Nga Edison Ypi

A ka ndonjë lidhje mes Xhehnemit dhe Xhehnetit, zeros dhe infinitit, asgjësë dhe plotësisë, dhomës së gazit të Hitlerit dhe një korieje të blertë?

Po. Ka.

Është sfiduesi, improvizuesi, alternativi, eksperimentuesi, rrezikuesi, sakrifikuesi, i palodhuri, i pamposhturi Hervin Çuli.

 “Paçe me gazeta”, programi televiziv me komente gazetash gjatë ngrënies së Paçes, ky spontanitet i gjallë, ky fllad i freskët Lirie kundër konvencionalizmit asfiksues të të gjitha sajesave të tjera televizive, është thagma e fundit e Hervin Çulit.

Ka kohë që programet mëngjesore televizive me lexime gazetash dhe telefonata janë bërë të padurueshme. Turlilloj mileti; mitomanë, maniakë, spiunë, derdimenë, lëshojnë “Thirrje” dhe “Kushtrime” çdo mëngjes; Kryeministrit, “Trupit diplomatik akredituar në Tiranë”, “qeverive perëndimore” etj. etj. për bllokime ujërash të zeza, probleme me faturat e korrentit dhe të ujit. Janë bërë aq bajate dhe aq kot këto muhabete sa të rrish e t’i dëgjosh, pas pesë minutash mpihesh i tëri, të duket idiot edhe pse s’ke asnjë cen psikik, ndjehesh i sëmurë më zgjebe edhe pse nuk të vjen për t’u krruajtur asgjëkund, qorr edhe pse sy ke, shurdh edhe pse veshët i ke pipëz. Dhe jo vetëm programet mëngjesore. Bashkë me to edhe pothuaj të gjitha programet me biseda me të ftuar dhe interaktivitet janë njëlloj të gërrditshëm dhe të neveritshëm.

Me përjashtim të njërit.

Programit të Hervin Çulit. Brenda të cilit Hervin Çuli bërtet, Hervin Çuli klith, Hervin Çuli ulërin, Hervin Çuli përpëlitet, Hervin Çuli djersitet, Hervin Çuli lutet, Hervin Çuli qan, dhe duket sikur thotë; O budallenj; Mjaft me kopjime se na ngordhët, mjaft me imitime se na vdiqët, mjaft me servilizëm ndaj të huajve se na turpëruat, mjaft me klishe’ se s’është e denjë, mjaft me përsëritje se është gomarllëk, ejani në vete, bëhuni pak kreativë, lodheni mendjen, pak, fare pak, mos e mbani atë mendje vetëm te paret, se është turp për ju, është gjynah për ata që duke mos pasur të tjerë, duan-s’duan ju ndjekin vetëm ju, por pa dëshirë, pa qejf, duke parë të lodhur gjithçka që ju u sillni në ekran, duke mos u trokitur, madje duke ua shembur derën, drejt e në dhomë, drejt e në kuzhinë, pa pik’ lezeti, pa pik’ stili, çka dëmton ata, dhe ju, dhe të gjithë ne.

Është tepër e përhapur një modë në Shqipëri; personazhet televizivë nuk venë t’i japin ata televizorit, por televizori t’u japë atyre, nam dhe natyrisht pare.

Hervin Çuli është e kundërta e këtij realiteti pervers që, jo po e shkatërron, dhe as e ka shkatërruar, por nuk po e lejon të ndërtohet një media pak a shumë normale.

 “Paçe me gazeta” është produkti televiziv rebel më i shëndetshëm, para së cilit të gjitha përpjekjet e tjera, si ato ekzistueset dhe të rejat, janë kosha plehrash, janë llumra konformistë, janë gromësima, janë pështyma, janë vjellje, janë viroza, janë  helme vdekjeprurëse për shëndetin artistik dhe psikik të shqiptarëve.

Në kohën e kurvit po udhëtonim një herë me tren unë me një mik. Në ndënjësen përballë nesh ishin dy komunistë, dy lebër të moshuar të ngrysur me kasketa kineze. Njëri nga komunistët po lexonte një nga gazetat e kohës, sa më kujtohet, gazetën Bashkimi ku ka punuar Andrea Stefani. Miku im, një mjeshtër i vërtetë në shakapërdhimin e këtyre lloj serioziteteve, i tha atij që i përpirë lexonte gazetën,

-A ka noi gjo me të ‘*ime aty ?

Për këto lloj pyetjesh të rrasnin brenda. Por gjenialiteti i mikut tim pikërisht aty qëndronte. Ai e bëri atë pyetje në mënyrë të atillë, që komunistët u nxinë por nuk e zgjatën. Vështrim i tyre përçmues nga ndenjësja përballë sikur thoshte; ai që foli ishte një i çmendur. I çmendur  – i pa çmendur miku im ia arriti qëllimit për ta shkatërruar seriozitetin e këlyshëve të kurvit. Në fakt, prej atij episodi, mes meje dhe mikut tim, ka mbetur një problem; Miku thotë se këlyshi i kurvit e pëlqeu shakanë me të *ime. Unë them nuk e pëlqeu, se këlyshët e kurvit nuk e kanë atë ndjeshmëri. Lexuesi, si i squt që është, e gjen vet cili prej nesh ka të drejtë, prandaj të mos e zgjasim.

Ja pra, si ata këlyshë kurvi me ato poza serioziteti të shtirur janë shumica e atyre që bëjnë sot televizion. Dhe aq sfidues sa miku im në tren është i madhi Hervin Çuli.

Paçja mëngjesore e Hervin Çulit është i vetmi oaz antikonformomizmi të pastër në krejt Saharën mediatike shqiptare, plot me beduinë të etur që gjuajnë kokrrën e lekut si pikën e ujit, dhe deve gungaçe që presin të martohen përmes ekranit.

Hervin Çuli mund ta kishte pagëzuar programin e vet, ta zemë, “Sultiash me gazeta”, “Patëllxhanë me revista”, “Tavë kosi me blogje”, “Kim me pseudonime”, “Sallatë me tituj”. Por jo. Gjenia improvizuese e Hervin Çulit nuk bie në ato gracka. Napoleon Bonaparti kur e kishin degdisur në Elbë nuk hante patëllxhanë dhe sallata, por paçe koke viçi. E bënte këtë sepse koka, së cilës mund t’i hash çdo ditë nga një gjë të ndryshme, nuk të mërzitet kurrë. Prandaj Hervin Çulin e pagëzoi atë program “Paçe me gazeta”.

Po mjedisi, si është vallë mjedisi i Hervin Çulit ku hahet paçja dhe lexohet gazeta?

Nuk kam fjalë për një mrekulli të tillë. Është një gjë aq e vërtetë, aq autentike, aq e gjallë, sa unë i mësuari tashmë me gjëra të vdekura, nuk kam aftësi ta përshkruaj atë kioskë. Ku dera që kërcet duket sikur vajton. Ku, në sfondin e Hervinit, një grua e bëshme që ha paçe në një qoshe, duket si Monaliza. Ku çdo prekje luge mbi pjatën me paçe është një notë vagneriane. Ku çdo marrje dhe ngulje piruni është një uverturë e tërë. Ku çdo fjalë është një perlë. Ku çdo shaka bën një mijë dollarë. Ku një të shkelur syri s’e blen dot me pare as Bill Gates-i.

Paçellarët e Hervin Çulit? Miqtë e tij të hatashëm? Të lutem ata mos m’i nga. O Hervin Çuli t’shtifsha n’dhe’. Po ku i ke gjet ata yje njëri më flori se tjetri o burr’ i dheut ? Ore paçellarët e tu ma mërzitën Nino Manfredin po të them, ma gërrditën Udi Allenin, ma nxorën nga qejfi Antonio Banderasin, pas tyre s’du ta shof mo me sy Giovanni Minolin, s’bëhem mo merak për Carlo Mazarelën që rahmet pastë, për Daniele Piombin so tu m’ra mo në men, s’më duhet mo Lorenc Olivieri, Bad Spenseri është kot, Marcelo Mastroiani zero me xhufkë, ça po m’hyn n’punë Alberto Sordi, ta *ifsha Raul Bovën, ta *jefsha  Klint Istvudin me gjith’ Kevin Kostnerin.

Paçellarët e Hervin Çulit janë nga të paktët shqiptarë që “Hallatin 176″ nuk u duhet ta shkulin se nuk e kanë pasur kurrë brenda.

Një këshillë për ty Hervin dhe për ju paçellarë: kujdes nga producentët injorantë, se s’kuptojnë. Por më tepër kujdes nga producentët që kuptojnë pak, që janë më të rrezikshëm, se frikësohen mos po u bëni hije.

Vazhdo Hervin. Forca paçellarë.

Banakët e tyre janë hale, paçja juaj është mrekulli. Ju jeni të pastër, ata janë të pisët. Ju jeni plot dritë, ata janë të obskurë. Ju jeni të drejtë ata janë të kërrusur. Ju jeni të shëndetshëm, ata janë të sëmurë. Ju jeni të bukur, ata janë për ibret. Ju jeni të gjallë, ata janë të vdekur.

http://www.mapo.al/2013/03/22/hervin-friends/