Nga Mila Ballhysa

Që PD-ja e Durrësit ka hyrë në gjumë letargjik, kjo nuk surprizon asnjë qytetar durrsak. Humbja historike më 25 qershor duket se ja mbylli edhe më shumë gojën degës vendore të partisë më të madhe opozitare, megjithëse edhe para 25 qershorit situata ishte thuajse e njëjtë.

Në gjithë këta muaj të fundit, PD-ja është mjaftuar vetëm me një debat rreth 2 orësh, një herë në muaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Shumë pak për problematikat e njërit prej qyteteve më të rëndësishme të vendit, e ku investimet publike të pushtetit lokal kanë ngjallur jo pak herë reagimin e fortë të shoqërisë civile.

Në fushatën zgjedhore, PD-ja ishte thuajse inekzistente, saqë çudi që mori edhe ata 4 deputetë. Tani pas zgjedhjeve, kur vëmendja e anëtarësisë është përqendruar në Tiranë tek gara mes dy kandidatëve për kreun e PD-së, Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit si dhe lëvizjes së iniciuar nga grupi anti-Bashë me në krye Astrit Patozin, drejtuesit e degës lokale të Durrësit nuk dihet se ku kanë humbur.

Këto ditë kur mediet në Shqipëri dhe Kosovë kanë zier nga lajmet për vendimin më të fundit të bashkisë dhe prefekturës Durrës për ndalimin e qarkullimit të autobusëve me pushues nga Kosova në rrugën “Pavarësia”, vendim që ngjalli polemika të shumta në të dy anët e kufirit, PD-ja e Durrësit duket se ka nisur pushimet larg qytetit bregdetar…!

Asnjë reagim, qoftë pro apo kundër këtij vendimi. I vetmi që reagoi sot përmes një statusi në Facebook ishte Shkëlqim Fortuzi, anëtar demokrat i Këshillit Bashkiak. Por një zë i vetëm është shumë pak.

Dikur denoncues i problematikave të ndryshme të qytetit bregdetar, ish-deputeti Igli Cara duket se i ka përqendruar muajin e fundit të gjithë energjitë e tij në deklaratat kundër Bashës.

Kryetari i komanduar i degës, Oerd Bylykbashi dhe deputeti që kryesonte listën e qarkut të Durrësit nuk dihet ku ka humbur!

Ndërsa të tjerët rrinë e bëjnë sehir, ndërsa imazhi i Durrësit është dëmtuar në mes të sezonit turistik. Një opozitë e tillë e pa gojë dhe sehirxhije nuk është parë ndonjëherë në Durrës, një qytet i njohur për bindjet e tij demokrate.

Me të drejtë demokratët e qytetit bregdetar mund të shtrojnë pyetjen: Kush ia ka mbyllur gojën PD-së së Durrësit?!