EDMOND TUPJA

 Të premten që shkoi, para se zoti K, d.m.th. Kryeministër, të deklaronte që projekti për asgjësimin e më se 1000 tonëve gaz sarin nuk do të realizohet në Shqipëri, kisha ndër mend t’i kërkoja, përmes rubrikës sime të përjavshme, që t’i jepte gaz ndërgjegjes së tij (ashtu si shoferët që i japin gaz motorit të makinës tek e ngasin këtë në një drejtim të caktuar e të përcaktuar qartë) që të mos vonohej në marrjen  e të vetmit vendim të arsyeshëm për qeverinë, për administratën e re shtetërore, për protestuesit përherë e më të shumtë, më kompaktë, më të vendosur, lidhur me kërkesën e këtyre të fundit për të mos lejuar futjen, në Shqipërinë e lodhur nga ky tranzicion i gjatë e i mundimshëm, e asnjë fuçie me gaz sarin. 
Doja t’i thosha: “Jepi gaz, zoti Kryeministër, nxito që ti, partia dhe qeveria jote, që hytë kryelartë nga dera në historinë e politikës shqiptare me vendim të sovranit popull në zgjedhjet e qershorit të kaluar, të mos detyroheni të dilni kokulur nga dritarja, siç thotë frëngu”. Doja t’i thosha: “Jepi gaz, zoti Kryeministër, nxito që të mos i zhgënjesh militantët socialistë apo edhe simpatizantët, fansat, tifozët e ku ta di unë, të Partisë Socialiste, të gjithë ata që të votuan duke shpresuar në “rilindjen e Shqipërisë” (për të përdorur termat e tu). Vendi ynë nuk mund të rilindë falë asgjësimit të gazit sarin, pavarësisht shumave marramendëse që, me shumë gjasë, për të mos thënë me siguri, ju kanë premtuar porositësit e tij”. 
Doja t’i thosha: “Jepi gaz, zoti Kryeministër, që Shqipëria e brezave të rinj, ajo e një “gjenerate” tjetër, të re (sipas termin që përdore gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit kuvendore), të mos vuajë pasojat e asgjësimit të gazit në fjalë”. Doja t’i thosha: “Jepi gaz, zoti Kryeministër, ti që ke nisur të shembësh ndërtimet pa leje, ndërkohë që, përmes projektit për asgjësimin e gazit sarin në vendin tonë, do të lejosh ndërtimin e një impianti që do të jetë, për dekada të tëra, një shpatë e llahtarshme Damokleu sipër kokave të shqiptarëve, sidomos të brezave të rinj dhe atyre të ardhshëm”. 
Doja t’i thosha: “Jepi gaz, zoti Kryeministër, për të qenë të paktën konsekuent në fjalët dhe veprimet e tua: anulove marrëveshjen për importin e plehrave, anulo atëherë detyrimisht edhe projektin e asgjësimit të gazit sarin në Shqipëri!” Doja t’i thosha: “Jepi gaz, zoti Kryeministër, dil para popullit në Kuvend, Akademi të Shkencave, në televizion apo në radio, institucione apo sheshe për t’u thënë shqiptarëve se projekti i asgjësimit të gazit sarin nuk do të zbatohet kurrë në Shqipëri”. 
Doja t’i thosha: “Jepi gaz, zoti Kryeministër, dhe ki guximin t’u propozosh porositësve të projektit në fjalë që atë gaz vdekjeprurës ta asgjësojnë ata që e kanë prodhuar në vendin e tyre dhe me mjetet e tyre, madje duke i kërkuar falje njerëzimit për këtë mynxyrë”. Doja t’i thosha: “Jepi gaz, zoti Kryeministër, dhe ki guximin t’i kërkosh falje popullit tënd, të gjithëve, pa përjashtim – fëmijëve, të rinjve, të rriturve dhe të moshuarve –, për idenë e çmendur të asgjësimit të gazit sarin në vendin tonë. Jepi gaz, zoti Kryeministër, dhe asgjësoje këtë ide nga ndërgjegjja jote para se zemërimi i ligjshëm i popullit studentor e qytetar të vërshojë jo vetëm në kryeqytet para selisë sate, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”. 
Doja t’i thosha: “Jepi gaz, zoti Kryeministër, që t’i japësh mundësi dhe kohë vetes për të mbajtur premtimet që, gjatë fushatës zgjedhore të qershorit të kaluar, u bërë shqiptarëve për të luftuar korrupsionin, për të vënë drejtësi, për të bërë reforma të thella në krejt jetën e vendit. Jepi gaz, zoti Kryeministër, që të mos i fillosh këto reforma me një antireformë të tmerrshme si ajo e asgjësimit të gazit sarin”. Doja t’i thosha: “Jepi gaz, zoti Kryeministër, që të mos bëhesh turpi i gaztë ose gazi i turpshëm i botës. Jepi gaz sa nuk është ende vonë! Jepi gaz, të lutem, sa nuk ka dalë ndonjë zhongler fjalësh apo humorist i hidhur për të të thënë: As gaz sarin, as gaz edvin!” 
Fatmirësisht, përballë asaj trysnie të madhërishme nga studentët e nga një numër intelektualësh të shoqërisë civile, që patën pjekurinë dhe meritën e shkëlqyer ta pengonin politizimin e lëvizjes protestuese nga opozita, zoti Kryeministër u detyrua t’i japë gaz ndërgjegjes së tij tashmë të vonuar, ndër të tjera, edhe sepse po afrojnë jo vetëm festat e muajit nëntor, por edhe muaji dhjetor, muaji i revoltave studentore që 23 vjet më parë sollën rrëzimin e diktaturës komuniste në vendin tonë. Prandaj, tani, po i them zotit Kryeministër: “Të lumtë që i dhe gaz, in dietro, sigurisht. Gjithsesi, më mirë vonë se kurrë (dhe nuk po i ndryshoj asnjë shkronjë këtij proverbi)!

http://www.panorama.com.al/2013/11/17/jepi-gaz-zoti-k/