Nga Ardian Vehbiu

 

Dikur në vitet 1980, një francez që pat ardhur në Tiranë për të mësuar shqipen, e me të cilin më pas u bëmë dhe jemi sot e kësaj dite miq, më pat pyetur se cili ishte ai popull që admironim veçanërisht ne shqiptarët.

Pyetje që më zuri pak ngushtë, jo dhe aq për arsye ideologjike, sesa ngaqë nuk ia kisha bërë kurrë vetes në atë formë; në kuptimin që t’i përfytyroja ose, aq më keq, t’i përkufizoja shqiptarët nëpërmjet popullit që ata donin, admironin, adhuronin; ose nëpërmjet dashurisë.

Për të fituar kohë, e pyeta se ç’kishte parasysh pikërisht me këtë; më tha se ja, ne francezët i kemi shumë xhan polakët, gjë që unë s’e kisha ditur. Sot e kësaj dite nuk di nëse kjo ishte vërtet kështu, apo thjesht i dukej atij, apo ishte diçka që e tha sa për të sjellë një shembull; por fakti është se më bëri përshtypje të madhe që francezët, ky popull krenar dhe i lavdishëm, kishin zgjedhur të admironin polakët, një popull “përtej” perdes së hekurt. Dhe pastaj m’u kujtua Chopin-i, të cilin falë Zotit e njihja që atëherë, dhe i dhashë të drejtë.

U përtypa edhe ca dhe i thashë pastaj që ndoshta ne shqiptarët duam italianët; pa çka se nuk kisha parasysh ndonjë gjë më tepër se veten time dhe brezin tim në Tiranë, që ishim rritur të kolonizuar nga kultura italiane pop – muzika, televizioni, filmat, deri diku edhe letërsia.

Qeshi. Po italianët a nuk ju patën pushtuar? më tha; A nuk kanë vrarë dhe kanë djegur këtu? Vërtet, i thashë; por brezi im nuk i ka përjetuar direkt këto gjëra, dhe pastaj mes fqinjëve që kemi, kushedi Italia është treguar më e dhimbsur me ne; na ka pushtuar, vërtet, por nuk është përpjekur gjë të na dëbojë, as të na shpjegojë se këto troje janë të sajat, jo tonat.

Mitologji e kulluar, natyrisht; por një gjë duhet t’ia thosha; dhe kushedi edhe Selam Musai do të më kish dhënë të drejtë!

Atëherë unë mendoja vërtet se shumë shqiptarë e shihnin Italinë me dashuri, si portën që do të na çonte në Perëndim, ose në Tokën e premtuar. Sot, pas kaq kohësh dhe me gjithë përvojën jo tamam mahnitëse të qëndrimit tim shumëvjeçar në Itali, mendoj se shqiptarët duhej t’i kishin mbajtur sytë të kthyer nga Italia – dhe se brezi im i atëhershëm i paskësh bërë zgjedhjet e veta me shumë urtësi, edhe pse nën ndikimin e afërsisë së rastësishme (apo jo dhe aq të rastësishme?) gjeografike dhe radiovalore.

Fakti është se sot Italia shqiptarëve u është larguar sa s’ka, duke zënë vend diku afër Irlandës ose Danimarkës. Ajo shtresë e hollë dhe entuziaste e popullsisë bregdetare që u rrit me Italinë në mendje dhe në zemër, u largua prej Shqipërie sapo iu dha kjo mundësi, ose më mirë e humbi masën kritike për shkak të emigrimit; dhe atë tashmë e gjen vetëm në Facebook, kur mund ta gjesh dhe kur nuk ka humbur gjëkundi në Kanada ose në Minnesota.

Për të tjerët, ose ata që pothuajse nuk i shihnim të ekzistonin, por që tani rezulton se ekzistokëshin shqiptarisht më shumë e më mirë se ne, Italia nuk ka pasur kurrfarë domethënieje të posaçme; në Kosovë, bie fjala, Zvicra është ku e ku më e rëndësishme se Italia; pa folur pastaj për Gjermaninë dhe Serbinë vetë. Ndërkohë, në Jug, Greqisë sa vjen e i shtrihet hija, pa çka se pritet me sevda të përzier me urrejtje. Italianët s’i gjen gjëkundi në këto ekuacione, me përjashtim kushedi të ca bizneseve që tashmë kanë zënë vend në ultësirën perëndimore pa shumë bujë; dhe të ca të tjerëve, mafiozë ose jo, që e trajtojnë Shqipërinë si të ishte rezervat gjahu.

Po për dashuri nuk flet dot. Të bësh sot një anketë me shqiptarët për popullin më të admiruar, me siguri do të gjesh në vendet e para amerikanët dhe pastaj gjermanët; dhe këtë përgjigje do ta marrësh nga të gjitha shtresat dhe profilet, pa dallim klase, feje dhe krahine.

Kur dëgjoj bashkatdhetarët e mi t’i bien gjoksit për “Amerikën”, gjithnjë më kujtohet ajo që më pat thënë miku frëng këtu e 30 vjet të shkuara, për dashurinë e francezëve për polakët. Ajo dashuri me siguri nuk i shtynte as detyronte gjë francezët të frynin gjoksin e të mburreshin, as t’i nxirrnin sytë shoku-shokut me akuza për “anti-polakizëm”, as ta trajtonin ambasadorin polak si legatin e Zotit mbi dhé; por më shumë u nxiste kërshërinë për kulturën dhe historinë polake, shkrimtarët dhe kompozitorët, filmin polak; për katolicizmin polak, sindikatën Solidarnost; qëndresën e polakëve ndaj sovjetikëve dhe sovjetizimit, e kushedi edhe arkitekturën e Varshavës ose të Poznanit.

E krahasoj pastaj me këtë tonën, kaq shumë të shprehur e të nënshkruar, për amerikanët e deri-diku edhe për gjermanët. I kam qëmtuar gjetiu arsyet e filo-amerikanizmit tonë, nuk po dua t’u kthehem, përveçse për të shtuar se, po ta gërvishtësh pak mendjen e atij që të përbetohet për Amerikën, do të gjesh bindjen e çuditshme se Amerika “na do ne shqiptarëve”, na privilegjion ndaj të tjerëve, duke na trajtuar si të nënës, ndërsa ata të tjerët si të njerkës; çfarë e tregon, bie fjala, edhe ndërhyrja e paradokohshme në krahun “tonë”, për të dëbuar dhunën serbe nga Kosova.

Ca të tjerë, pastaj, që hiqen si më të rafinuar dhe të përmendin Gjermaninë, janë gati të shtyhen më thellë e të trazojnë deri edhe Hitlerin vetë, që i paska futur shqiptarët në një qerthull me arianët, ose me “nordikët”; duke na ndarë veç nga tufa e të egërve dhe duke na dhënë, edhe ai, privilegjet etnike përkatëse; ose “venomet”, fundja si vetë sulltani qëmoti, ose patriarku i domosdoshëm dhe i përhershëm, edhe pse shpesh në dukje mungues, i kolektivitetit tonë kombëtar.

Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, ajo që prezantohet si dashuri ose admirim për popullin tjetër, del se nuk ishte veçse konstatim megaloman se ai tjetri të do, të ka në mendje, të ndan veç e të trajton me pekule; nuk është, pra, dashuri, sesa perceptim – deluzional dhe egocentrik – i dashurisë së tjetrit; me fjalë të tjera, pamundësi për të dashur dikë pa kushte.

Në Panairin e fundit të Librit, disa prej ambasadave në Tiranë kishin hapur stenda të posaçme, ku propagandonin kulturën e tyre; mbaj mend që më pëlqeu ajo e Spanjës, ku vizitorëve u dhuronin një libër (dygjuhësh) kushtuar marrëdhënieve të Skënderbeut me aragonezët dhe eksperiencave paralele të arbëreshëve dhe sefardive të Spanjës; por edhe shtete të tjera të Europës kishin gjëra me të vyera dhe dinjitoze.

Binte në sy për keq, çka më preku personalisht, stenda e amerikanëve, ku ishin rreshtuar disa flamurë kombëtarë dhe ku ftoheshin të rinjtë të plotësonin aplikime për universitete amerikane; në një atmosferë të zbërdhulur që të sillte ndërmend zyrën e rekrutimit ushtarak, mu në zemër të Times Square, në Manhattan.

Dhe m’u kujtua tani Panairi, ngaqë në një panair libri e sheh edhe cilën kulturë ta kërkon më shumë lexuesi yt – shkrimtarët italianë e francezë, apo amerikanët dhe gjermanët, apo hebrenjtë dhe rusët?

Nuk e kam fjalën këtu, natyrisht, për best-sellerët e tipit Fifty Shades of Grey, të cilët me përkufizim nuk i përkasin kulturës, por fast food-it kulturor, njëlloj si filmat me heronj stripash komikë ose Rihanna; por përfaqësues kulturorë të mirëfilltë, sepse Amerika ku jetoj unë ka edhe Don DeLillo, edhe Tom Wolfe, edhe Joyce Carol Oates, edhe Thomas Pynchon, edhe J.D. Salinger, edhe Chuck Palahniuk, edhe Philip Roth; dhe një popull që lektiset pas Amerikës, sikur paraqitemi ne, duhej të kish treguar sadopak interes për këta autorë; pa folur pastaj për klasikët, si Faulkner, Steinbeck e të tjerë; ose qoftë edhe një Raymond Chandler, një Philip K. Dick a një Scott Fitzgerald.

Ironikisht, asnjë nga këta nuk besoj se ka ngjallur qoftë edhe një fraksion të interesit artistik, intelektual dhe thjesht njerëzor që ka pasur dikur mes shqiptarëve për Hemingway-n, Mark Twain-in madje edhe Theodor Dreiser-in!

Fatit të Amerikës kulturore s’i ka shpëtuar as Gjermania; me gjithë përkthimet prej Trakl-it dhe Rilke-s, dhe të tjera bëma e arritje të admirueshme, nga ana e pak të palodhurve elitarë të gjermanishtes. I ndjeri A. Klosi pat bërë një punë të përbindshme për t’ia sjellë lexuesit shijen e kulturës gjermane, punë që arriti ta kurorëzojë me përkthimin që ua bëri tregimeve të Kafkës; pa çka se, si për Amerikën, produkti kulturor më i çmuar i Gjermanisë, për më të shumtën e publikut, mbeten Benz-i dhe BMW-ja, ose perceptimi, gati visheral, i testosteronit ekonomik që rrezatojnë gjermanët; për të mos folur për turpin e përkthimit të Mein Kampf-it dhe sidomos të suksesit në shitjet të atij libri.

Gjithnjë në Panairin e vjetshëm të Librit, pata fatin e mirë të takoj një shkrimtar italian, Alessandro Leogrande, të cilit Dudaj i kishte botuar një libër hetimor për katastrofën e Katrit të Radës, në 1997. Kaluam ca kohë bashkë, folëm për Italinë dhe Shqipërinë, për Italinë që ekziston (nuk ekziston më) në Shqipëri dhe për Shqipërinë e mirë që është duke u përftuar në Itali – një temë që na bashkonte më shumë se ç’kishim kujtuar, aq më tepër që unë e kisha ndjekur dikur nga afër rolin e mediave italiane në përftimin e figurës mitike të “shqiptarit” në vetëdijen kolektive të publikut italian. Leogrande, i cili interesohet seriozisht për fqinjët përtej Adriatikut, ndjek edhe fatet e artistëve shqiptarë në Itali: diku një piktor, diku një poet, diku një instrumentist, diku një këngëtar lirik; tashmë shkrimtare si Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi kanë bërë emër në publikun e atjeshëm, dhe jo thjesht si përfaqësuese të një kulture “minore” dhe Roland Sejko sapo fitoi një çmim prestigjioz David di Donatello me filmin e vet dokumentar “Anija”; pa folur pastaj për artistë vizualë si Sisley Xhafa dhe Adrian Paci që krijojnë brenda hapësirës kulturore të atjeshme dhe po atje vlerësohen e kanë bërë emër; e më në fund edhe, pse jo, Elhaida Danin; në një kohë që përpjekjet për ta mbajtur të qarkullueshëm kanalin me kulturën italiane në Tiranë gjithashtu nuk kanë munguar, siç ma provon edhe vetë Leogrande; por edhe Saviano, gjithnjë i botuar nga Dudaj.

E megjithatë, përshtypja që më jep kultura shqiptare e tanishme, në të gjitha nivelet, është ajo e një populli që, i çliruar më në fund nga izolimi njerëzor dhe ideologjik, ka zgjedhur t’i lëpijë plagët e veta në izolim kulturor; dhe ka ecur së prapthi, duke iu qasur sërish pozicionit mendor të fëmijës, i cili rregullisht ngatërron dashurinë e të tjerëve për të, me dashurinë e tij për të tjerët.

Të ketë qenë vallë thjesht sublimim ajo përleshje e djeshme te biletaria e kinemasë, për të parë një film noir francez ose italian; ose ajo përleshja tjetër, për të blerë romanin e përkthyer së fundi të Hugo-it a të Stendhal-it; apo, më në fund, thyerja e xhamave në Teatrin e Operës dhe të Baletit, me rastin e një koncerti të një pianisti suedez? Apo reduktimi i tanishëm i hartës së Europës e të botës mbarë, për shqiptarin standard, në një tabelë ku shënohen bankat, valutat, Dubai, kazinotë, skuadrat e futbollit dhe organizatat e basteve ka ardhur si pasojë e de-sublimimit total, ose e çshpirtëzimit të shqiptarit?

Nga njëra anë, të bën përshtypje që qytetari në Tiranë as që e kthen më kokën, kur i kalon pranë një i huaj; nuk ia ndien më parfumin; nuk ia dëgjon gjuhën; nuk ia vëren veshjen edhe kur të pazakonshme; nuk ia nxjerr gjuhën prapa kurrizit. Ama, nëse kjo vjen ngaqë i huaji tani është bëri yni, apo ngaqë tani edhe yni është bërë i huaj, këtë nuk e ftillon dot lehtë. Televizionit të huaj ia kanë zënë vendin kanalet vendëse, të cilët përcjellin, në masë të madhe, debate disa-orëshe në studio për çështje të politikës, programe me këngë të viteve 1970, telenovela dhe reality shows, kur nuk transmetojnë lajme nga vendi nonstop ose filma të dikurshëm të Kinostudios; vetë filmi dhe eksperienca e kinemasë tashmë shijohen vetëm nga një elitë, sikurse e tregon edhe numri dramatikisht i vogël i kinemave që kanë mbijetuar; seksioni i librit të huaj, në libraritë kryesore të Tiranës, i ngjan një kioske në një aeroport europian çfarëdo; teatri, baleti, opera, muzika simfonike – të gjitha këto mbahen në këmbë, siç mbahet gjallë lulja e egër që ka mbirë, pa e kuptuar as vetë si dhe pse, në anë të Autobahn-it.

Rrethanat janë të tilla, pra, që vetë pyetja se cilin popull admirojnë shqiptarët nuk ka më kuptim; sepse shqiptarët tashmë po jetojnë në qendër të botës, ose pikërisht aty ku e pat ngulur dikur bastunin Nastradini.

 

http://xhaxhai.wordpress.com/2013/08/07/i-duam-na-duan/#more-13272