Nga Ramiz Lladrovci*

Për 10 ditë me radhë, Shqipëria u përball me një lëvizje qytetare, e pazakontë deri më tash, kundër pranimit të lëndëve kimike siriane në Shqipëri. Protesta sporadike, më shumë të ngritura mbi murin e dyshimit, kishte edhe në Kosovë. Me idenë e protestuesve u bashkuan edhe liderë e pjesë të opozitës shqiptare, disa tentuan të bëhen edhe pjesë themelore të saj, por tashmë, e gjithë ajo që ndodhi përfundoi në një “JO” të qeverisë shqiptare përmes kryeministrit, Edi Rama.

Është e habitshme se si për kaq pak kohë u bë një spekulim kaq i ndjeshëm me ndjenjat e njerëzve dhe se si nga vorbulla e së djeshmes së hidhur, u nxorën halucionacione për të sotmen, deri sa nën kujdesin e liderëve të opozitës, të demonstrohej edhe në dyert e ambasadës së SHBA në Tiranë. Kjo nuk kishte ndodhur që prej 23 viteve, pasi në të gjitha këto dekada, kombi ynë, në të gjitha anët e Shqipërisë londineze, e ka parë me të drejtë shtetin amerikan si mbrojtësin themelor të lirive dhe të drejtave të tij, ka gjetur tek ai atë që i ka munguar në shekuj, mbështetjen deri në fund të aspiratave të tij.

E keqja ndodhi, ky është fakt. Njerëzit që shpejtuan të thërrasin “fitore” shumë shpejt do ta kuptojnë se ishin viktimë e një manipulimi jashtëzakonisht të madh, ardhur nga të gjitha anët, dhe se ajo që bënë, veç faktit se ndezi dëshirën qytetare për të protestuar kur lihet në një qosh, nuk ka sjellë asgjë tjetër pozitive në jetën tonë të përbashkët.

Në të gjitha këto vite, Shqipëria, si shtet i posadalë nga një regjim totalitar, ka aspiruar të jetë pjesë e vendeve të civilizuara, perëndimore; ka ëndërruar të jetë një copëz e kësaj bote. Në të gjitha këto vite ajo vetëm ka pritur nga të tjerët; ka pritur mbështetjen pas vendosjes së shtetit plural, ka pritur ndihmat ekonomike kur ka qenë në vështirësi, ka pritur mbështetjen politike kur ka qenë në ankth e ardhmja e saj; ka pritur shtetet perëndimore për të rregulluar gjendjen pas katrahurës së vitit 1997; ka pritur mirëdashjen e saj për të kaluar pengesat, për të qenë pjesë e NATO-s, ka pritur që vëllezërit e saj jashtë kufijve shtetërorë të ndihmohen për të qenë të lirë. Kosova kishte në luftën e fundit 12 mijë të vrarë dhe të zhdukur, por do të mund të kishte dyfishin e tyre nëse nuk do të kishte qenë vendimi historik i SHBA dhe i BE për të bombarduar regjimin fashist të Millosheviçit. Shqipëria dhe kombi ynë pritëm deri sa presidenti Bush bëri të njohur vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Maqedoni etj. Pra, 23 vite veç kemi pritur. Kemi marrë e nuk kemi dhënë asgjë, veç gjakut që derdhën djemtë e bijat e UÇK-së, të cilët u bënë aleati më i sigurt i NATO-s në luftën tonë të përgjakshme.

Mirëpo, në Shqipëri u ndez një emfazë politike vrasëse, ajo shkoi deri në parlamentin e Shqipërisë, ku duhet të jenë mendjet e qeta dhe jo zjarrvënësit; ajo shkoi deri aty sa që një deputete, zonja Doda, të cilësonte se “sa gram gaz helmues keni ruajtur për fëmijët e mi”, duke krijuar tek njerëzit bindjen se SHBA po dërgojnë armët në Shqipëri për ta kthyer atë në një varrezë masive: ankthi përshkoi gjithkënd.

Do të kishte humbur apo do të kishte fituar Shqipëria në të gjithë këtë proces? Unë e them pa drojë, do të kishte fituar. Të gjithë do të kishim fituar, brenda e jashtë kufijve londinezë të shtetit shqiptar. Nuk do të kishte humbur, pasi SHBA kurrë nuk kanë sjelë humbjen për kombin tonë. Ekzistenca jonë është e lidhur me to. Do të kishte fituar, pasi do të kishim qenë për herë të parë mirënjohës me vepra dhe këto janë ndër ato mirënjohjet që nuk harrohen kurrë. Do të kishim fituar, pasi pas kësaj, askush nuk do e shikonte Shqipërinë si një vend qyqar që pret pafundësisht nga të tjerët, por që ka guximin të bëjë më shumë nga sa pritet prej saj. Nuk do të kishte asnjë rrezik për popullsinë apo për mjedisin, pasi zbërthimi i lëndëve kimike nuk do të bëhej fshatçe, por shkencërisht, përmes metodave më të sprovuara, nga njerëz të ditur, të përgatitur dhe seriozë. Do të fitohej, sepse Shqipëria do të ishte pas saj një shtet partner i OKB-së, së cilës i është gjetur në një moment kur ajo kishte nevojë për të. Nuk do të ketë më, ndoshta kurrë, një nevojë të tillë për ne, një staturë e tillë si OKB-ja. Do të fitonte sepse çdo gjë ishte e kontrolluar dhe jo si Gërdeci, do të ishte nën monitorim e jo tinëzisht; do të punonin shkencëtarë e jo fëmijë për bukën e gojës;  do të lëviznin struktura të jashtëzakonshme, e jo makina me armë tinëzisht nëpër natë si ndodhi në Gërdec; do të fitonte edhe ekonomikisht, edhe në brezin e ri. Sepse, sipas një prag marrëveshje, jo vetëm që shteti shqiptar do të kishte përfitime të çastit, por më i ndjeshmi do të ishte ai i perspektivës; brenda katër viteve Shqipëria do të ishte pjesë e BE, çka do të thoshte të jesh qytetar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian, të jetosh e të punosh atje, si gjithë të tjerët. Dhe kostoja e gjithë kësaj ishte veç: të kishe pak guxim për të parë realitetin.

Për mendimin tim, në Shqipëri, në të gjithë këtë proces ndodhën tri veçanti, të cilat ndoshta do të jenë të dobishme në të ardhmen, megjithëse kësaj here ata bënë që të humbasë shansi i shekullit për shtetin shqiptar.

Veçantia e parë ishte në krijimin e një gjendje të amullt, e cila pjesërisht vinte nga mungesa e informacionit, që në këtë rast, ishte konfidencial dhe jo një e fshehtë e qeverisë shqiptare, që mund të ndahej me të tjerët, ndërsa pjesa më dërmuese vinte nga zelli i një pjese të medias dhe një pjesë e rëndësishme e politikës  për të shndërruar gjërat e debatueshme në të alibi për frikën që do të vinte. Kryeministri Edi Rama, si mendojnë naivisht ose si kanë dëshirë të mendojnë, nuk mund të bënte publike gjërat që ende nuk ishin vendosur; nuk mund të jenë shfaqje e hapur për të gjithë ata që janë ende në proces, sepse gjërat që mund të jenë sot të negociueshme, nesër mund të jenë tabu, ose e kundërta, gjërat që sot janë tabu, nesër mund të jenë të zbatueshme. Nuk mund të japësh informacion kur ende nuk kanë lëvizur gjërat nga vendi, kur për më tepër ishte bërë një deklaratë e qartë se asgjë nuk do të ndërmerret pa u pyetur populli, pa vendosur qeveria dhe “firmosur” parlamenti. Alibia e sotme e një pjese të media dhe e një pakice opozitare se pikërisht kjo mungesë informacioni çoi në shpërthimin e protestave dëshmon se edhe vetë ata e dinë se e kanë tepruar dhe duan të kenë një degë ku të varin fajin e djeshëm. Ajo degë nuk mund të jetë qeveria, sepse një qeveri serioze, sado e re të jetë, nuk i bën bisedimet serioze, konfidenciale, llafe pazari. Po të ishte një temë për diskutim, përse atëherë Departamenti i Shtetit apo Ambasada amerikane në Tiranë, nuk i bënë ato publike deri në momentin e fundit? Sepse kishte një marrëveshje.

Veçantia e dytë është se në këtë lojë të ndjeshme, me pasoja në të ardhmen, shpesh herë foli dëshira para mendjes. Dëshira e gjithëfarëshme; për të pasur një Shqipëri të pastër (edhe pse nuk është e tillë), për një jertë më dinjitoze (sikur do e dëmtonte një “PO” e qeverisë shqiptare këtë), por mbi të gjitha dëshira për lidership, për rrëmujë, për përmbysje. Zoti Basha kishte qenë në dijeni të ngjarjeve që po përgatiteshin. Karizma e tj si lider tashmë është edhe më dyshuese, pasi nuk kishte burrërinë të shfaqte publikisht versionin e tij, por kjo nukerdhi nga mungesa e përvojës së tij politike. Ajo ndodhi sepse u mendua se tashmë, me këtë forcë në rrugë, ne jemi pranë një fitoreje, e cila, që sot, dëshmon pa droje, se nuk është e askujt, por e humbjes.

Veçantia e tretë qëndron në mbështetjen e zotit Edi Rama , si kryeministër i shtetit shqiptar. Të rinjtë në Kosovë e kanë parë atë gjithnjë si një drejtues karizmatik, modern, elokuent, që mbart pas vetes vlera dinjitoze. Një pjesë tjetër e sheh ndryshe, por tendenca që edhe një herë për të bartur ngjarjet e dhembshme të Tiranës në Prishtinë, ishte nj ndjenjë jo e pëlqyeshme. Sepse heshtja kishte qenë shumë e gjatë. Zoti Rama kishte në të gjithë këtë ngjarje edhe kundërshtarë brenda gardhit të tij politikë, të cilët mund të jenë ose jo drunj të prishur. Nuk i paragjykoj, por askush prej tyre nuk dha një argument serioz pse është kundër, pse ai  ose ajo, kushdo qoftë, mendon se pas këtij operacioni do të jetë Shqipëria një katrahurë, vend i djegur, i mjerë dhe nuk do të jetë më i mirë, më i pastër, më i besuar, me më shumë autoritet.

Kur zoti Thaçi filloi bisedimet me Serbinë, çka ishte shumë më e rëndë se ajo që ndodhi në Tiranë, grupi parlamentar i PDK, jo nga zori, por me bindje e mbështeti plotësisht, megjithëse risqet ishin shumë të mëdha. Atë e mbështetën edhe familje të luftës, si për shembull familja ime, që mund të themi se kishte hesape me Serbinë, pasi kishin humbur shumë, por njeriu, kur është i bindur se kjo është për të mirën e kombit, del nga vetja, nga halli i tij, merr përgjegjësi më të mëdha. Kjo nuk ndodhi me ata që e rrethojnë Edi Ramën. Nëse nuk ishin në dijeni, çfarë i pengoi të shkonin dhe ti thonin se çfarë po ndodh. Shou mediatik nuk i bën nder askujt.

Tani në Tiranë është një ditë e re. Njerëzit janë ende herët për të kuptuar se çfarë humbën…ata ende kanë në mendjen e tyre fëmijët e shtrirë të inskenuar mjerueshëm, para kryeministrisë si të vrarë nga bombat që po na sjellin amerikanët…ata kanë ende në mendje thirjet e deputetëve se po vijnë vrasjet masive, ata ende nuk janë në qetë të shikojnë se si, me një 10-ditësh, bënë të humbasë ajo që mund të quhej mrekullia e këtij fillim shekulli: Shqipëria do të zinte vendin e saj mes zonjave të nderuara, sepse pas kësaj, ajo do të kishte besimin e të gjithë botës.

Asgjë nuk rikthehet më. E vetmja gjë që mund të bëhet është në krijimin e një gjendje të re, ku sherret banale më në fund do të mund të shndrroheshin në bashkëbisedim. Shqipëria, mjerisht, është ende larg saj.

*Autori është Deputet në Parlamentin e Kosovës