Përveç temperaturave të larta të korrikut, situata u nxeh edhe më nga mesi i këtij muaji kur vendimi i autoriteteve në Durrës ndaloi kalimin e autobusëve me pushues nga Kosova në rrugën “Pavarësia” dhe spostoi kalimin e tyre në rrugën dytësore mbi kanal ose në Unazën që lidh zonën e Shkozetit me Plazhin për të evituar trafikun që krijohet në aksin rrugor që përshkon zonën turistike.

Mosnjohja më parë me këtë vendim i gjeti të pa përgatitur operatorët turistikë që organizojnë udhëtimet e pushuesve kosovarë, gjë që u shoqërua me një situatë kaotike mes pushuesve, që nuk dinin të orientoheshin në vendpushimet e reja të autobusëve nga Kosova.

Në rrjetet sociale apo në media, mjaft pushues nga Kosova ngritën zërin për atë që ata e quajtën diskriminim apo racizëm karshi tyre nga autoritetet vendore në Durrës. Madje pati edhe thirrje të forta për të bojkotuar plazhin e Durrësit, vendin më të preferuar të pushuesve nga Kosova për shumë vite me rradhë.

Deklarata e sotme e kryetarit të bashkisë së Durrësit i hodhi poshtë të gjitha këto thirrje të nxituara, duke pranuar se 90% e plazhit është në dispozicion të pushuesve nga trevat shqiptare dhe ata janë mëse të mirëpritur të kalojnë pushimet në qytetin bregdetar.

“Ne po punojmë çdo ditë që të kemi një plazh sa më të pastër, sa më të bukur, me kushte sa më te mira në shërbim të vizitorëve që vijnë nga Kosova sepse jam i bindur që e ardhmja e Durrësit janë turistët nga Kosova dhe ne duam t’i japim mundësinë që ata të vijnë të bëjnë turizëm siç bëhet në çdo vend të botës, ku lëvizshmëria e njerëzve të jetë sa më e mirë, disiplinimi i trafikut të jetë sa më i mirë, për të patur një plazh të sigurt dhe një vendqëndrim sa më të pëlqyer nga vizitorët”,tha Dako. 

Personalisht njoh shumë qytetarë nga Kosova që rregullisht vijnë çdo vit të kalojnë pushimet në Durrës. Pavarësisht se në shumë raste kanë vizituar edhe qytetet e tjera shqiptare, Durrësi mbetet destinacioni i tyre i preferuar jo vetëm për pushimet e verës, por edhe për të kaluar fundjavat në bregdet.

Çdo pushues është kontribues për rritjen e të ardhurave nga turizmi për buxhetin e Durrësit, por edhe për bizneset durrsake sezonale, tregtarët ambulantë apo familjet që lëshojnë ambientet e tyre me qira për pushuesit. Turizmi është një gjenerues i pashtershëm të ardhurash për qytetin bregdetar dhe për këtë arsye duket treguar një kujdes i veçantë për të mos prishur imazhin e Durrësit.

Kryebashkiaku Dako e tha sot qartë se shumë biznese durrsake mbajnë familjet e tyre me bukë nga të ardhurat e pushuesve. “Bizneset që gjenden gjatë rrugës së plazhit mbajnë familjet e tyre me bukë nga turistët kosovarë duke i mirëpritur me dashamirësi”.

Por krahas pushuesve kosovarë që me të drejtë ngritën zërin, pasi nuk ishin informuar më parë me këtë ndryshim të vendndalimit të tyre në plazhin e Durrësit, reagime të shumta në rrjetet sociale pati nga ata banorë të Durrësit që duartrokitën atë që ju duk si tentativë e bashkisë për të diskriminuar pushuesit kosovarë në favor të pushuesve të huaj.

Përpara reagimesh të tilla që shtrembëruan realitetin dhe në të njëjtën kohë nuk pasqyrojnë aspak mikpritjen tradicionale durrsake, madje edhe në kohë të vështira (kujtoj vitin 1999 kur qindra familje nga Durrësi hapën dyert për kosovarët që lanë shtëpitë për t’i ikur luftës dhe terrorit serb), gjithsecili prej nesh duhet të sjellë në vëmendje që çdo vit në Durrës janë pikërisht këto pushues që sjellin volumin më të madh të të ardhurave nga turizmi në qytetin bregdetar.

Pushuesit nga trevat shqiptare kanë ardhur të pushojnë në Durrës vit pas viti, edhe kur në det derdheshin ujërat e zeza, kur plazhi ofronte kushtet minimale për pushuesit apo kur durrsakët braktisnin plazhin e tyre për të udhëtuar drejt jugut apo destinacioneve turistike të huaja.

Mbipopullimi i plazhit sigurisht është shoqëruar ndër vite edhe me problematika të ndryshme si ndotja apo mungesa e ujit të pijshëm, por tashmë gjendja po ndryshon. Investimet e bëra vitet e fundit në plazhin e Durrësit e kanë ndryshuar për mirë situatën, megjithëse mbeten ende gjëra për t’u bërë. E kjo vihet re edhe në opinionet e pushuesve nga Kosova që shprehin kënaqësinë që krahasuar me vite më parë situata është përmirësuar ndjeshëm.

Prandaj në këtë rast, secili duhet të logjikojë ftohtë dhe të mos rrëmbehet nga momenti për t’u shprehur me një gjuhë ofenduese. Vendimi i marrë nga autoritetet vendore në Durrës shërben për të përmirësuar edhe më tepër standartet e ofruara pushuesve për një qëndrim sa më komod dhe relaksues, e jo për të bërë diskriminim të pushuesve nga trevat shqiptare në favor të turistëve të huaj.

Në biznes është e njohur shprehja “klienti ka gjithnjë të drejtë” dhe për këtë arsye çdo strukturë shtetërore në Durrës duhet të angazhohet maksimalisht për të mirëpritur pushuesit që vizitojnë qytetin bregdetar dhe njëkohësisht për t’i lajmëruar kohë më parë operatorët turistikë për vendimet e marra, në mënyrë që keqkuptime si ky i këtij mes korriku të mos përsëriten në të ardhmen. 

M.P.