Nga Vali Qyrfyçi

Rahmet pastë gazetaria e vërtetë në kohë fushatash zgjedhore! Qytetarëve u ofrohen nga mediat e çdo lloji, (të shkruara, televizive dhe elektronike) pamje dhe informacione të përgatitura jo nga gazetarët, po nga stafet e punësuara të partive politike, të cilat shpesh gëlojnë nga militantë. Lajmet ofrohen të gatshme nëpër redaksi dhe të tilla serviren për publikun. Jo për faj të gazetarëve, po si një diktim i politikës që së fundmi, pas kundërshtimit të disa redaksive, morën dhe bekimin zyrtar të KQZ-së. Një vendim absurd që tenton të justifikohet me barazinë në kohë televizive. Zoti na ruajtë në këto kohë të marra që të trajtojnë si budalla, të zhveshin nga profesioni dhe “të dembelosin” mëndjen e fizikun.

Çdokush që punon në media ka kohë që diskuton dhe debaton mbi situatën e krijuar nga zëdhënësit dhe trupat televizive të punësuara nga forcat politike dhe cënimin e hapur të misionit të gazetarisë që sjell raporti i tyre me redaksitë mediatike. E ndërsa deri më sot kjo i lihej profesionalizmit që nga drejtuesit e mediave të ndryshme dhe deri te gazetari i terrenit, tashmë është bërë e detyrueshme, të paktën për mediat televizive. Jo vetëm televizioni publik, por edhe televizionet private janë të detyruara në bazë të vendimit të fundit të nxjerrë nga institucioni zgjedhor që të transmetojnë materialet filmike dhe kasetat me kronikat e përgatitura nga selitë e partive. Këto lajme sjellin një deformim të pastër të realitetit, duke ofruar situata të trukuara. Larg realitetit zgjedhor për të diktuar mbështetje, përkrahje masive.

Trukimi ndodh në çdo detaj, duke nisur që nga pjesëmarrja në takimet dhe mitingjet elektorale. Jo thjesht pjesëmarrja në numër që kapet nga kënde që disafishojnë pjesëmarrjen, por edhe krijojnë përshtypje të gabuara mbi përkatësinë e pjesëmarrësve. Deklarohen takime me arsimtarë, studentë, artistë dhe profesionistë, banorë të lagjeve dhe fshatrave të ndryshëm, po një sy i kujdesshëm i fotove apo pamjeve identifikon lehtësisht pjesëmarrjen e gjerë në këto takime të antarërsisë së forcës politike që organizon takimin dhe tek-tuk ndonjë i paparti që kërkon të pozicionojë votën në këtë kohë të marrë dallaveresh ku bombardimi në informacion, që nuk mbetet ndër mend, ndodh ngado. Ndaj forcat e mëdha politike e kanë kuptuar efektin negativ që mund të sjellë prania e gazetarëve dhe kamerave në këto takime, ashtu si kanë kuptuar rëndësinë e përgatitjes së materialeve dhe dërgimin e tyre për publikim pa redaktim. Ato diktuan vendimin e KQZ-së duke bërë shumë hapa pas në lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për informim. Gazetarët ndjehen të zhveshur nga pacipëria e këtij vendimi, por edhe e e-maileve që mbysin me informacione të gatshme adresat e tyre, shpesh nga zëdhënës militantë dhe me formim të mangët gazetaresk.

Ai që duhet të ishte shteti i së drejtës përmes institucioneve të veta nxjerr vendime absurde, cënon standarte, liri e të drejta themelore, ndërkohë që gjendja dhe pa to ishte kritike. Absurdi në këtë prag zgjedhjesh ka arritur kulmin, po mbase jo. Mund të ketë dhe më tej. Nuk e dimë ç’na prêt. Jetojmë në vendin e mendësisë së diktatit. Shteti me falangat e veta dikton në demokraci. Dikton dhe në kohën që duhet të jetë krejtësisht e administruar nga votuesit, nevoja e tyre për të kuptuar qartë dhe pastër se ku duhet të hedhin votën e tyre. Opozita gjithashtu hesht se i leverdis. Jemi të rrethuar në demokraci. Të izoluar me ndjesinë e të qenit në pluralizëm e liri. Gënjejmë veten.

Të dhunuar në integritetin profesional për ushtrimin pa kufizime të profesionit, por edhe në integritetin qytetar, na ndodh që të detyruar të pajtohemi me atë që na ofrohet dhe pse duam të dimë atë që ndodh dhe si ndodh realisht. Marrim dhe përcjellim të detyruar atë që ofron një grup njerëzish që nuk dihet më nëse e meritojnë votën tonë, as si zgjedhje e së keqes më të vogël dhe gjithnjë e më i fortë bëhet zëri në kor: KU PO SHKOJMË?