Cilës kompani i përkiste kamioni që transportonte një bllok të madh mermeri jashtë cdo standardi sigurie dhe që u bë shkak për vrasjen jo thjesht vdekjes e vajzës 24 vjeçare Erinolda Isufaj? Në cilën gurore u ngarkua dhe ku po e dërgonte ngarkesën? Cili ishte drejtuesi teknik që miratoi udhëtimin në këto kushte? Dy ditë pas ngjarjes Policia e Shtetit nuk ka bërë asnjë hetim në këto pista dhe këtë e them me siguri sepse ndryshe do të kishte pasur arrestime të personave përgjegjës.

Gjithashtu tashmë duhet të ishin arrestuar edhe të gjithë policët rrugorë të cilët kanë qenë me shërbim në itinerarin ku kaloi kamioni. Nëse andej do të kishte kaluar një automjet i cili do të kishte si ngarkesë dengje të mëdhenj bari (ushqim për bagëtitë jo kanabis) të pasiguruar si ngarkesë, do ta kishin ndaluar dhe gjobuar.

Por kamionin me mermer nuk e ndaluan sepse ky automjet kishte statusin e motorit të zi pa targa që përdorën vrasësit e bankierit Artan Santo tre vite më parë. Në atë kohë, pikërisht në kulmin e fushatës të shpallur nga Kryeministri Rama për ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, motori i zi pa targa u end pë dy javë në zonën më të kontrolluar nga Policia e Shtetit, në qendër të Tiranës dhe ditën e krimit kaloi pikërisht poshtë dritareve të zyrës së Kryeministrit Rama. Motori i zi kishte statusin e të paprekshmit nga Policia e Shtetit sepse i përkiste Mafies që kishte leje qeveritare për të kryer këtë vrasje. Kamioni që vrau Erinoldën i përkiste mafies së mermerit dhe gjithashtu kishte leje qeveritare për të lëvizur jashtë çdo standardi të sigurisë.

Ku janë tani ato femra të shoqërisë civile të cilat në maj dolën me ish-gruan e dytë të Edi Ramës në krye dhe protestuan ndaj meje kur unë për t’ u tallur me kërcënimin e rremë që për jetën e saj që sajoi Romana Vlahutin në shkurt, thashë tre muaj më vonë se cdo shqiptar mund të jetë vrasësi i dyshuar i saj? Pse heshtin ato? Ato heshtin sepse e dinë që ka ndodhur një vrasje mafioze qeveritare.

Ashtu si në rastin e vrasjes së Santos edhe tani Mero Baze ka marrë tubin e ujit në dorë që të lajë gjakun Erinoldës nga duart e Edi Ramës dhe të Fatmir Xhafës, duke thënë se gjëja më e rëndë në këtë histori është se përse Tv Klan heshti dhe nuk tha që Erinolda ishte gazetare e tij. U mor vesh, Mero si gazetar, si kur ishte me Berishën, si tani që është me Edi Ramën, po bën atë që bëri për disa muaj në thertoret e Greqisë ku shkoi si emigrant në 1991, para se të rikthehej për të nisur një karrierë të madhe në media.

Erinolda sikur u sakrifikua për t’ i treguar Bashkimit Europian në mënyrë makabre të vërtetën e raportit të medias me qeverinë në Shqipëri, një ditë pas konferencës që u mbajt në Tiranë me pjesëmarrjen e Komisionerit Hahn për median e lirë. Nëse në Shqipëri do të kishte pasur media të lirë, të gjithë gazetarët do të kishin qenë para selisë së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të kërkuar që të ndëshkoheshin përgjegjësit për vrasjen, jo thjesht vdekjen e Erinoldës. Ose së paku do të kishin folur kështu si unë.

Nga: Kastriot Myftaraj