Kështu Rama nuk na zhgënjeu dhe na gënjeu*

14/09/2013 - 16:42

Nga Igli Cara

 

11 shtatori i vitit 2013, dita e parë e Ramës si Kryeministër i dekretuar do të mbetet në kujtesën tonë kolektive për dy gjëra, e para, që Rama nuk na zhgënjeu dhe e dyta, që Rama na gënjeu. Duket që ka një kontradiktë midis arsyes së parë dhe të dytë, por në pak rreshta do ju shpjegoj koherencën e tyre. Rama dhe rilindja mavi e tij, Rama dhe gjenerata tjetër e shqiptarëve në këtë shekull të ri, nuk kanë asgjë ndryshe nga ajo e kuqja, jo e flamurit, por e baballarëve dhe gjyshërve të tyre.  Fjala e Ramës në Kuvend, për të gjithë ata që janë sot mbi 40 vjeç na kujtoi fjalimet e Enverit pas zbulimit të grupeve armiqësore në Kongreset e Partisë Punës.

Rama dhe fjala e tij në Kuvend, tregoi arrogancën dhe intolerancën e tij, tregoi revanshin që pritet në këtë vend, tregoi frikën e njeriut që megjithëse flet për 1 milion shpullat që koalicioni i djathtë mori, thellë e di që shqiptarët nuk e votuan më tepër, tregoi frikën e një njeriu që ministra bën shokë e kushërinj, fëmijë dhe nipër të nomenklaturës së Partisë Punës dhe mbi të gjitha tregoi që Rama, përveç ngjyrave trendi të imazhit të PS nuk sjell asnjë gjë të re në këtë vend, prandaj, Rama nuk na zhgënjeu.

Thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” që na bashkoi 24 vjet më parë në qytetin Studenti në përmbysjen e komunizmit nuk mbeti thjesht ëndrra jonë, por është dhe mbetet drita që na ndriçon, mbetet udhërrëfyesja jonë. Qytetarët shqiptarë e dinë fort mirë që në këto vite Shqipëria ka ndryshuar në gjithçka dhe 3 ditë më parë Edi Rama, duhet të ishte mirënjohës ndaj gjithë atyre burrave dhe grave që e drejtuan këtë vend. Edi Rama, i vetëquajtur lider i gjeneratës tjetër, duhet të kishte kurajën dhe të gjente frymëzimin dhe me fisnikërinë e një burri shteti të falënderonte Sali Berishën e Aleksandër Meksin, Rexhep Mejdanin e Fatos Nanon, Gramoz Pashkon e Azem Hajdarin, Alfred Mojsiun e Jozefina Topallin, Pjetër Arbnorin, Namik Doklen, Gramoz Rucin, Astrit Patozin e shumë e shumë të tjerë sepse të gjithë, me merita, por dhe me gabimet (kurrë nuk do të thosha fajet e tyre) kontribuuan për Shqipërinë që kemi sot, kontribuuan që ne të jetojmë sot në një vend ku të gjitha liritë themelore të njeriut janë të garantuara, që ka dalë nga varfëria, ku qytetarët e tij lëvizin të lirë, anëtarë të NATO-s dhe nuk mbyllet këtu. Edi Rama, që bëri vizitën e parë si kryeministër i dekretuar në Kosovë, duhej të kishte kurajon 3 ditë më parë të falenderonte Pandi Majkon për kontributin e tij gjatë luftës së Kosovës, por dhe t’i kërkonte ndjesë popullit këtej e përtej kufirit dhe veçanërisht Sali Berishës, që ishte kundra rrugës së Kombit, e vërteta të ndriçon dhe ndjesa të lartëson, por Edi Rama mbetet i njëjti dhe bëri veç atë që di të bëjë, prandaj nuk na zhgënjeu

Të gjithë ata që patën durimin të dëgjonin deri në fund fjalimin e tij apo t’u binte në dorë broshura e programit të Qeverisë për vitin 2013-2017, kuptuan një të vërtetë të madhe: Rama nuk ka program. Ose më mirë programi i tij nuk është program, besoj tani kuptohet pse diku më lart thashë: Rama na gënjeu. Kopertina e kuqe dhe përkrenarja e Skënderbeut - risi mbi shqiponjën dykrenore, përkujdesja e faqosjes dhe dizajnit të broshurës së programit ishte lustra e parë që sot ne kemi për detyrë të heqim dhe t’u tregojmë shqiptarëve që fillimi me gënjeshtra merret me mend, si dhe ku e çon pritshmërinë e 1 milion shqiptarëve që Ramën e votuan, por besoj bind që bënë mirë ata që ne na votuan. Në broshurën e programit të Ramës, gjej veç dy të vërteta: e para, që zgjedhjet ishin të lira dhe për këtë, ndjehem krenar për forcën politike që përfaqësoj dhe e dyta, që Shqipëria meriton më shumë, që shqiptarët meritojnë më shumë dhe që fëmijët tanë meritojnë më shumë, prandaj aksioni ynë politik vazhdon, prandaj përgjegjshmëria jonë politike dhe publike është më e madhe, prandaj ne do jemi duke punuar dhe duke i treguar çdo ditë Ramës dhe qeverisë që pritet të votëbesohet që shqiptarët meritojnë më shumë. Teksa shfletohet programi i Ramës, gjejmë në të veç qëllime dhe këtë e theksoj, qëllime që nga mënyra e formulimit të tyre, që ndonjëherë, pa dashur t’u prish punë atyre që e kanë redaktuar, nuk e kanë unifikuar nga pjesa në pjesë, përfundojnë dhe me pikëpyetje megjithëse fjalia nuk është e tillë . Një program qeverisës, besoj që dhe ky i Ramës nuk mund të jetë përjashtim, duhet t’u kthejë përgjigje disa pyetjeve bazike: “çfarë do të bëhet?”; “si do të bëhet?”; “kur do të bëhet?”; “sa do të kushtojë?” dhe “çfarë rezultatesh (impakti) do japë”! Programi i hartuar veç me qëllime, harron se që të kesh thesin e madh të shpenzimeve duhet ta kesh të qartë thesin e të ardhurave dhe mbi të gjitha në broshurën e paraqitur shifrat (vlerat ) nuk gjendeshin asgjëkund. Broshura e bukur konfirmon që s’ka program, ka premtime pa kosto, ka shpenzime pa të ardhura, nuk ka një analizë të arsyeve pse duhen bërë gjërat dhe si duhen bërë, s’ka kthjelltësi në prioritete dhe për ta mbyll këtë pjesë, ka fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Për të mirën e shqiptarëve dhe të fëmijëve tanë sinqerisht do të doja të ishte ndryshe, por sot e mirëkuptoj Doktor Berishën kur pas 23 Qershorit shprehej, nuk mund të premtoja atë që s’mundesha ta bëja.

Të nderuar deputetë, të dashur bashkëqytetarë! Natyrisht, i vetëquajturi program ka çështje dhe shumë nënçështje që ja vlejnë të diskutohen mes nesh po dhe mes nesh e jush. Shumë nga reformat e propozuara apo çfarë qeveria Rama dëshiron të bëjë reflektojnë disa prirje: e para të ndryshojnë gjithçka në modelin e qeverisjes së vendit, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal; së dyti, me fjalë flet për decentralizim, por me vepra, reforma dhe ristrukturimet që propozon jam i sigurt që po kërkon më shumë kontroll e gjithnjë e më shumë pushtet për veten e tij. Pushteti qendror do të strukturohet sipas një modeli që bashkon apo ndan dikastere e institucione që s’kanë qenë ndonjëherë bashkë apo që s’kanë qenë në këtë mënyrë të organizuara, për më tepër sjell në qeverisje ministra me cv “të mira po themi”, por pa përvojë në punët e shtetit e për më tepër me formim larg administrimit publik, e vazhdojmë më tej me cenimin e agjencive të pavarura (dhe arsyet dihen) dhe natyrshëm të vjen pyetja mos po shkojmë drejt shtetit të rrumpallës? Kolegë socialistë dhe zotërinj ministra të dekretuar, Ramës dikush duhet t’i thotë që shteti nuk është as kavalet dhe as top basketbolli. Jam dakord që ju do të thoni që Rama ka marrë një model britanik, por a është koha, vendi, kultura dhe kompetenca për ta bërë? Për më tepër, i vetëquajturi program duket që nuk ka as afate, është afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë?! E kuptoni ç’na pret? Një tranzicion i ri, që lëviz gjithçka godina, ngjyra muresh dhe tavolinash dhe mbi të gjitha duhet qartësuar se nuk ka veç ministra e zëvendësministra në dikastere, po ka staf dhe administratë dhe puna operacionale e tyre duhet të vazhdojë, por ajo çka besoj shqetëson qytetarët është se do futemi për muaj të tërë në një proces pa krye?! Dhe, në vend që të bëjmë shtet, a mos po prodhojmë vetëm pushtet?! Po vazhdoj më tej me reformën administrative –territoriale, që në të vetëquajturin program përfundon në prag të vitit 2015. Mundet që lëvizjet demografike dhe zhvillimi i vendit sjellin nevojën për ndryshime dhe axhustime, por ajo çka përvijohet në këtë pjesë është që nga njëra anë flitet për rishikimin e ndarjes territoriale, vazhdohet më pas me përmbylljen e procesit të decentralizimit të kompetencave në funksionet e përbashkëta dhe të deleguara midis pushtetit qendror e lokal, vazhdohet me këshillin konsultativ qeveri qendrore – qeveri lokale dhe përfundohet me ngritjen e një sistemi të veçantë për “monitorimin e performancës në nivel vendor” ?! A nuk ngjan pak si një bashkim mekanik i projekteve të ojf për pushtetin lokal ! Një merak e kam, uroj që reforma administrative –territoriale t’i shërbejë Shqipërisë e shqiptarëve siç Rama don të na bëjë të besojmë, por druaj se do t’i shërbejë veç llogarive elektorale e politike të tij! Reforma mbi territorin, ngjan më interesantja dhe për faktin se lidhet me historinë politike të Ramës, Bashkia e Tiranës dhe ajo çka buronte prej saj (mjafton t’ju kujtoj komunën e Parisit ) i ofroi po themi potencialet që ta privatizonte Partinë Socialiste, ndjesë për ata që fyhen po dhe struktura e qeverisë pjesë e këtij privatizimi është.

Gjithsesi, dëshiroj të besoj dhe të mendoj për mirë, megjithëse dilemat nuk më rreshtin. Jam deputet i Durrësit dhe si të gjithë qytetarët e Durrësit jetoj masakrën urbane të qytetit tim, plazhi historik nuk ekziston më, dhe deti nuk shihet më, rrëmuja urbane e pallateve me dhe pa leje ka rrënuar gjithçka. Brenda në qytet, pallatet po shkojnë deri në 25 kate në shëtitoren buzë Vollgës, Kodër Vila është rrënuar dhe tashmë dhe amfiteatri po humbet nga ndërtimet që po e rrethojnë. Nuk ka as plan dhe as vizion , por vetëm llogari përqindjesh (si ato të Ramës dikur) dhe llogari betoni të kryetarit socialist të tij të bashkisë. Durrësi reflekton sot në çdo pëllëmbë të tij babëzi paraje dhe pushteti, që veç rritet vit pas viti! Durrësi për durrsakët ka pak shpresë të marrë formën e një qyteti bregdetar europian, të gjithë e dimë që pas pallateve dhe shkatërrimit të tij janë klientët e Gjushit që mbështesin fushatat e Ramës, janë klientët e tyre që pasi blenë metrat dhe ajrin, mundet të blejnë siç po blejnë gjithçka në qytet! A do të çohen ruspat të shkatërrojnë atë çka e ka masakruar zhvillimin urban dhe turizmin në qytet, a do të mund të rikthehet plazhi i mrekullueshëm i Gjirit të Durrës dhe a do të mund ta shpëtojmë Kodër Vilën e qytetit! Kam frikë se do mbetet veç propagandë dhe me drejtorinë e propagandës besoj se Rama mund t’ia dalë dhe me censurë të na e mbushë mendjen!  E ndërsa flasim për reformën për territorin, e lidhur me të është dhe çështja e legalizimeve dhe premtimi i Ramës për legalizim falas u bë pikërisht nga Shkallnueri dhe ish-Këneta në Durrës në qershor të këtij viti!  Ky premtim vjen sot paksa i axhustuar apo më shqip paksa jo i qartë, Rama zotohet sot që do legalizojë falas shtëpitë në zonat informale brenda 4 viteve, pra jo më menjëherë dhe ndërkohë do ndëshkojë fort zengjinët e betonarmesë dhe ata që kanë ndërtuar në bregdet! Lëvizi në premtim nga qershori në shtator, lëvizi në afate. Të shohim se çdo lëvizi në katër vjet!

Një nga çështjet më sensitive të vetëquajturit program sigurisht është ekonomia dhe ajo çka shihet dhe në formulimin e kësaj pjesë (që duhet të ketë shumë copy paste) është konfuzioni dhe mangësia në përcaktimin e prioriteteve. Për një vend si Shqipëria si mënyrë më e përshtatshme për nxitjen e rritjes ekonomike vlerësohet nga Partia Socialiste “ristrukturimi ekonomik dhe reformat e vërteta strukturore, rritja me përparësi e prodhimit të brendshëm, diversifikimi i produkteve dhe shërbimeve, adoptimi masiv i teknologjive të reja”. Ajo çka vjen më pas nuk shpjegon si do të arrihet, sepse përtej fjalëve boshe Rama duhet të na sqarojë si ekonomia jonë do të sigurojë avantazhet konkurruese në ekonominë rajonale, europiane dhe në atë globale. Ky konfuzion e kjo paqartësi reflektohet dhe në trajtimin e sektorëve të ekonomisë si bujqësia, transporti, prodhimi energjisë e turizmi dhe bëhet deri në qesharak në shifrat e hapjes së 300.000 vendeve të reja të punës. Premtimet badihava të Ramës në fushatë, një ditë do të duhej të shkruheshin, dhe kur e zeza shkruhet në të bardhë kuptohet çfarë nuk shkon, për të mos thënë, sa shumë është gënjyer! Politika fiskale do të mbështetet në taksimin e ndershëm, ose më mirë në taksimin progresiv kush fiton më shumë paguan më shumë – në thelb një politikë e majtë, e debatuar pa fund nga Partia Demokratike për arsyen e thjeshtë që kjo politikë frenon investimin, sipërmarrjen dhe punësimin në vend dhe ky nuk është momenti Pas kësaj, premtohen heqja e plotë apo e pjesshme e taksave nga biznesi i vogël, tek bujqësia, turizmi, peshkimi , barnat, importi i makinerive dhe pajisjeve dhe nuk mbetet me kaq. E gjithë pjesa ekonomike dhe ajo fiskale e programit kërcet fort, Rama më i përulur se kurrë premton që do të ulë në fund të 4 viteve taksat për 95 % të shqiptarëve dhe do të ketë ndëshkuar fort 5% tjetër, që është biznesi; kërcet fort se krahasuar dhe me premtimet e fushatës elektorale të tij premtimet ose janë reduktuar ose aty këtu janë harruar dhe përgjysmuar. Ajo çka vjen më pas është një aritmetikë që askush nuk e merr vesh, është aritmetika e piktorit që ofron shëndetësi falas, që rrit buxhetin për arsimin, sportin, kulturën e turizmin por që në asnjë rresht nuk e sqaron nga dhe si do të burojnë të ardhurat! Do të uroja për të mirën e shqiptarëve që aritmetika e jonë dhe e tyre të mos dalë, po programi do të ishte i tillë në se do të kishte numra dhe jo fjalë të pafund të ojf-ve që nuk përgjigjen asgjëkundi për ç’ka shkruajnë dhe bëjnë.

Pjesa e programit për arsimin evidenton vetëm mangësi dhe asnjë rezultat. A ka arsimi probleme ? Sigurisht që po, dhe kjo nuk është një dukuri shqiptare, se kështu ndodh në të gjithë botën nga Amerika në Japoni. Nëpër rreshta lexoheshin premtime me dhe pa vend, dhe natyrshëm të kujtohej që Rama i ka cilësuar universitetet e rretheve geto, që ka sharë pa fund universitet publike dhe private dhe ka premtuar ndëshkim për shumë universitete private. Ajo ç’ka kuptohej ishte që Rama s’ka as program dhe as strategji më të mirë se tonën për arsimin, dhe ndërsa premton një shoqëri ku mësuesi do të jetë një nga tre figurat e rimëkëmbjes së shtetit nuk tregon rrugën përmes të cilës do e mundësojë atë. Projekti që ne ngritën dhe implementuam në arsim, filluar me maturën shtetërore që u bazua në sistemin meritë –preferencë, por dhe që i dha fund korrupsionit në dyert e universitetit publik; vazhduar me gjithë politikat mbështetëse të masivizimit dhe liberalizimit të arsimit të lartë që e çoi deri në 5% të GDP investimin në arsim në sajë të partneritetit publik privat e që kërkon vazhdimësi në linja të tjera; ngritja e shkollave të reja dhe mbi të gjitha rritja deri në 147 % e pagës së arsimtarit e deri në 69 % asaj të pedagogut janë një kontribut e meritë i qeverisë paraardhëse që duhet njohur e vlerësuar. Si deputet i Durrësit, më duhet të përmend një projekt që mori jetë në vitet e qeverisjes së PD, universiteti “Aleksander Moisiu”, i nisur në vitin 2006, numëron sot rreth 12 mijë studentë dhe në shërbim të tij po ngrihet kampusi i parë universitar në Shqipëri, godina e parë ka përfunduar dhe e dyta është në proces, një projekt që shumë shpejt do sjellë dhe më shumë punësim dhe që do rrisë impaktin social e ekonomik në qytet.

Vendosa t’i le për në fund të diskutimit tim dy shtresat ndaj të cilëve e djathta dhe PD do kishte dashur të bënte më shumë, pronarët e vjetër dhe të persekutuarit e regjimit komunist. Mundësitë dhe shpesh pamundësitë që sjell zhvillimi në një vend si ky i yni kanë sjellë kufizime dhe ndoshta herë pas herë hatërmbetje mes nesh. Jam i sigurt që reformat që Rama propozon më shumë e ngatërrojnë çështjen e pronës, bashkimet dhe shkrirjet e institucioneve dhe agjencive kam frikë që do i tretin dosjet dhe procedurat dhe zgjidhja e çështjes do shkojë për më gjatë dhe për më vështirë! Për të vazhduar më tej me të persekutuarit (përfshi dhe ata që marrëzisht i vunë në pozita çnjerëzore) ju është lënë aq pak vend në program sa besoj ka dhe mund të ketë shpresë nga ta nga bijtë dhe nipërit e etërve. Mund të vazhdoja të diskutoja mbi qëllime dhe dëshira pa krye e laps të kësaj qeverie, programin e të cilës po përpiqemi të diskutojmë sot, por mendoj që dhe kaq mjafton.

Në politikë pranohet që morali ka pak vend dhe pragmatizmi ka shumë vlerë, jetojmë sot ndoshta në një vend që ka thyer shumë rregulla që dikur lidheshin me karakterin, ku fjala e thënë zinte vend dhe njerëzit e burrat e këtij vendi mateshin me të. Ndoshta epoka moderne që po duam të jetojmë, matet me kompromisin dhe atë çka ai prodhon, por qytetarët e këtij vendi kanë akoma kujtesë dhe vështirë do ta kenë të harrojnë ca modele dhe ngjarje që jo pak dëm i shkaktuan këtij vendi. Rama i gjeneratës tjetër, i përket gjeneratës që krijoi modelin e një kryetari bashkie që me lejet e ndërtimit, përqindjet mbi investimet e rrugëve dhe të punëve publike në Tiranë bleu për 11 vjet interesa, media dhe më pas bleu dhe partinë që ai sot drejton. Zotërinj socialistë, ndjesë për fjalët që djegin dhe dhembin, historia juaj e këtyre viteve e është histori e parave që blejnë gjithçka nga punët publike në votat e qytetarëve vulnerabël e deri në pazare qindra mijëra eurosh mes jush… historia juaj sot pasqyrohet dhe në emrat e kabinetit ku ikin a mbeten në sallë njerëzit që e bënë PS, me të rinjtë që vijnë e u rritën nga raportet me bashkinë e njëherë e një kohe të Tiranës. Rama, ky lideri i gjeneratës tjetër që fshikullon me tezën e luftës kundër korrupsionit qytetarët e këtij vendi harron se ai dhe aq më pak aleanca e tij mund ta bëjë atë. Qytetarët që e votuan Ramën e Rilindjes shumë shpejt do të zhgënjehen, ngjyrat e piktorit do të përzihen e do të bëhen shpejt pis mes tyre, Rama do të duhet t’u kthejë haraçin atyre që e sponsorizuan dhe atyre që mori në koalicion. Dhe ne do të jemi këtu në Kuvend dhe në çdo cep të vendit për ta faktuar këtë, me fjalën tonë dhe opozitën tonë. Ju faleminderit!

 

*  Fjala e plotë në Kuvendin e Shqipërisë mbi programin e qeverisë së re më 14 shtator 2013. Titulli është i “Dyrrah”-ut.

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: