Jemi në Luftë

05/08/2013 - 19:33

Nga Loer Kume*

Mbrëmje e bukur. Qetësi. Një shëtitore. Ose e thënë snob, një “recreation center” sepse është në një qytet turistik të turizmit të madh shqiptar.Lokalet plot. Njerëz që kalojnë darkën. Mes lokaleve një minipark lojërash plot me fëmijë. Fëmijë shqiptarë. Që luajnë aty. Gjelbërim, ndriçim e tërë detajet e duhura për një tablo urbane moderne. Dikush që bën ecejake para rreshtit të lokaleve duke folur në telefon në një bisedë për jetën, e gjëra të tjera të bukura si ajo.Diku aty pranë, familja e tij duke shëtitur. Çdo gjë në rregull, klima e shëndetshme dhe e butë. Dikushi mbaron telefonatën, shkon në drejtim të familjes.Në moment dëgjohen krisma. Një, dy, pesë, dhjetë e kusur. Ndërkohë, dikushi me familjen e tij hutohen, mpihen. Fishekzjarrë, mbase? Jo. Armë. Dhe nis vrapi kokulur. Ndërkohë tërë njerëzit, qindra njerëz, krijojnë një si lëvizje fillestare, një si dallgëzim, pastaj ulërima dhe vrap! Shpërndarje nga të katër anët.Pastaj mblidhet policia e hutuar, e nis të bëjë akt-ekspertizën pasi shmang turmën e njerëzve që më pas dynden në vendngjarje të shohin të plagosurit, katër syresh, duke shkelur kudo e prishur skenën.

Ç’ndodhi?

Nja dy trimave u tha mendja që mund të bënin një atentat. Mund të shkonin me makinë afër lokalit e mund të qëllonin drejtpërdrejt. Këtyre trimave shqiptarë nuk iu bëri syri dritë, e as që e vranë mendjen shumë që po qëllonin, përveç shënjestrës, dhe disa dhjetëra të pafajshëm, në një lulishte plot me fëmijë.Dhe sigurisht që këta njerëz, nëse akoma këto krijesa mund ta mbajnë titullin njeri, s’e vranë shumë mendjen që aty u plagosën njerëz pa lidhje. Që mund të vdisnin njerëz e fëmijë pa lidhje, e pa arsye.Kjo ishte ngjarja e Durrësit të një të marte në darkë. Njësoj si ngjarja e Vlorës pak më parë. Njësoj si ngjarja Shqipëri.Dikush mund të thotë, s’ka problem, situata është e qetë, ngjarje të tilla ndodhin në tërë botën. Madje në Norvegji ai vrau 70 njerëz kot. Madje në Shtetet e Bashkuara qëllojnë nëpër shkolla fëmijë, po të pafajshëm. Po ti pse revoltohesh kaq shumë? – thotë dikush. Për më tepër nuk vdiq njeri.Turizmi ecën përpara me hapa gjigantë. “S’ka gjë për t’u shqetësuar”, – thotë dikush madje dhe shtetëror. Ngjarje sporadike.Unë revoltohem sepse ai njeriu që fliste në telefon aty, isha unë. Dhe familja që iku me vrap kokulur ishte familja ime. Njërit nga pjesëtarët e familjes i ranë cifla të diçkaje në shpinë, që mund të ishin shkaktuar nga plumba rikoshetë. Jeta e familjes sime rrezikohet kotësisht.Unë revoltohem me naivitetin tim. Sepse një moment mendova se ishin fishekzjarrë.Unë revoltohem sepse nuk ka krahasim Shqipëria, me fëmijët shqiptare të rrezikuar ‘sporadikisht’ çdo minutë të ditës, çdo ditë, me njerëzit shqiptarë, qitës ose të qëlluar, me asnjë vend tjetër të qytetëruar të Evropës e më tej.Unë revoltohem sepse ai njeriu në Norvegji, e ai tjetri në Amerikë, nisen me qëllimin e caktuar për të vrarë të pafajshëm. Në shkollë apo në park. Sepse ashtu e mendon truri i tij i sëmurë apo i indoktrinuar nga ide antinjerëzore.Ndërsa në Shqipëri, njeriu qëllues qëllon për punën e tij, me një moskokëçarje absolute ndaj  jetës e çdo lloj pasoje. Nuk ka asnjë mendim ajo krijesë qëlluese. Ajo niset t’i bëjë keq dikujt, e nuk i plas për pjesën tjetër të botës. Qameti u bëftë! Le të vdesin plazhistë, fëmijë, njerëz rastësorë e kushdo.Unë revoltohem se në vendin tim, në qytetin tim, në lagjen time, unë kam frikë të dal. Unë nuk kam një vend ku të rri i qetë e në paqe. Sepse nuk ka paqe askund.Unë revoltohem sepse, mua më lind shtysa, që sikur diçka t’u kishte ndodhur familjarëve të mi, të imagjinoj me imagjinatën time prej shkrimtari, qindra mënyra torturuese e të tmerrshme hakmarrjeje jetëmarrëse ndaj këtyre krijesave qëlluese. Dhe më lind shtysa t’i vë në jetë këto mënyra jetëmarrëse pa asnjë lloj problemi.Dhe ky është në të vërtetë problemi i madh. Që mua shoqëria dhe shteti, që është mekanizmi i zgjedhur nga ne si shoqëri e civilizuar për të na kontrolluar e orientuar, nuk arrin dot të më mbysë instinktet e errëta antisociale e njërivrasëse që më lindin.Problemi është që mekanizmi fedback social psikologjik i dikujt që është lindur e rritur brezash, jo në pyll me egërsirat por në civilizim, është prishur e nuk funksionon më. Që ai magneti shtetëror që orienton grimcat në një kah të tëra, në rresht, të tëra me sjellje të saktë njerëzore, është çmagnetizuar, fare pa ngarkesë, e grimcat sorollaten andej-këtej kuturu, si t’u vijë mbarë.Problemi është që gjithkujt i lind e drejta që të cenojë kur cenohet, të vrase kur i vritet, të mos shqetësohet për asnjë pasojë. Nuk kanë asnjë mekanizëm frenues të asaj shkëndijës psikopate në tru për të marrë jetën e dikujt. Për të shkrepur këmbëzën ndaj dikujt. E cila bëhet fare e lehtë. Fjollë-prekje.Dhe ky gjest kriminal të arrijë deri aty sa të mund të qëllojë mbi turma njerëzish për të arritur targetin e vet. E kjo sjellje është krim ndaj njerëzimit, është genocid dhe antishqiptare, sepse e përsëris, ndodh vetëm në Shqipëri, e të gjithë ne mund ta realizojmë sot ose nesër në këtë amulli që po gëlon kudo. Të tërë  jemi të rrezikuar, e njëkohësisht armiq potencialë në çdo moment.Në të vërtetë, për këdo që akoma nuk e ka kuptuar, jemi në luftë. Ne jemi në një luftë civile të heshtur, të fshehtë, të ngadaltë, njerivrasëse. Të tërë kundër të tërëve. Madje dhe shteti kundër, me organet e veta të ruajtjes së rendit.Para dy ditësh më rrëfen një mik, që kishte telefonuar policinë për t’u ankuar për ca të droguar që shpoheshin në hyrjen e tij çdo darkë, dhe të nesërmen i shkon njëri nga ata djemtë e i thotë: “Po ti o burrë, pse na spiunove, ça ke me ne, ne s’bëjmë gjë”. Kush i thotë këtij djali se kush informon policinë?Jemi në luftë. Dhe meqë flasim dhe për turizmin shqiptar, ndër të tjera, të shpallim platformën turistike të atraksionit të një vendi në lufte. “Far west i ringjallur!”. Krenarë. Banderola kudo.Ndaj, jetojmë në një vend në luftë. Ta kuptojmë të gjithë e sa më parë. Madje më keq. Se në çdo luftë ka rregulla ku nuk vriten civilë ose të pafajshëm përgjithësisht. Ndërsa këtu është një formë e re lufte. E paparë kund.Armiku s’dihet. Jam unë, je ti, është gjithkush. Nuk ka asnjë lloj sigurie, që ti njeri i qetë, aty në shtëpinë tënde ku mendon se je i paprekshëm, nuk të ndodh më e keqja e të këqijave që ke imagjinuar.Ndaj, përgatitu për luftë e armatosu gjer në dhëmb.Derisa të rikrijohemi si shtet i qytetëruar, e instinktet vrasëse të miat e të tuat të fashiten sërish në trurin e largët të krijesës së shpellave

Marrë nga http://mapo.al/2013/08/05/jemi-ne-lufte/

 

* Autori është shkrimtar nga Durrësi 

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: