Nga Fatos Tarifa

Rrallë, shumë rrallë kam ndjekur në TV ndonjë seancë diskutimesh në Parlamentin shqiptar. Përvojat e së shkuarës dhe niveli i përfaqësimit dhe i diskutimeve në atë sallë më kanë bërë prej kohësh skeptik, edhe pse jo apolitik. Sidoqoftë, seancën e parmbrëmshme e ndoqa, pasi një miku im më rekomandoi të shihja farsën që luhej në të. Tashmë është e qartë për këdo që ka dy para mend në kokë (edhe nëse nuk i njeh Weber-in apo Hannah Arendt-in), se ky Parlament dhe qeveria e dalë prej tij (dhe që mbahet në këmbë prej tij) e kanë humbur krejtësisht edhe atë legjitimitet që mund të kenë pasur kur u formuan katër vjet më parë. Parmbrëmë u provua edhe një herë—për të disatën herë—se rendi demokratik në Shqipëri nuk është vetëm i brishtë, por edhe i dyshimtë. Jo në letër, sepse Kushtetuta dhe ligjet tona janë demokratike. Por në praktikë. Në procedurë. Në realitet.

Shumica-pakicë dhe tirania e saj

Përvoja historike na mëson se as zgjedhjet e lira dhe as prania e një sistemi parlamentar nuk përbëjnë garanci se një shoqëri do të zhvillohet domosdo në mënyrë demokratike. James Madison, presidenti i katërt i Shteteve të Bashkuara, shprehte vazhdimisht shqetësim për rrezikun që sjell “tirania e mazhorancës” (tyranny of majority), ndërsa Thomas Jefferson fliste shpesh për rreziqet e “despotizmit të zgjedhur” (elective despotism), duke theksuar se “njëqind e shtatëdhjetë e tre despotë mund të jenë pa dyshim po aq shtypës sa edhe një i vetëm”. Parmbrëmë, në Parlamentin shqiptar, u provua përfundimisht se tirania politike mund të vijë edhe nga një mazhorancë që s’është shumicë. Nga një mazhorancë që nuk ka pëlqimin dhe votat e shumicës së popullsisë, por që vendos dhe sundon sikur të ishte e vetmja forcë politike që shpreh interesat e kombit.

Zonja Jo

Kryetari i një parlamenti është kudo një personalitet i shquar i politikës në vendin e tij dhe, përgjithësisht, një njeri me integritet. Nga sjellja e saj/e tij varet shumë fryma e bashkëpunimit, dhe e dialogut (apo mungesa e saj) dhe respektimi (ose shkelja) e rregullave procedurale aq të domosdoshme për funksionimin e një demokracie parlamentare. Ajo që pashë dhe dëgjova parmbrëmë nga kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë ishte e kundërta e asaj çka pritet nga Numri Dy i shtetit. “Zonja e hekurt”, siç do të kishte dashur të quhej ajo, s’ishte veçse—përsëri—një megafon që prodhon sharje dhe fyerje për kundërshtarët e saj “horra”. Kjo zonjë, e cila “e ndriti” me “diplomacinë parlamentare” që ka bërë këto tetë vitet e fundit, duke mos lënë asnjë skaj të globit pa shkelur dhe asnjë qindarkë të taksapaguesve shqiptarë pa shpenzuar për sozhurnet e saj, nuk ka as më të voglën aftësi të bëjë “diplomaci” (të arrijë konsensus me opozitën) në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, për të drejtuar një seancë diskutimesh dhe për të ruajtur drejtpeshimin e një balance politike që nuk përcaktohet më nga numri i kartonëve jeshilë ose të kuq, por nga realitetet e ndryshuara në jetën politike të vendit, në pëlqimet dhe në sjelljen e elektoratit.

Kryeministri

Një fytyrë e lodhur, e mërzitur, pa jetë, u ul në fronin e Kryeministrit në përfundim të asaj seance parlamentare. Pa gjallërinë dhe dinamizmin e tij të zakonshëm (madje të jashtëzakonshëm) për moshën e tij. Ai nuk tha asgjë, ndërkohë që kishte dëgjuar shumë. Dhe ndërkohë që është i sigurt se, pavarësisht votave që përsëri do i kishte në atë seancë parlamentare për të korrur “fitoren” e radhës, ai e ka humbur betejën demokratike me popullin e tij.

Një fytyrë, një fatkeqësi

Nuk më hiqen nga mendja fjalët e një studenti 20-vjeçar, i cili pak kohë më parë tha: “E para fytyrë që kam parë në TV kur isha foshnje dhe hapa për herë të parë sytë përpara ekranit ishte ajo z. Sali Berisha, në atë kohë presidenti i vendit; fytyra që shoh edhe sot e kësaj dite në ekran përpara se të mbyll sytë dhe të bie të fle, është po ajo, e kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha. Vallë, e njëjta gjë ndodh edhe me moshatarët e mi hungarezë, polakë, bullgarë, çekë, estonezë?”. Pyetje kuptimplotë. Drithëruese. Përgjigjja që ajo meriton mund të ishte, pak a shumë, kjo: Nuk ndodh kështu me asnjë nga moshatarët e tu në vendet e tjera që dolën nga një sistem komunist si i yni. Hungarezët i kanë “harruar” presidentët Göncz, Sólyom, Schmitt etj., dhe kryeministrat Boross, Horn, Medgyessy, Gyurcsány e të tjerë që kanë drejtuar vendin e tyre në këtë çerekshekulli postkomunist. Bullgarët nuk e dinë se ç’bëhen ose ç’bëjnë ish-presidentët e tyre Zhelev, Stoyanov, Parvanov, apo ish-kryeministrat Popov, Dimitrov, Videnov, Kostov, Simeon, Stanishev etj. As të rinjtë çekë, polakë, rumunë, estonezë apo sllovenë nuk shohin më ditë e natë në televizionet e vendeve të tyre fytyra politikanësh çerekshekullorë. Është fatkeqësi për një demokraci të re, si kjo e jona, dhe për më shumë se një të tretën e popullsisë së këtij vendi, që është nën moshën 20 vjeç, që drejtohen nga njerëz të rrënjosur në politikë për një kohë më të gjatë se jeta e tyre dhe që s’kanë ndërmend të shkulen prej saj me vullnetin e tyre. Në Bjellorusi, të rinjtë 19-vjeçarë nuk kanë njohur president tjetër të republikës së tyre veç Aleksandër Lukashenkos. Të rinjtë 14-vjeçarë në Rusi nuk njohin tjetër lider në vendin e tyre veç Vladimir Putinit, të cilin do e kenë në krye të shtetit të tyre edhe për 5 ose 11 vjet të tjera.

Parti-individë dhe individë-parti

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për liderët e partive politike. Përveç Partisë Socialiste, e cila pas 15 vjetësh, u divorcua nga udhëheqësi i saj “historik”, partitë e tjera drejtohen ende nga të njëjtët individë që i krijuan ato më shumë se 20 vjet më parë. Partitë më të reja, gjithashtu. Kjo simbiozë e gjatë ka bërë që partitë politike të pushojnë së qeni organizma të gjallë dhe mekanizma të një sistemi politik demokratik; ato janë shndërruar në parti-individë të tipit leninist, siç edhe pohoi pak kohë më parë zonja Jo, kur tha se nuk ka Parti Demokratike pa Sali Berishën, apo se Berisha është Partia Demokratike. Shumëkujt ato ditë këto fjalë të kryetares së Parlamentit të Shqipërisë i kujtuan poezinë e Majakovskit: “Kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini; kur themi Lenini, nënkuptojmë Partia”. Nëse kjo frymë leniniste vazhdon edhe më tej, në Shqipëri nuk do të kemi demokraci të vërtetë. Demokracia si sistem politik nis nga demokracia në partitë politike. Nuk mund të ketë rotacion në shtet, nëse nuk ka rotacion në partitë që e drejtojnë shtetin, ose që synojnë drejtimin e tij. Nëse PR-ja është Fatmir Mediu dhe ky i fundit është PR-ja, Partia Republikane nuk ekziston. Nëse PSD-ja është Gjinushi dhe ky i fundit është partia e tij, Partia Social-Demokrate nuk ekziston. Nëse PDS-ja është Milo dhe ky i fundit është partia e tij, edhe kjo parti nuk ekziston. Nëse PS-ja e Vërtetë drejtohet nga vetëm një njeri, ajo, gjithashtu, s’është veçse një individ-parti, një parti-individ, ose një parti “fantazmë”.

Hamzakastriotizmi në politikën shqiptare

Seanca e pardjeshme në Parlamentin e Shqipërisë mund t’u shërbejë shumë njerëzve që shkruajnë dhe moralizojnë për lidhjet, apo për mungesën e lidhjeve mes moralit dhe politikës. Makiaveli dhe makiavelizmi janë të parat fjalë dhe argumente në gojën e atyre, për të cilët politika nuk ka moral. Në fakt, do të ishte gabim ta konsideronim imoralitetin në politikën shqiptare si makiavelizëm. Duke marrë shkas nga zhvillimet e këtyre dy vjetëve të fundit, unë propozoj ta quaj atë hamzakastriotizëm. Sepse, pavarësisht konteksteve shumë të ndryshme historike dhe politike, ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme midis tradhtisë së Hamza Kastriotit dhe sjelljes politike të Kastriot Islamit. E patë këtë të fundit kur, i rreshtuar si një shërbëtor kokulur i partisë në pushtet dhe i përunjur për një vend në listën e deputetëve të saj (ose i shitur për çdo çmim) mori fjalën në fund të asaj seance parlamentare. E dëgjuat ç’broçkulla u tha ky njeri “me formim perëndimor” qytetarëve shqiptarë? A më thoni dot se ç’përfaqëson ai në Parlamentin e Shqipërisë? Cilën parti politike? Cilin grup shoqëror? Ç’pjesë të elektoratit shqiptar? A ka njeri të më thotë nëse për një politikan si ai do të votonte sot qoftë edhe një shqiptar i vetëm, nëse zgjedhjet parlamentare te ne do të organizoheshin dhe do të zhvilloheshin në një mënyrë vërtet demokratike?

Më në fund…

T’i lëmë të gjitha të tjerat. Por një gjë mund ta bëjmë. Të gjejmë vullnetin për ta ndryshuar një herë e mirë sistemin tonë elektoral. T’ia kursejmë popullit të ardhurat nga taksat e tij për të ndërtuar më shumë rrugë, më shumë shkolla e spitale, për kushte më të mira pune e jetese. Le të kemi më pak deputetë në Parlamentin tonë. Më pak është më shumë dhe më mirë. 100 mjaftojnë. Dhe le t’i zgjedhë ata vetë populli, drejtpërsëdrejti, me votën e tij të lirë, në një sistem të pastër mazhoritar. Le ta vëmë pragun 4 ose 5 për qind dhe le t’u japim mundësi partive politike kryesore për një garë të ndershme. Në këtë mënyrë, në Parlamentin e Shqipërisë nuk do të uleshin më individë të panjohur dhe të padëshiruar nga populli, që zgjidhen nga dy ose tre kryetarë partish, por ata individë që populli i njeh, i beson dhe i do, si kur ata i përkasin partisë më të madhe që merr mandatin të drejtojë vendin, ashtu edhe kur janë të partive opozitare. Duke pasur mandatin e drejtpërdrejtë të popullit, deputetë të tillë nuk do të ishin më servilë dhe frikacakë që fshihen pas hijes së kryetarit të partisë, as kameleonë politikë. Ata do të ishin vetvetja, do të flisnin me zërin e popullit që i zgjedh, do të mbronin interesat e tij dhe do të jepnin llogari përpara tij. Vetë parlamenti i zgjedhur në këtë mënyrë, si edhe qeveria e dalë prej tij, do të gëzonin më shumë legjitimitet.

http://www.mapo.al/2013/04/17/ilegjitim/