Nga Gladiola Jorbus

Shumë njerëz pohojnë se asgjë nuk i shqetëson më shumë sesa hipokrizia. Ajo është pjesë e jetës sonë, por ndoshta jo të gjithë e dinë, që hipokritë quheshin aktorët në Greqinë e Lashtë. Në fakt ishin aktorët e dytë, ata që studionin dhe imitonin të parët (aktorët) për të simuluar mënyrat dhe gjestet, qëndrimet dhe argumentet.

Pra dhe personi hipokrit imiton, simulon, kopjon dikë tjetër, por vjen një moment kur dështon. Pse? Sepse ai nuk e njeh autenticitetin e qenies, ndonëse flet me lehtësi për të. Ai nuk e ka provuar atë udhëtim të brendshëm në të cilin njeriu rrugëton për t’u rritur e zhvilluar; hipokriti ka mbetur larg vetes, larg thelbit të tij, ai nuk ka arritur të shohë brendinë.

Kaq shumë është mësuar me gënjeshtrën e tij sa i është nënshtruar krejtësisht asaj. A ekziston vallë një çast i caktuar kur një rreze drite mund të përshkojë shpirtin e tij apo të pohojë para Zotit se është i dyzuar midis gënjeshtrës dhe fajit ?!

 Hipokrizia është cilësia e atij personi që pretendon se ka besime, opinione, virtyte, ideale, ndjenja, emocione që në realitet nuk i gëzon aspak. Kjo ndodh kur hipokriti përpiqet të mashtrojë të tjerët me gjithçka që nuk e zotëron.

Është e rëndësishme të dallosh hipokrizinë në konturimin e një personi të paaftë për të qenë i virtytshëm, i ndershëm dhe me integritet. Mbi të gjitha kjo kategori njerëzish ndien një ambicie e zili të paskrupullt, e cila përzihet me vlerat e miqësisë dhe të njerëzillëkut, duke risjellë në një vazhdimësi të pandërprerë imazhet hipokrite të Jagos së Shekspirit apo të Tartufit të Molierit.

 Hipokrizia është një nga sjelljet më të rrezikshme dhe të dëmshme të cilën mund ta hasim në jetën e përditshme; por çfarë do të thotë saktësisht termi "hipokrizi"? Cili është përkufizimi i tij?

 Fjala vjen nga greqishtja "ipocrisis" dhe do të thotë "simulim”, hypi (nën) + krinein (gjykoj). Në të vërtetë, hipokrizia ka të bëjë me temën e simulimit, të gënjeshtrës, vetëm se sot vendi i saj nuk është në teatër, por është vetë skena e jetës dhe e ekzistencës njerëzore.

 Hipokriti është në thelb një qenie e pasigurt dhe e bindur se nuk ka aftësitë e nevojshme për të mbajtur një marrëdhënie të barabartë me të tjerët; për këtë arsye ka qepur një maskë sociale për ta bërë veten të pranueshëm dhe për të mbizotëruar e për të marrë përparësi, derisa të arrijë ose të imponojë përfundimisht atë që dëshiron.

Megjithatë ashtu si gënjeshtarët, ata kanë shenjat e nevojshme për t’i dalluar. Për më tepër, gjuha e trupit rrëfen të vërtetën: hipokritët tentojnë t'i fshehin duart në xhepa, buzëqeshja e tyre nuk përfshin të gjithë muskujt e fytyrës, por vetëm ata të gojës, ndërsa sytë e tyre, edhe pse të lëvizshëm, rrallë ndeshin në sytë e bashkëbiseduesve.

 Hipokrizia ka qenë temë e spikatur e folklorit dhe e letërsisë popullore që në hapat e para të njerëzimit. Gjithnjë e më shumë, hipokrizia është bërë subjekt i parapëlqyer edhe për studime në fusha të ndryshme si: ekonomia, politika, religjioni, psikologjia kulturore, vendimmarrja, etika, psikologjia, sociologjia etj. Ka shembuj të pakufizuar të këtij lloji të sjelljes në historinë njerëzore dhe në shoqërinë e sotme. Në të gjithë botën, akti i hipokrizisë kritikohet e gjykohet; pavarësisht kësaj, ai gjen terren të praktikohet në vijimësi.

Gazetari amerikan Michael Gerson (ish drejtues i zyrës së fjalimeve të Presidentit Xhorxh Bush – i riu) thotë se hipokrizia politike është "përdorimi i vetëdijshëm i një maske për të mashtruar publikun dhe për të pasur përfitime politike". E thënë kjo nga një gazetar që ka hartuar fjalime politikanësh tingëllon e besueshme si drita e diellit. Dhe politika është mishërimi më real dhe më i plotë i kësaj dukurie të përbotshme që quhet hipokrizi.

 Në fakt, hipokrizia në përditshmëri është po aq e natyrshme për njerëzit sa dhe frymëmarrja. Prindërit këshillojnë e urdhërojnë fëmijët të sillen, ashtu siç ata vetë nuk janë sjellë ndonjëherë; klerikët predikojnë vlera që vetë ndoshta nuk i zotërojnë, mësuesit mundohen të servirin modele që s’i kanë ndjekur dot etj., apo siç e përkufizon hipokrizinë një proverb aziatik: “Teksa goja i lutet Budës, shpirti i falet djallit”.

Kështu që gjithmonë do të rrethohemi nga dyfytyrëshit të cilët nuk do të reshtin së qeni ambigë me të tjerët, por edhe me veten. Kjo ndotje shpirtërore e kakofoni sociale që buron nga zemra duhet të shërohet dhe secili ta pranojë veten për atë që është.

Hipokriti dëshiron medoemos të merret në konsideratë. Ai nuk kujdeset për vlerat e vërteta nëse ato nuk e çojnë drejt suksesit. Hipokriti nuk shqetësohet nëse ato që ai ndjek dhe përqafon janë vlera të rreme,  mjafton që atij t'i japin nderim dhe kënaqësi personale me të cilat të mburret.

 Sipas Biblës, hipokrizia nuk lindi midis qenieve njerëzore, por u shfaq përmes një krijesë shpirtërore të padukshme. Në agim të historisë njerëzore, Satanai përdori një gjarpër si maskim dhe duke pretenduar se kishte qëllime të mira mashtroi gruan e parë, Evën.

Që atëherë shumë qenie njerëzore kanë pretenduar se ishin ato që nuk qenë në të vërtetë, për të mashtruar të tjerët dhe për të realizuar synimet e tyre egoiste. Sa herë e humbasim besimin dhe entuziazmin, kur kuptojmë dhe përballemi haptazi me faktin se bota është e veshur me nepotizëm, urrejtje, falsitet, antagonizëm dhe xhelozi!

Aktualishthipokrizia është shndërruar në alter ego të veprimtarisë njerëzore dhe përqasja e saj ndaj brezave të rinj sa vjen e bëhet më e theksuar.

Me zhgënjim dhe dyshim mund të ngremë pyetjen, nëse hipokrizia do të zhduket ndonjëherë apo do të jetë bashkudhëtare e njeriut, për aq kohë sa Toka do të rrotullohet rreth Diellit?!