Kodi i Etikës dhe ndotja e ekraneve

08/05/2013 - 12:02

Nga Petrit Qejvani

Që mjedisi politik, shoqëror dhe morali në përgjithësi është i ndotur sa e ka kapërcyer vijën e kuqe në Shqipëri, nuk themi ndonjë gjë të re. Por që rruga me gjithçka negative, që ajo simbolizon të ngjitet deri në ekranet e televizioneve kombëtare, kjo nuk është një gjë normale dhe as e pranueshme, së cilës mund t’i bëjmë koncesion. Kjo nga pikëpamja e moralit qytetar dhe edukatës qytetare. Por dhe me ligj dhe me rregull një gjë ë tillë është e ndaluar nga etika e komunikimit publik. Këtë e ndalon Kodi i Etikës, i detyruar të respektohet nga media vizive. Por, me sa duket, as ky kod nuk i ndalon dot disa gjuhëpisa të lëshojnë fekale nga goja ë tyre, bile me një krenari idiote, të neveritshme. Qytetarët nuk mund të dëgjojnë gjithfarë garipash, edhe mediatikë (medet për ta!), që nuk e kanë për gjë ta shndërrojnë ekranin në një WC publike.

Tipik në këtë drejtim ishte emisioni serioz “Opinion” në TV Klan, ditën e hënë 6 maj, ku njeri prej të ftuarve në rolin e gazetarit analist (drejtues i një talk show vulgar), që nuk u kuptua pse ishte ftuar, pasi nuk është një analist politik, nxori nga goja me një fodullëk mjeran, pa ia bërë syri “tërr”, fjalë që do t’i kishte zili  edhe rrugaçi më ordiner në adresë të liderit të PS-së Rama (për arsye etike nuk mund t’i përmendim as me shkurtim fjalësh, as me retiçenca). Por ky njeri, në rastin më të mirë pa edukatë, e ka zakon këtë dhe kjo i duket normale. Pozat e tij prej garipi të medies i shfaq dendur në emisionin që drejton vet, ku nga fillimi në fund vjen era qenef.

Një nga episodet më të “famshme” të tij është sorollatja prej më se një ore për të na mbushur mendjen se ishte aq i zoti sa të puthte live në buzë një vajzë ukrainase (një dixhei porno) e cila e bën këtë, pikërisht se paguhet. Në ndjekje të “heroizmit” të tij për të realizuar puthjen live, të bën përshtypje deri në pështirosje paturpësia e tij kur në studio urdhëron fikjen e dritave (meqë kryetarja e KKRT-së nuk iu përgjigj në telefon) dhe shkon e puth vajzën e gjorë, që kishte ardhur nga mijëra kilometra larg për një dorë pare, në errësirë si një hajdut. Dhe krenar kthehet duke lëpirë buzët në karrigen e tij, a thua puthi virgjëreshën e fundit mbetur mbi këtë tokë!..

Në fakt nuk më bëri përshtypje aq sjellja e tij se sa fyerja që u bëri në studio një paneli me aktorë të njohur (shumica femra) midis tyre një aktor i njohur kosovar, të cilët rrinin nën hyqmin e tij dhe prisnin kur drejtuesi “don zhuan” të realizonte puthjen “historike”! Dhe në emisionin e djeshëm nuk më bëri aspak përshtypje fjalori i tij, sepse dihet ç’nxjerr ai nga goja, por pasiviteti me të cilin e prisnin, sidomos ata, që kishte përballë (tre gazetarë seriozë, midis tyre një femër), të cilët i ndërpriste dhe ofendonte, edhe pse nuk kishte as logjikën minimale për të argumentuar, veç zhurmuesit partiak fanatik. Tipa të tillë, që ndotin ekranet, sigurisht që duhen ndëshkuar dhe jo vetëm moralisht (në këtë pikë këta janë të pandjeshëm), por sidomos ligjërisht.

Nëse ai nuk pyet për moral, të detyrohet me ligj. KKRT-ja duhet të zbatojë sanksionet ndaj tij dhe TV-ja ku ai punon. Qenie të tilla të lënë një shije neverie edhe kur i ndesh rastësisht në rrugë, pale ne ekran. Ekranet duhet të pastrohen nga tipa të tillë. Dhe TV Klan duhet të dezinfektohet nga mikrobe të tillë.

http://gazetadita.al/kodit-i-etikes-dhe-ndotja-e-ekraneve/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: