Prof. Dr. Myslim Pasha

Së fundmi qeveria ka marrë një vendim të veçantë, atë për “Për rialokimin e numrit të punonjësve dhe të fondeve buxhetore për vitin 2013, ndërmjet institutit të gjeografisë ushtarake dhe autoritetit shtetëror për informacionin gjeohapësinor”.

Një vendim tjetër përgjatë këtij muaji të kafshimit elektoral shqiptar.

Ngrihet sëpata dhe po kësisoj bëhet gati bisturia kirurgjike mbi një nga asetet më të mëdha informative të Shqipërisë sonë, Institutin Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë. Ku vallë u ka shkuar mendja këtyre shigjetarëve antikombëtarë që të gjejnë një hulli të errët të këtyre ditëve të fushatës dhe të mëkojnë gjasme një Autoritet Shtetëror për Menaxhimin e Informacionit Gjeohapësinor?

Kjo vepër antikombëtare, është projektuar si pjesë vijimi e shitjes së pasurisë kombëtare, por dhe shprishjen e e Institucioneve si IGJU, ashtu siç u shprish dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që bart për gati një shekull një nga pasuritë më të mëdha zhvillimore, atë të gjeoinformacionit dhe të portretit hartografik të Shqipërisë, të ndryshimeve që kanë ndodhur në kohë, të dokumenteve të shumtë pronësorë, të hartave të botimeve të ndryshme, që i kanë shërbyer projekteve zhvillimore të vendit.

Një arkiv aq i madh, dhe i pasur, një përvojë që nuk mund të zëvendësohet kaq kollaj, bashkësi specialistësh të fushave gjeodezike dhe hartografike që kanë lënë gjurmë të pashlyera.

Në ballafaqime teknologjike dhe të pasurive cilësore të hartave tona topografike, nuk mund të gjendet në Ballkan një pasuri e tillë cilësore, edhe pse vjen prej një kohe të izolimit tragjik të Shqipërisë.

Po ja që regjimi i Sali Berishës, e pati edhe një merak të fundit. Ai, me propozim të Imamit dhe Pollos, i vërsulet IGJU për ta sakatuar atë. Arben Imami ka qenë një nga ministrat më famëkeq, i cili do të mbahet mend se në një kohë oponence kombëtare të Paktit Detar me Greqinë, u ngrit turpshëm të mbronte atë Marrëveshje, duke organizuar lektoriume dhe konferenca për shtyp për të argumentuar dhurimin dhe shitjen e Detit. Në ato ditë të vështira për hartografinë shqiptare, drejtues politikë të këtij Instituti prej asaj pasurie të madhe nuk paraqitën dot një hartë hidrografike të vijës së ndarjes së detit midis të dy vendeve, se diktonte në këtë rast edhe një herë tradhtia kombëtare që e bëri Institutin të heshtë dhe të mos japë ekspertizën e tij.

Antikombëtarizmi godet në palcën informative të shtetit dhe atë ai po e bën me këtë kirurgji të re. Por… sa sharlatan është ky VKM dhe kjo firmë e Sali Berishës që fsheh një ndërhyrje kriminale të tillë nën numrin e njerëzve që i shkurtohen FA!

Ndërkaq më tej në VKM del një shifër financiare që lidhet me njerëz të shkurtuar, shumë e cila do t’i kalojë ASIG duke krijuar një tymnajë e paparëcaktueshmëri për atë se ku do të përdoren. Merret me mend se një shumë e tillë i duhet Pollos që po ikën për fushatën elektorale, të cilën e kanë nëpër këmbë e po kështu që të emërojnë në atë agjenci njerëz që do t’u duhen për llogaritë kriminale të zgjedhjeve.

Ky Institut nuk është i Sali Berishës. Ai i përket kombit shqiptar, se Gjeodezia dhe hartografia në atë vend hulumtues me vlera të larta e të pakrahasueshme nuk mund të shqelmohet në atë mënyrë. Lënie e tij me një numër simbolik njerëzish, është ajo rrugë që në gjashtë vjet të fundit Imami me politikën e tij të dështimit dhe krimit informativ ushtarak nuk krijoi dhe botoi asnje hartë të re.

Tani po e redukton atë një limit skandaloz, pa iu dridhur qerpiku, sepse harxhet i paguan populli shqiptar.

 Për reduktimin apo riformatimin e tij duhet të merrej një mendim i gjerë i specialistëve dhe pse jo dhe e Drejtimit Gjeohartografik në NATO, sepse s sipas mendimit tonë në këtë rast janë cenuar standardet gjeoinformative të NATO-s.

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=23901&kat=92