Indoktrinimi “demokratik”

07/05/2013 - 16:02

Nga Kiço Blushi

A ka edhe sot, në shoqërinë tonë të ashtuquajtur demokratike, njëlloj si në diktaturë, trushpëlarë, trushkulur, trutharë, mendjetredhur, d.m.th. njerëz të indoktrinuar deri në atë masë sa jo vetëm të mos arsyetojnë mëvetësisht, por edhe të mos jenë në gjendje të veprojnë në dobi të interesit vetjak  afatgjatë, (se të atij kombëtar jo se jo!), për shkak të manipulimit që u ka bërë politika e ditës, mediet dhe sidomos idhujt e përkatës partiakë? Mjafton të ndjekësh debatet televizive, sallat ku ulen e flasin “gju më gju” liderët (“O Sali, t’u bëfsha ferrë!”...) dhe  rrjetet sociale në internet për të marrë një përgjigje shteruese për merakun e mësipërm.

Do të ishte naivitet të thuhej: Jo, të tillë, në demokracinë e: “O sa mir’ me ken’ shqiptar!”, nuk mund të ketë. Liria nuk na e solli si dhuratë këtë “shqisë” të mëveçme për të gjykuar, pasi të tillët, ata që mendojnë e veprojnë sipas orekseve të  kryetarit të partisë, (disa duke imituar edhe gjestet e tij) me sa duket, edhe sot e kësaj dite nuk janë as të paktë dhe as pa ndikim. Nëse në diktaturë, nëpërmjet “dhunës së proletariatit” të gjithë detyroheshin t’i nënshtroheshin indoktrinimit, me apo pa dashje, nëpërmjet formave të edukimit dhe leximit kolektiv e të detyruar të veprave të udhëheqësit, sot quhemi të lirë, që do të thotë se kemi të drejtë, së paku ligjërisht, të refuzojmë indoktrinimin, shpëlarjen e truve, manipulimin...

Jo, nuk e ka fajin globalizmi, as trysnia e papërballueshme botës elektronike, aq më pak demokracia si sistem, ende i paperfeksionuar. Manipulimi, trushpëlarja në shoqërinë tonë ka të tjera tipare e synime nga ato të botës perëndimore, ngaqë këtë “mision” ndër ne e kanë privatizuar krerët partiakë në dobi të vetes, por jo të shoqërisë, madje as të partisë përkatëse. Po deri në ç’shkallë është i indoktrinuar qytetari i sotëm? Si është cilësia e ushqimit mediatik e partiak që na hidhet përditë e përnatë “në grazhd”? A ka shoqëria e sotme filtra dhe mekanizma të tillë që mund ta mbrojnë nga ushqimet propagandistike të skaduara, nga infeksionet morale që shkaktojnë pandemi te turmat, nga gënjeshtrat, demagogjia dhe mashtrimet? A kemi imunitet të mjaftueshëm ne qytetarët e zakontë ndaj propagandës dhe sfilatave dalëboje e tinzare që na yshtin të besojmë se përsëri po zëmë vende të para në botë për mirëqenie? Si mund t’i shpëtohet kësaj trysnie mediatike që kërkon të na mbajë peng, me votat tona “të lira dhe demokratike”, te reklamat, te vitrinat, te të njëjtët krerë partiakë, edhe pse na kanë çuar nga dështimi në dështim? Sa janë ata qytetarë që e gëlltisin dhe e hanë këtë lloj “fushate” pa e përtypur, si patat kineze?

Dyshoj se “strategët” e manipulimit (sigurisht jo vetëm politik, por edhe atij “artistik”) janë të prirur të besojnë se shumica e popullit, - atij që “vendos” për t’u dhënë pushtetin dhe përfitime - nuk ka aftësi të mjaftueshme për të gjykuar mëvetësisht, ndaj duhet indoktrinuar me çdo mjet e mënyrë. Prandaj bombardimi i trurit të popullit kryhet jo vetëm me spektakle luksoze, marramendëse, “hollivudiane”, por edhe me fjalime të pasosura të udhëheqësve, me akuza dhe shpifje të ndërsjella, me mësymje të një grushti analistësh “profesionistë”, të varur e të pavarur, të rekrutuar e të indoktrinuar, të cilët janë punësuar në këtë lavazh masiv të trurit.

Të gjithë flasin e molloisin nga lart, duke e trajtuar mendësinë e votuesit/shikuesit si një enë bosh të cilën, po nuk e mbushe ti, do ta mbushë tjetri... Me politesë, kjo bindje (që qytetarët nuk janë në gjendje të gjykojnë vetë, si qenie njerëzore) ilustrohet në mënyrë “përkëdhelëse”, me atë shprehjen aq të përsëritur vitet e fundit se: “Ne, si popull nuk kemi kulturë dhe tradita demokratike të mjaftueshme”, ndaj e kemi hak edukimin, d.m.th. shpëlarjen e truve! Por nëse kjo është e vërtetë, atëherë përse bëhen fushatat, përse ngjiren krerët, përse harxhohen gjithë ato fonde, përse intensiteti i demagogjisë dhe i dashurisë së pakufishme për votuesin (“Ju jini të parët!”) arrin kulmin? Sepse gjithsekush nga “producentët” dhe krerët e politikës kanë të njëjtën frikë: se mos “enën” bosh të trurit popullor e mbush “armiku” i partisë dhe i kreut të saj.  

***

Në qendër të vëmendjes të shpëlarjes së truve afërmendsh nuk janë të pavendosurit, qytetarët që e peshojnë votën, atyre që për shkak të rritjes së mosbesimit dhe dyshimit nuk do të shkojnë në votim, por asish mileti që shkon e voton pro edhe sikur partia (kryetari) të vërë në listë një qen... Analfabetët, provincialët dhe injorantët janë mish për top jo vetëm për “pullat e kuqe” dhe për spektaklet e tipit “Big Brother, por edhe për politikën. Sepse të njëjtën trushpëlarje, edhe më agresive, e bëjnë krerët e politikës. Mjafton të dëgjosh Berishën si ulurin, prej 22 vitesh, nëpër sheshe dhe podiume, për t’u bindur se ai nuk u drejtohet qytetarëve të barabartë, që kanë sy e vesh e tru, për të bashkëbiseduar dhe për të dhënë llogari ndaj tyre, por për të ndikuar tek ata, te “kafshët politike”, sa më emocionalisht, me tinguj, me klithma, me shenja, me yshtje... Atyre që janë “kundër nesh” nuk e ndjen të nevojshme t’u drejtohet për t’i bindur, as për t’i bërë për vete, përkundrazi, i egërson e i pakënaq edhe më tepër, pasi e di që kësisoj do të motivohen më shumë trushkulurit e vet...

“Unë ju garantoj, unë ju siguroj!”, - kaq mjafton të dëgjohet, sipas tij, në pyllin e trushkulurve... Ata që e duartrokasin pa e dëgjuar e pa e kuptuar quhen baza, themeli i paluajtshëm, “qëndrestarët”, skllevërit modernë të gatshëm të vetëvarrosen për së gjalli bashkë me faraonin e cofur... Për këta duhet rritur doza e indoktrinimit. Gjahtarët thonë se zagarët, një natë para gjuetisë, (para fushatës) nuk duhen ngopur me ushqim, por duhen lënë të uritur. Edhe në propagandë zbatohet i njëjti parim. Lehqenët e manipulimit dhe të indoktrinimit “demokratik” lihen të pasigurtë dhe sa më të uritur për poste, për pasurim, për karrierë, për imunitet, për futje në listë, duke i mbajtur nën frikën e  hapjes së dosjeve të vjetra, ose të reja... Ja pra përse u la deri minutën e fundit shpallja e listave të deputetëve...

***

Në Shqipëri asnjëherë fushatat zgjedhore nuk u janë drejtuar njerëzve me integritet, “zonës gri”, atyre qytetarëve që e vlerësojnë votën, si pushtet, që dinë të gjykojnë e të peshojnë alternativat. Nuk janë këta që e përcaktojnë fituesin; fituesin e përcakton ose manipulimi i drejtpërdrejtë, ose pazaret e “koalicioneve” paszgjedhore. Deputetët dhe grupet e intelektualëve që shiten e blihen nuk është e nevojshme të manipulohen paraprakisht, por si e si të hyjnë në tregun politik... Nuk është bindja që i drejton ata, është vetëm përfitimi vetjak. Këta nuk janë pjesë e fushatës, por janë “morali” dhe fytyra e  fushatës... Nuk futen në lavazh për t’u larë e pastruar, se janë të punësuar me mëditje në lavazhin mbarëkombëtar.

Ky model suksesi, që tanimë është bërë zotërues e sundues në shoqëri, u shërben  trushkulurve partiakë të të periferive si shembull që i mëson dhe “edukon” se si të hyjnë edhe ata në tregun politik ku shiten e blihen poste dhe prona, ofiqe dhe emërime, grada dhe ndere... Por që ta meritosh këtë status të posaçëm duhet jesh i gatshëm dhe i kollajtë për manipulim, ta gëlltisësh gënjeshtrën dhe manipulimin me qejf, në mos si ilaç, si raki, si drogë... Nuk është e vërtetë që më të predispozuar për lavazh truri janë më të varfërit, ruralët, katundarët, të cilët, prej hallit, apo mosdijes, pranojnë ta shesin votën dhe nderin edhe për një thes me miell, se ndërkaq janë edhe intelektualët, “elitarët”, biznesmenët, të cilët pranojnë të rreshtohen për të dhënë “kontribute” financiare, ose për të firmosur peticione, të cilat shërbejnë për indoktrinimin përfundimtar të fakirfukarenjve, që presupozohet se do të shkojnë pas berihajit. Mercenarizimi i shoqërisë është promotori qendror që nuk lejon të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme.

***

Struktura e shoqërisë në këto 22 vjet ka ndryshuar rrënjësisht. Njerëzit u lanë të lirë të lëvizin si jashtë dhe brenda vendit. Kush ishte më i fortë dhe kishte mbështetje fisnore, klanore, partiake, tribale, e ndryshoi shpejt dhe lehtë gjendjen ekonomike dhe statusin e vet social. Nuk ka peshë dhe rëndësi diploma, arsimi, kultura, përkushtimi, kontributi, djersa, aftësitë, emri, se sa një teser partie, më konkretisht lidhja me një të madh dhe krijimi i besimit se do të jesh e do të mbetesh deri në vdekje besnik i tij.

Si rezultat i këtij “revolucioni” mercenarët e demokracisë, si ata të Dovletit dikur, u bënë me prona, me pasuri, me emër, me ndikim të pakufizuar në shoqëri meqë vazhduan traditën dhe zanatin e lashtë të mercenarit. Kësaj shtrese sociale nuk është e nevojshme t’i bëhet propagandë, t’ia shpëlash trutë, pasi ata, njëlloj si familjet e ish- veteranëve të luftës, të gjitha meritat e kalimit nga varfëria në pasuri, transformimin nga hiçi në dikush, ia jepnin atij, “komandantit”... Në këtë lloj arsyetimi tribal kurrsesi nuk hyn në punë idealizmi, besimi te një ide supreme, si demokracia, gara e ndershme zgjedhore, integrimi dhe standardet demokratike, etj., as tek idetë dhe alternativat, te flamurët partiakë dhe shkalla e besueshmërisë, por në punë hyn dhe vepron sakaq vetëm lidhja tribale, e klanit, e fisit, e interesit të atypëratyshëm. Nëse në zgjedhje marrin pjesë diçka më shumë se 50% e numrit të përgjithshëm të votuesve, partia që merr pushtetin e quan veten fituese edhe me gjysmën e gjysmës së votuesve, pra afërsisht me çerekun e qytetarëve që kanë të drejtë vote... E, megjithatë, po të dëgjosh ligjërimin e Berishës, ai sillet si t’i kenë dhënë mandat të gjithë shqiptarët, madje edhe ata të Kosovës dhe Maqedonisë... Kjo krijon bindjen te turmat se pa të Shqipëria merr fund... Vini re sa e ka personalizuar këtë fushatë Berisha, aq sa jo vetëm këngë folklorike, po edhe parulla, si në kohën e diktaturës: “Rroftë Sali Berisha!”... Por absurdi nuk shihet këtu, as te qëllimi i operacionit të fushatës për të krijuar kultin e Berishës, si indeks qëndror të manipulimit. Nëse turmat kanë nevojë për një përçor, dhe nëse Berisha e konsiderohet i tillë (“një Skënderbe të dytë”!)  nga shumica e shqiptarëve, atëherë përse synohet të bëhet lavazh truri intensiv dhe sa më masiv, deri në atë derexhe sa të bindet shumica e votuesve, se vetëm nën drejtimin e këtij apo të atij lideri karizmatik do të jenë e do të mbeten të lumtur, edhe nëse janë të papunë, të zhgënjyer e të pashpresë?

Por dihet që përsëritja ritmike e gënjeshtrës, sipas psikikës së turmave, nuk shkakton efekt negativ për atë që gënjen, por më së shumti për atë që e dëgjon. Një gënjeshtër e përsëritur, - demagogjia në politikë, premtimet në erë në kohë fushatash - po të mos sillnin dobi, nuk do të ishin armët më të vjetra e më të preferuara të politikës. Sigurisht që pas një bombardimi mediatik, kaq intensiv, nuk është e lehtë, me sa duket, jo vetëm për të papunët, por edhe për ata që quhen intelektualë t’i shpëtojnë këtij lloj  indoktrinimi i cili si narkozë, të çon drejt vdekjes klinike, duke parë ëndrra të bukura, me sy hapur... Vetëm se po të kishim edhe ne një shoqëri civile të mirëfilltë, media përnjimend të pavarur, indoktrinimi dhe manipulimi, dmth. Trushpëlarja e truve me siguri do të kishte pas qenë më pak e përhapur dhe rrjedhimisht, edhe më pak rreziksjellëse.

http://www.balkanweb.com/analiza/2689/indoktrinimi-demokratik-131297.html

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: