Në prag të vizitës së zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Matthew Palmer, maxhoranca dhe opozita vazhdojnë të qëndrojnë të ngulura fort në llogoret e tyre. Maxhoranca që tashmë ka shpallur zyrtarisht pjesën më të madhe të kandidaturave dhe po bëhet gati për fushatën zgjedhore të 30 qershorit dhe opozita që pas djegies së mandateve vijon të artikulojë me forcë se nuk hyn në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.

Vizita dy ditore në Shqipëri e zyrtarit Palmer mund të ketë të njëjtin efekt si ajo e para dy viteve e një tjetër zv/ndihmës Sekretari Amerikan të Shtetit, Hoyt Bryan Yee. Negociatori Yee çoi palët drejt marrëveshjes së 17 majit 2017, megjithëse koha tregoi se ajo qe vetëm një zgjidhje afatshkurtër, sepse më pas Rama dhe Basha nuk iu përmbajtën asaj dhe madje patën rezeva, secili për interesat e veta.

E ndërsa shqiptarët presin një zgjidhje alla amerikane, përsa kohë që forcat politike në Shqipëri nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e dialogut por dinë të sinkronizohen vetëm për akuzat në distancë, data e zgjedhjeve lokale e shpallur nga presidenti po afron.

Nëse ato do të zhvillohen në 30 qershor siç këmbëngul Rama, do të mbahen njëkohësisht me ato parlamentare siç artikulon opozita, do të bëhen me të njëjtin kod zgjedhor apo me një kod të ri këto ende nuk dihen.

E ndërsa situata politike është më e turbullt se kurrë, pas djegies së mandateve nga opozita, Durrësi po i afrohet sezonit veror. Një tremujor që pritet me mjaft shpresa nga pronarët e hoteleve, apartamenteve dhe shtëpive me qira, bizneseve në zonën turistike, ambulantëve, mijëra të papunëve apo studentëve që do të aplikojnë për punë sezonale. Turizmi është një aset mjaft i rëndësishëm për Durrësin, një burim të ardhurash sezonale që i jep oksigjen biznesit, të ardhurave të bashkisë dhe qytetarëve.

Në shumë nga hotelet dhe lokalet e plazhit të Durrësit dje punohej. Nuk e kam fjalën për shërbimin ndaj klientëve, por për riparimet dhe rikonstruksionin e godinave. Skela disa katëshe të ngritura, punime në fasada dhe ambientet e brendshme, lyerje, riparime, shpluhurosje e tavolinave, karrikeve, shezlloneve të mbyllura në magazina për disa muaj me rradhë.

Pavarësisht krizës politike, biznesi është në punë, i angazhuar të sigurojë për turistët vendas dhe të huaj një shërbim sa më cilësor. Për vite me rradhë, Durrësi ka mbajtur mbi shpinë etiketimin e plazhit masiv, që pushtohet në pjesën më të madhe të tij nga pushuesit nga Kosova, ndërkohë që të huajt grumbullohen në vetëm pak hotele elitare. Ndërsa sezoni veror po afron, situata pak a shumë mbetet e njëjtë. Plazhi i Durrësit është bërë aq shumë katrahurë nga ndërtimet shumëkatëshe, të cilat si për ironi të fatit vazhdojnë të ngrihen ende, ndonëse ka shumë apartamente të pashitura dhe pjesa dërrmuese e atyre që tashmë janë shitur popullohen vetëm disa muaj të vitit dhe ndonjë fundjavë. S’është çudi që kulla të tjera betoni të mbeten të pabanuara, ndërkohë që deti është një mollë e ndaluar për t’u “shijuar” ndërsa udhëton përgjatë rrugës “Pavarësia”, apo deri më tej në Golem.

Çdo dy vite sezoni veror përkon me zgjedhjet vendore apo ato parlamentare. Në kohë fushate, duket që e gjithë armata e administratës dhe drejtorive vihet në funksion të mbledhjes së votave. Përqendrimi kryesor është fushata, turizmi mbetet një sektor i dorës së dytë apo të tretë në këto raste. Fundja turistët nuk përkthehen në votues!

Korriku i 2018 ka qenë një muaj për t’u harruar në plazhin e Durrësit. Pushuesit ishin aq të paktë, saqë tregtarët dhe bizneset nuk mbanin mend një periudhë të tillë për shumë e shumë vite me rradhë. Nëse kriza politike dhe gjithçka derivon prej saj do të përshkallëzohen, sezoni turistik në Durrës mund të vuajë pasojat. Disa herë, operatorët turistikë kanë nënvizuar se kriza politike po çon në anulime rezervimesh. Kjo nënkupton biznese që nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet, të punësuar sezonal që nuk arrijnë të punësohen, të ardhura më të pakta, zhgënjim tek të gjithë ata që varin shpresat tek sezoni turistik dhe ajo që është kryesorja, një qytet që nuk arrin të vërë 100% në punë asetin e tij më të vyer.

Përsa kohë vijojmë të jemi një qytet që kulmin e sezonit turistik e kemi pikërisht në muajt qershor-gusht, të shpresojmë se kokat e nxehta të politikës sonë do të ulen të gjejnë një zgjidhje, para se vapa e verës të ndezë temperaturat!

M.B.