I trajtuar së fundmi në “Shihemi në gjyq” të programit televiziv “E diela shqiptare”, rasti i ndërmjetësimit Visha-Muça ka befasuar.

Jo për nga mënyra si shkoi debati mes babait të Nazime Vishës, 18 vjeçares së dënuar nga gjykata, dhe bashkëshortes së viktimës Mynyre Muça, po si u trajtua ai dhe qëndrimi i hapur gjykues i ndërmjetësueses Eni Çobani.

Mosmarrëveshja për të cilën palët kishin shkuar në atë ballafaqim me synim pajtimin u kuptua nga teleshikuesit vetëm në fund të seancës televizive. 

Në bazë të legjislacionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, ndërmjetësimi është një veprimtari jashtëgjyqësore, në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje me anë të një personi të tretë asnjanës, që është ndërmjetësi, për të arritur një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes dhe që nuk bie në kundërshtim me ligjin.

Në rastin e fundit, ndërmjetësuesja Eni Çobani shfaqi një pozicionim të hapur kundër Nazimes, duke i bërë thuajse një gjyq të dytë publik, pro Mynyres, ndërkohë që ligji mbi ndërmjetësimin e përcakton qartë se ky proces bazohet në parimin e barazisë së palëve dhe ndërmjetësja duhet të mundësojë zgjidhjen e çështjes me efikasitet, drejtësi dhe paanshmëri, pa paragjykime ndaj palëve apo çështjes që është objekt ndërmjetësimi. Në seancë u arrit deri aty sa me ngulm pyetej babai i Nazimes, vajzës së dënuar nga drejtësia dhe të pranuar nga organi i akuzës si një viktimë e abuzimit seksual nga i ekzekutuari, nëse mund të vërtetonte se e bija ishte përdhunuar nga Fiqiriu (?!).

Mbase Çobani u pozicionua për të treguar se nuk ka asnjë moment në historinë Nazime-Fiqiri që të lërë pas urrejtje dhe hakmarrje. Mbase e bëri në emër të mbrojtjes së fëmijëve të viktimës që nuk kanë pse të vuajnë veprat e turpshme të një babai abuzues me një të mitur, qoftë dhe me dëshirën e saj, pasi ligji e përcakton qartë që marrëdhëniet seksuale me të mitur dënohen. Por ajo harroi që ky pozicionim i hapur në një emision tejet të ndjekur televiziv, pavarësisht qëllimit, mund të ndikojë deri në formësim negativ opinionesh mbi rastin duke çuar në gjykim e rigjykim të një vajze që nuk kishte mbushur ende moshën madhore kur vrau Fiqirin. Një jetë e dënuar shumëfish, që nuk dihet se ç'fat do të ketë kur të mbarojë dënimin e të përballet me një opinion gjykues e paragjykues ndaj saj.

Përtej paanshmërisë së cënuar, që çon në formësim opinionesh mbi një 18-vjeçare, në përfundim, pas arritjes së marrëveshjes, e vetmja pjesë që vlen të përgëzohet, Çobani dha dhe një mesazh antigjakmarrjeje. Një mesazh që sado i bazuar të jetë për rastin e trajtuar, tentoi gabimisht të përgjithësojë. Sërish pa menduar për ndikimin në opinion. Vërtet hakmarrja në një vend pa drejtësi ushqehet rëndom mes njerëzve, veçanërisht në Ballkanin gjaknxehtë, po zona e Shqipërisë së Mesme, së cilës i përket Visha nuk është dalluar ndonjëherë për gjakmarrje dhe trajtimi i rastit Visha-Muça si një rast gjakmarrjeje dhe i mbyllur me një pajtim gjaku është i tepruar.

Debati i babait të Nazimes dhe gruas së Fiqiriut

Për herë të parë, në një intervistë televizive, u vunë përballë Beqir Visha, babai i Nazimes dhe Mynyre Muça, gruaja e Fiqiriut, të cilët dhanë versionin e tyre se si ka ndodhur ngjarja që ende ngjall debat e qëndrime në opinion. Për Mynyre Muçën, Nazimja ka ikur me dëshirë me Fiqiriun dhe se donte të martohej me të. “I tha në telefon: “Lëre Mynyren dhe martohemi bashkë, se pres fëmijën tënd’”. Nga ana tjetër, babai i Nazimes, e cila ndodhet pas hekurave të burgut, thotë se sms-të janë të falsifikuara dhe  fotot të montuara. Në fund të debatit u arrit pajtimi i kërkuar. Babai i 18-vjeçares premtoi se nuk do të synonte në asnjë rast të hakmerrej ndaj fëmijëve të Fiqiri Muçës.

Si është bërë njohja mes dy familjeve?

Mynyre Muça: Fejuam gocën e tij me kunatin tim. Çdo fragment e ka ditur e ëma e Nazimes. Ka qenë një ditë feste. Nuk ka ardhur, se s’e linte goca e këtij, se i thoshte “hajde shpirt, hajde zemër”.

Beqir Visha: Unë fëmijën e kisha të fejuar.

Mynyrja: Nuk ta donte burrin tjetër.

Beqiri: I bëra miq për qejf, më dolën miq me dhunë. E kisha të fejuar vajzën, çfarë i detyroi këta që ma morën vajzën?!

Ju nuk keni pasur asnjëherë dijeni për atë që i kishte ndodhur Nazimes?

Beqiri: Nuk kam pasur dijeni fare, ne kemi pasur miqësi. Për 12 ditë rresht e pyeta kur humbi Nazimja dhe më tha: “Po doli fëmija tënde tek unë, më vrit”. Ka arritur ta çojë fëmijën në treg të zi. Analizoje veten tënde si unë, nuk kam fjetur në shpi për 12 ditë.

Si është e mundur që prokuroria ka nxjerrë një raport ku thuhet se vajza juaj ka ikur me dëshirë me Fiqiriun?

Beqiri: Këto janë gënjeshtra, sepse ajo nuk ka qenë shtatzënë. Pasi është kthyer nga policia e Burrelit, ku nuk kanë bërë asgjë, se ka pasur një kushëri në polici, kam shkuar te Policia e Tiranës. Kur ka ardhur vajza në Komisariatin nr.4, m’u hodh në qafë dhe më është hedhur në krahë. Ai e ka marrë për ta trafikuar vajzën time.

Si ka mundësi që Nazimja ka thënë që ka ikur me dëshirë?

Beqiri: E kanë detyruar, se po të ishte shtatzënë, nuk do të vinte me mua. Ishte bërë 15 kg, se kishte qëndruar rrugëve.

Mynyrja: I kam kap telefonin për duarsh burrit tim dhe i kam kap lloj-lloj sms-sh. Nazimja e ka marrë në telefon burrin tim dhe i ka thënë: “Çoje Mynyren te shtëpia e prindërve dhe martohemi bashkë, se mbaj në bark fëmijën tënd”. Nuk ishte trafik, kishin ikur për muaj mjalti.

Si ka mundësi që, kur ju e dinit për marrëdhënien e tij, e pranuat sërish?

Mynyrja: Ai burrë, për 4 vjet nuk ka festuar një ditë feste me fëmijët e tij. E pranova, sepse e donin fëmijët e tij. Ajo e dinte që ka pasur fëmijë dhe kalamaj, kur nëna i ka gjet vetë dhe i ka thënë që, “lëre atë punë se janë budallallëqe”.

Si ka mundësi që ju nuk e keni ditur, sepse ju jetoni në fshatra të izoluar, ku është e pamundur që të mos merren vesh gjërat?

Beqiri: Asnjëherë në botë. Po të kishte marrëdhënie, në polici nuk vinte pas meje, por shkonte pas burrit. Po të ishte vajza ime ashtu, nuk pranonte të fejohej. Mesazhet këta i dublojnë vetë. Fotot janë të falsifikuara. Koka ime është vënë në vend të asaj të Fiqiriut.

Mynyrja: Kanë qenë 3 sms të Fiqiriut dhe 250 sms të Nazimes. I kam lexuar unë.

Si ka mundësi që Nazimja ka arritur ta përdorë aq mirë automatikun?

Beqiri: Fiqiriu i ka gjet numrin burrit të Nazimes, me të cilin do martohej, dhe i ka bërë presion:” Ti nuk do e marrësh atë, sepse do e marr unë që ta trafikoj”.

Ma vërtetoni juve sot se Fiqiriu ka përdhunuar vajzën tuaj?

Beqiri: Këta kanë pasur tre nr. tel. Këtë nuk mund të ta përcaktoj. Kjo punë ka ardhur vetëm nga presioni që i ka bërë të fejuarit të Nazimes.

Pse e larguat fëmijën tuaj?

Mynyrja: Ai e ka larguar se do ta vriste nga turpi.
Beqiri: Vajzën time nuk e vras, se ka shkuar ai e ka marrë vajzën time, jo vajza ime tek ai.
Mynyrja: E ka vrarë gjyshja, jo Nazimja. Pse të rrijë në burg ajo?! Le të thotë të vërtetën se e ka vrarë gjyshja. Ka që në 12 maj që iku me Nazimen. Unë nuk kam fjet gjumë, ajo ka ik me dëshirë. Unë e pranova sërish Fiqiriun për fëmijët. Kam një vit që jetoj me frikë, se nuk fle më e qetë. Kam frikë se mos më vrasë fëmijët.

Pse nuk u bë dasma në 10 gusht?

Beqiri: Se e ka marrë dhëndrin Fiqiriu dhe i ka thënë që “ti nuk e gëzon dot Nazimen”.

Mynyrja: Kur vinte Fiqiriu në shpi, ajo m’i binte telefonit me numër privat për të më ngatërruar mua me burrin tim.

Beqiri: Nuk e ka shansin kush në Shqipëri që të bëjë tregti me fëmijët e mi. Unë nuk kam për t’u bërë gjë fëmijëve të saj, për arsye se i kam rrit fëmijët vetë me halle.

Beqiri: Falënderoj vajzën time që e bëri këtë vrasje. Se vuri nderin në vendin e vet. Vajza ime nuk ka qenë e lidhur me atë, se vajza ime ndryshe nuk do të fejohej. Sms-të kanë qenë në gjuhë matjanshe, jo të Shqipërisë së Mesme. I ka bërë vetë Fiqiriu sms-të. Do ta çoj deri në gjyq të Hagës këtë punë.

Natën që Fiqiriu iku për në Krrabë?

Mynyrja: Më tha se do të ikte për kamionin, se kishte një defekt. E morën në telefon. Kam kontaktuar edhe një herë në orën 9 e gjysëm dhe pas asaj ore ia derdhën zorrët në Krrabë.

/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/