Nga Mentor Kikia

Kjo nuk është reformë, por një copë letër që vlen vetëm në Bruksel!

U përfshiva mbrëmë, në emsionin “Open”, në një diskutim me Z.Oerd Bylykbashi, lidhur me reformën zgjedhore. Unë mbrojta një ide, që e kam theksuar dhe mbrojtur sistematikisht, në çdo hapësirë ku më është dhënë mundësia:

1- Reforma zgjedhore nuk duhet miratuar, si shumë e shumë ligje dhe reforma të tjera, vetëm se na e kërkon BE, si kusht për nisjen e bisedimeve. Por reforma duhet miratuar, në radhë të parë si një nevojë urgjente e sistemit tonë zgjedhor dhe politik, për të përmirësuar apo shpëtuar edhe atë fije demokraci që ka mbetur ende.

Për këtë arsye, ajo duhet të jetë e thellë dhe e qëndrueshme, për ti shërbyer seriozisht ndërtimit të një mekanizmi që do të sjellë besimin e qytetarëve tek zgjedhjet. Për këtë arsye, yshtjet e ndërkombëtarëve duhen dëgjuar më pak se kurrë, pasi ne nuk kemi nevojë për një reformë që tiua tregojmë atyre në Bruksel, por për një reformë që të na ndreqë telashet e mëdha që kemi brenda shtëpisë tonë.

2- Sistemi zgjedhor duhet ndryshuar. Pika ku palet bien dakord është të mbajnë listat e mbyllura, pasi përmes tyre kryetarët kontrollojë me dorë të hekurt partitë. Listat e mbyllura ndikuan në degjenerimin e nivelit të politikës, duke e mbushur parlamentin me ndërtues, tregtare, injorantë, e deri vrasës e trafikantë të kërkuar në gjithë Europën.

Sepse politika kërkon “Cash” për të fituar vota dhe ata që kanë para ofrojnë edhe për partinë edhe për blerjen e votës. Dhe përfundimi është ky që sot shikojmë të gjithë. Një parlament – faqja e zezë. Listat e mbyllura mbajnë një parti nën tutelën e kryetarit, i cili rrethohet nga servilë dhe kokëulur, sepse kjo është mundësia e vetme për të qenë në listë. Një parti pa pikë demokracie të brendshme.

Dhe, një parti pa demokraci, nuk mund të prodhojë kurrë një qeverisje demokratike. Përfundimisht, me këtë sistem shqiptarët nuk zgjedhin, thjeshtë ne votojmë, deputetët i zgjedh kryetari i partisë.

3- Financimi i partive. Edhe kjo pikë e rëndësishme mbeti jashtë. Partitë janë sot ndërmarjet më të zeza. Ku i gjeëjnë paratë e shumta për fushata e operacione të tjera informale?

Padyshim nga:

1- Oligarkët, që financojnë dhe më pas diktojnë qeverisjen.

2- Biznesmenët-deputetë, që paguajnë partinë dhe votat e tyre, e më pas marrin tendera e koncensione për të fituar 10 herë më shumë.

3 – Bota e krimit, ata të fortët, që në përgjime dalin si “çunat e lagjes”, të cilët pasi financojnë kandidatët apo kryetarët e bashkive, kanë duart e lira të zhvasin e të shndërrohen edhe në sipërmarrës.

Reforma zgjedhore nuk i prek këto probleme thelbësore për të siguruar një demokraci funksionale. Në këto kushte kjo nuk do të jetë një reformë, por një copë letër që do ti tundet si sukses zyrtarëve në Bruksel, të cilët do të heqin një vizë në listën e gjatë e kushteve.

Ndërsa ne do të vazhdojmë të votojmë në të njëjtën mënyrë e për të njëjtët njerëz. Duke u vjedhur sërish po njësoj, veçse me rrotacion.