoje për të zhvilluar zgjedhje të vërteta brenda partisë. Mungon krejtësisht kultura politike për të cilën kanë nevojë zgjedhjet brenda familjes politike. Kam parasysh kulturën politike të ballafaqimit të alternativave të ndryshme nga kandidatët për postin e kryetarit të ri, i cili do t’i udhëheqë demokratët gjatë katër viteve të ardhshme, kur edhe do të zhvillohen dy beteja të mëdha elektorale: zgjedhjet për në pushtetin vendor në vitin 2015 dhe ato parlamentare në vitin 2017.

Në një përpjekje të sinqertë për t’iu përgjigjur pyetjes së mësipërme, do të thosha se anëtarësia demokrate më duket përgjithësisht e pjekur. Gjatë ditëve që pasuan dorëheqjen e Berishës kam marrë afro dy mijë mesazhe nga demokratët anembanë Shqipërisë. Shumica e tyre dërrmuese shprehen të kthjellët si për rëndësinë që ka zgjedhja e kryetarit të ri të partisë, ashtu edhe për nevojën që gara të jetë e hapur dhe e ndershme midis kandidatëve. Ky sigurisht nuk është një sondazh sipas kritereve metodike që nevojiten për një sondazh. Por, në gjykimin tim, është një masë krejt e mjaftueshme aktivistësh politikë, që më lejon të arrij në përfundimin se anëtarësia demokrate është përgjithësisht e pjekur për ta zgjedhur kryetarin e ri dhe për të ushtruar në vazhdim mbi të një presion pozitiv.

Ndryshe paraqiten gjërat me strukturat drejtuese në detyrë, përfshirë këtu edhe Berishën, të cilat morën përsipër, edhe pse moralisht nuk u takonte, organizimin dhe drejtimin e procesit zgjedhor. Veprimi i Berishës për ta futur menjëherë partinë në zgjedhje ishte i drejtë jo vetëm pse nuk ka kohë për të humbur, por edhe se kjo është mënyra më e mirë për t’i nxjerrë demokratët nga topitja e disfatës së thellë. Po ashtu, vendimi i Berishës që zgjedhjet të bëhen sipas parimit “një antar, një votë”, sado që në kundërshtim me statutin në fuqi, mbetet parimisht më i përshtatshmi për ta mobilizuar mbarë anëtarësinë. Ne kishim mbetur e vetmja parti në gjirin e Partisë Popullore Europiane që nuk e zbatonte këtë parim. Edhe thirrja e tij që kjo periudhë të mos shndërrohet në një periudhë gjahu ishte me vend. Asnjë demokrat nuk është i tepërt.

Më tej nisin shqetësimet, të cilat po nuk u kuruan qysh tani, mbartin rrezikun ta komprometojnë rëndë procesin. Po ndalem vetëm në tri prej tyre, që i vlerësoj si më të dëmshmet.
Berisha njoftoi në mbledhjen e Kryesisë së partisë se gjatë fushatës nuk do të bëhet analiza e zgjedhjeve parlamentare që sollën katastrofën e 23 qershorit për Partinë Demokratike dhe të djathtën në përgjithësi. Këtë analizë, tha ai, do ta bëjë kryetari i ri. Kjo do të thotë se nuk do të bëhet as analiza e qeverisjes tetëvjeçare të PD-së. Berisha vendosi kështu një tabu, e cila rrjedhimisht i heq palcën një fushate zgjedhore. Të gjitha gjasat janë se anëtarët e Kryesisë në detyrë, ku përfshihen edhe dy nga kandidatët e paralajmëruar deri tani, do t’i përmbahen ad literam këtij urdhri. Po çfarë do të na thonë ne demokratëve ata, për të fituar besimin tonë dhe për të ngjallur shpresën tonë? Ndoshta atyre individualisht kjo censurë e Berishës u përshtatet, ua lehtëson punën. Por partisë nuk i bën aspak mirë. Përkundrazi. Serioziteti i një formacioni politik matet me cilësinë e saj për vetëkritikë. Partia Demokratike nuk e ka njohur ende këtë shkollë. Ky do të ishte rasti më i përshtatshëm për ta filluar. Në qoftë se kandidatët për kryetarin e ri vijnë te ne vetëm për të na premtuar një të ardhme të ndritur, ata do të jenë thjesht në një garë gjuhësore kush zgjedh fjalët më të bukura. Ne demokratëve kjo nuk na mjafton për të na ringjallur shpresën. Doktori e di më mirë se kushdo tjetër se pa një diagnostikim të saktë, nuk ka shërim. Partia Demokrate është e sëmurë rëndë.

Njëri nga personalitetet me përkushtim të gjatë dhe koherent në Partinë Demokratike, Roland Bejko, është shprehur të hënën nëpërmjet rrjeteve sociale se listat e anëtarësisë demokrate në Gjirokastër po manipulohen. Nuk kemi parë ende asnjë reagim nga Kryesia, që do të ishte edhe angazhim për t’u dhënë garanci demokratëve se nuk do të preken listat. Të paktën katër vitet e fundit Partia Demokratike nuk ka ekzistuar si organizëm i gjallë politik. Është krejt logjike që listat e anëtarësisë të jenë në rrëmujë të madhe e fort të pluhurosura. Si çdo gjë e braktisur, zaten! Sepse PD u kthye në parti nëpunësish. Prandaj ndershmëria e këtij procesi zgjedhor fillon te qëndrimi ndaj listave “të votuesve” për kryetarin e ri. Jemi në vëzhgimin e mbarë shoqërisë shqiptare. Në qoftë se do të fillojnë të manipulohen listat, morali i demokratëve do të njolloset rëndë, aq sa do të jetë e vështirë t’u kërkojmë besimin shqiptarëve pas dy vjetësh. Si mund të shpresojmë të na ndjekë shumica e shqiptarëve po qe se udhëheqësit tanë të rinj damkosen qysh në pagëzimin e tyre si hileqarë?

Dëgjova zotin Patozi t’i ndërsehej publikisht me një fjalor të shëmtuar njërit prej kandidatëve që nuk bën pjesë në Kryesinë aktuale. Unë e dëgjova me vëmendje Berishën kur paralajmëroi nisjen e një fillimi të ri me këtë fushatë. Më erdhi mirë dhe e mora si një shenjë reflektimi nga ana e tij. Ai e di më mirë se kushdo dobinë që pati Partia Demokratike në periudhën 2003-2004 me fillimin e ri. Partia u hap ndaj të gjithë atyre që kishin ikur apo i kishte përzënë. Në PD gjeti vend deri edhe Arben Imami, fama e të cilit në vitin  1997 ishte ende e gjallë në kujtesën e të gjithë demokratëve, e posaçërisht të Berishës. Dhe mirë u bë. Ndryshe nuk mundej dot Fatos Nano, përveç se duke pasur përballë një familje demokrate të bashkuar. Nisur nga kjo përvojë, unë e çmova, bie fjala, si të drejtë vullnetin e Aleksandër Biberajt për t’u përfshirë në këtë fushatë. Dhe me të njëjtën parimësi do të gëzohem për çdo kandidaturë, i bindur se nëse gara mbyllet midis kolltukëve të Kryesisë, ajo nuk është më garë. Ky qëndrim është në thelbin e tij parimor nga ana ime dhe nuk do të thotë aspak se mbështes njërin apo tjetrin kandidat. Unë për veten time prej vitesh nuk jam më kandidat për asnjë funksion drejtues në politikë. Por gjykoj me sinqeritet se kjo gjendje rehatie nuk më jep të drejtë të jem një soditës indiferent i agonisë së PD-së. Rrjedhimisht, nisur nga vullneti i mirë, nuk dua të shoh te deklarata nervoze e plot mllef e Patozit një simptomë më të përhapur se tek ai vetë. Patozi nuk është aq i ri në politikë sa të mos dijë ta përmbajë veten, pavarësisht rrethanave veçanërisht të pakëndshme në të cilat gjendet sot. Të gjithë ne demokratëve na mundi Partia Socialiste. Patozin e mundi personalisht Koço. Ky realitet është i vështirë të tretet, por Astriti duhet ta tretë me dinjitet, ndryshe bëhet me ulçer.

Kryesia e PD-së nuk po e bën punën që mori përsipër për organizimin e fushatës brenda partisë. Të paktën do thënë se nuk e ka nisur ende. Do të duhej të ekzistonte tashmë një rregullore e përkohshme, ku të sqarohej kuadri brenda të cilit do të zhvillohet kjo fushatë. Fjalën nuk e kam vetëm për administrimin korrekt të listave të anëtarësisë. Ky kuadër nënkupton disa piketa të domosdoshme, të tilla si: do të shkojnë apo jo kandidatët në takim me anëtarët? Nëse po, kush do t’i thërrasë mbledhjet e anëtarësisë nëpër rrethe? Vajtja nëpër seksione do të bëhet veç e veç për secilin, apo do të organizohen debate me dy a më shumë kandidatë për të ballafaquar platformat? Sallën e madhe në seli do ta përdorin të gjithë kandidatët, apo vetëm disa? Po faqja zyrtare e partisë në internet si do ta paraqesë këtë fushatë? Janë një mori rregullash shumë të thjeshta, pa të cilat cenohet parimi themelor i barazisë në garë për të gjithë kandidatët. Dhe një garë pa barazi prodhon një lider me legjitimitet të kufizuar. Ose edhe pa legjitimitet fare. Edhe Flamuri e ka mësuar kaq gjë.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/07/03/gare-brenda-pd-apo/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: