Halimi, Klosi…po ku janë durrsakët?

07/05/2013 - 12:46

Nga Bashkim Hoxha

Duhet t’i thotë dikush kryesuesit të listës së PD në Durrës, Eduart Halimit, se njeriu që ka takuar, kryetari i njërës prej shoqatave të të përndjekurve në Durrës, nuk quhet Agron Thama, siç e ka shkruar ai në facebook, por është një njeri shumë i nderuar dhe i njohur në komunitetin durrsak por edhe më gjerë, që quhet Agron Fama. Në të vërtetë, faji nuk është i Eduart Halimit, aktualisht ministër i drejtësisë dhe deputet. Ai banon në Tiranë dhe lidhja e tij me Durrësin është si kjo e tanishmja, kur kryesia e Partisë ka vendosur që ai të udhëheqë listën e deputetëve në qytetin e Durrësit. Në krye të listës së njërës prej partive kryesore është dikush që lidhjet me Durrësin i ka si me çdo qytet tjetër të Shqipërisë.

Po kështu, edhe në krye të listës së Partisë Socialiste është Blendi Klosi. Edhe ai lidhjet me Durrësin i ka të ngjashme, ashtu siç mund t’i kishte me çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Nuk e kemi dëgjuar të ngrejë problemet e shqetësimet e durrsakëve, madje edhe atëherë kur ngrinte zërin me mërmërimën e tij karakteristike për bllokimet e granteve të bashkive socialiste për llogari të CEZ, shembujt i merrte nga Fieri dhe Korça, edhe pse granti për bashkinë e Durrësit ishte njësoj i bllokuar. E pra, votat i kishte marrë nga Durrësi për në parlament.

Të dy partitë kryesore kanë zgjedhur të vënë në krye të fushatës emra që kanë lidhje me Durrësin, pak a shumë, po aq sa me çdo qytet tjetër. Koha ka treguar se ata i njohin jo fort mirë realitetet e njerëzve të cilëve u kërkojnë votën, nuk u dinë as emrat personave me ndikim në jetën qytetare. Madje nuk dinë as se ku shkojnë, pa le çfarë hallesh kanë njerëzit që takojnë. Akoma nuk ka kaluar jehona e situatës qesharake të një kandidateje të importuar në zgjedhjet e kaluara, që në takime ngatërronte edhe emrat e fshatrave ku zhvillonte takime që pretendonin të ishin takime “përzemërsie dhe përkushtimi”.

Tradicionalisht Durrësi ka qenë drejtuar më së shumti nga ata që populli i quan “durrsakë part-time”. Janë emra të spikatur si ai i dibranit Iliaz Reka, gjyshit të këshilltarit personal të Edi Ramës Endri Fuga, profesori i nderuar dhe i mençur shkodran Hamit Beqja, babai i të dytit në listën e Durrësit Ilir Beqja, përmetari më vonë i persekutuar Dashnor Mamaqi, gjyshi i Sokol Olldashit, korçari Mihallaq Ziçishti, babai i kandidatit Ylli Ziçishti, etj.

Durrsakët përgjithësisht janë përfaqësuar në nivele ngushtësisht lokale si Zeqir Duma, vëllai i gjyshit të Grida Dumës, apo në nivel komuniteti si gjyshi i Albana Vokshit në ShenVlash (si shumë bij, nipër e mbesa gjyshërish të familjeve të mëdha komuniste paska në politikë!). Në ndryshim me të parët, këta të dytët e kanë një avantazh. Me Durrësin janë disi të lidhur. Durrësin e kanë pjesë të kujtimeve të fëmijërisë apo rinisë, por a është kjo e mjaftueshme? Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe që të kandidohet nga shqiptarë në çdo qytet të Shqipërisë, por në se përfaqësimi është i përgjithshëm, votat kërkohen në nivel rajonal, pikërisht si një garanci se komunitetet përkatëse do të dëgjohen dhe do të jenë pjesë e vendimmarrjes përmes të përzgjedhurve të tyre, që duhet në një mënyrë apo tjetër të kenë lidhje me elektoratin.

Por në këtë rast pyetet, ku janë durrsakët? Të strukur në rreshtin e tretë apo më poshtë. Vërtet në gjirin e dy partive kryesore durrsakët nuk kanë vlera të tilla të spikatura sa të udhëheqin fushatat me njerëzit që ndajnë jetën e përbashkët? Mungesa e durrsakëve në krye të listave ngre shqetësimin se në Durrës, dy partitë kryesore nuk kanë bërë sa duhet për provimin e vlerave të këtij qyteti, ose këto vlera anashkalohen duke u lënë gjithmonë në hije. E pra, është qyteti i dytë i Shqipërisë, pas kryeqytetit.

Është e pamundur të besosh se te partitë kryesore vlerat intelektuale, militanteske brenda këtij qyteti mungojnë deri në atë shkallë sa të mos gjejnë përfaqësim. Është shqetësuese që mungon klima e promovimit të vlerave qytetare brenda për brenda degëve të partive përkatëse. Kjo ka ndikim jo vetëm në listat e ftohta zgjedhore, që nuk i krijojnë asnjë emocion dhe afeksion elektoratit durrsak, por edhe në jetën qytetare në përgjithësi. Kjo sjell situatën e trishtuar provinciale të një qyteti ku mungon debati, mungojnë spikatjet intelektuale, mungojnë vrullet e komunitetit që e kanë ngurtësuar në një kornizë mediokriteti, mungon jeta e denjë që meriton një qytet, sepse qyteti jeton me huazim kuadrosh. Dhe për këtë jetë mediokre, fajin e kanë edhe partitë në përzgjedhjet e tyre të përfaqësimit.

Megjithatë, listat janë ekskluzivitet i kryetarëve përkatës dhe humbja apo fitorja prej tyre shënon vetëm humbje apo fitore të ngushtë të kryetarëve apo dëshirave të militantëve. Prej kohësh qytetarët, nuk gjejnë ndonjë ndikim shumë të ndjeshëm në ndërrimet e posteve nga partitë respektive.

Por, kur partitë kryesore anashkalojnë durrsakët, ose i vënë në rreshtin e tretë, të katërt a më poshtë, në këtë rast qarri është i partive të ashtuquajtura të vogla. Duke mos kërkuar votat në përgjithësi, ato në krye të tyre kanë vendosur njerëz që Durrësin e njohin dhe i njeh, persona që njësohen me Durrësin, në sytë e elektoratit.

Kështu në krye të FRD është Gazmend Oketa, në LSI është Lefter Koka, në PR është Agron Duka. Personalitetet e tyre i thonë shumë komunitetit, dhe shërbejnë si ftesë për të votuar, më shumë se sa të importuarit e largët.

http://bulevardionline.com/halimi-klosi-po-ku-jane-durrsaket/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: