Kush mund t’i fitojë zgjedhjet më 23 qershor

02/05/2013 - 08:45

Nga Agron Tufa*

I duam apo nuk i duam, zgjedhjet parlamentare i kemi te porta. Dhe gjithkënd prej jush, më se një herë e kanë pyetur në njëfarë mënyre se: Si të duken këto zgjedhje? Kush mund t’i fitojë? E pra, për një gjë kaq të zakonshme që ka depërtuar në përditshmërinë tonë dhe që sillet rreth nesh në trajtën e një enigme të pezullt, të padeshifrueshme, nuk do të ishte e tepërt të shkruanim, të bënim një përpjekje për të qartësuar shikimin, zhdavaritur retë konfuze e për të lexuar sa më saktë “mes rreshtash”. Meqë unë jam një individ dhe jo një bashkësi vëzhguesish, edhe mënyra e leximit tim do të ketë doemos doza subjektiviteti të pashmangshëm. Prandaj, që më parë, u lyp ndjesë atyre që do të nxehen nga ky shkrim, por edhe i ngushëlloj me të drejtën e tyre për të shkruar vetë siç e mendojnë. Ç’mund të themi deri më tash për zgjedhjet e qershorit 2013?

Vërtet është një lexim i vështirë, ngase vërtet “personazhet” janë po ata, gjithnjë ata – të përhershmit, kurse “rolet dhe skena” – janë ndryshuar rrënjësisht. Konfuzionin e ka shtuar së tepërmi lëvizja kaotike prej më se një viti e formacioneve politike-fantazma. Por ditët rrokullisen drejt 23 qershorit 2013 dhe pak nga pak formacionet-fantazma, ashtu siç u krijuan, po na lënë lamtumirën në prag beteje, duke lënë në kujtesën tonë veçse driblimet e zhurmshme. Lexuesi e kupton se fjalën e kam për partinë populiste AKZ dhe frymën e re demokratike që u plak para kohe.

Si gjithmonë, ndër ne do sundojë diktatura dyjare e frontit socialist dhe frontit demokrat. Në fakt, i vetmi evolucion që ka ndodhur në politikën tonë postkomuniste në këta 23 vjet është zëvendësimi i diktaturës moniste me diktaturën dyjare, ku triumfin e njërës palë mbi tjetrën kohët e fundit e ka zënë “kaçupi” ose “guri i peshores” me të cilin është identifikuar LSI. Vërtet për të ardhur keq, se misioni i demokratizimit të shoqërisë shqiptare nuk arriti të prodhojë alternativa të treta politike në këto dy decenie të fundit. Them alternativa të treta e jo xhuxhmaxhuxhë apo satelitë politikë.

Duke u përmbajtur nga parapëlqimet e mia politike në këtë alternativë të reduktuar dhimbshëm në dy fronte, po bëj një përpjekje modeste për të “lexuar” sa më esëll realitetin e deritanishëm, përkundër retorikës zhurmëshumë të palëve. Cila forcë politike do të shërbejë si “gur” vendimtar peshoreje në këto zgjedhje, tani që LSI e tërhoqi bojën e vet të kuqe nga bluja në pushtet? Premisat që këtë rol ta luante AKZ-ja e z. Spahiu, siç shihet tashmë, kanë perënduar ende pa hyrë në lojë: dorëheqja e 17 drejtuesve të lartë të kësaj partie futbollistike, që shoqërohet me shkrirjen e një sërë seksionesh flet për mungesën flagrante të një boshti ideologjik, botëkuptimor e emocional të kësaj falange. Një parti tipike-kioskë, tepër e dyshimtë që në zanafillë, një lloj tullumbaceje butaforike, e cila vetëm kur të shfryhet plotësisht do të nxjerrë në pah se “kush i fryu” në krye të herës. Retorika e ashpër që filloi brenda e jashtë kufirit shqiptar, turnetë gjysmë bolshevike e gjysmë maoiste të z. Kreshnik Spahiu, zelli absurd e irracional në retorikën e pompuar entuziaste nacionaliste, se si erdhi duke u lëmekur, duke u shurdhuar, derisa degradoi në gogësima dhe në fund, si mbetje acide, teproi vetëm mllefi antiberishist. Tani së voni drejtuesit e frontit socialist dhe kori i shtypit ekstrem të majtë duan të na krijojnë alibinë se gjoja AKZ na paskësh qenë një parti-spiune e Berishës (e atij Berishe, të cilit z. Spahiu i Drejtësisë i bënte gjyqin me dënimet popullore, burgim të përjetshëm apo me litar, gjithmonë nëse do të vinte në pushtet!). Nuk është aspak e vërtetë alibia e socialistëve! Nëse ka ndonjë gjë të vërtetë në ndërmarrjen politike kaba të z. Spahiu, kjo është patologjia e mllefit anti-Berishë. Dështimi qysh tani i sigurt i AKZ-së, me entuziazmin futbollistik tashmë të ftohur, duket aq i qartë, sa mund të prognozojmë se, me gjithë megalomaninë e disa drejtuesve të saj ish-komunistë publikë, ajo nuk do të arrijë as të futet në “ring”. Mungesa e një ideologjie, sasia e panumërt e “renegatëve politikë” (term i kohës që do t’u shkonte shumë përshtat njatyne figurave që me këtë gjuhë i pat mësuar shoku Ramiz Alia) që kanë mbushur radhët, ish-zyrtarë të PD-së e PS-së që janë përjashtuar si të paaftë e të korruptuar, mungesa katastrofike e ndonjë ideali të qartë, duke e kompensuar atë me populizëm nacionalist, e shpërbën këtë sajesë politike pikërisht në përqendrimin serioz të identitetit politik të zgjedhësit. Pra, AKZ nuk mund të jetë as “gur”, as “thërrmijë elementare”: ajo thjesht zëre se nuk ekziston. Kështu e do dhe ekologjia e luftës për ekzistencë në politikë: gjithkush paguan koston e identitetit të sajuar e të simuluar.

Të shumtë kanë qenë ata që me atributin e “gurit” vendimtar në peshoren politike të zgjedhjeve kanë shënjuar FRD-në e z. Bamir Topi. Sa është e mundur kjo? Gjykuar nga listat dhe rikthimi në bazën identitare i fronteve politike PS-PD, e bën të pamundur peshën e këtij formacioni mocionist. Unë mendoj se z. Topi mund të ketë fituar pikë në psikologjinë e zgjedhësit në sajë të guximit, por ka humbur pikë, pa dyshim, në sinqeritetin e tij përballë së djathtës. Kështu, duke gjykuar nga kandidatët e shpallur të tij nëpër zona, duket me njëmend mision i pamundur triumfi i ndonjërit prej tyre në konkurrencën e fortë PS-PD, përfshirë edhe vetë triumfin e z. Topi në Tiranë.

Kësodore diferencën do ta bëjnë dy frontet e socialistëve dhe demokratëve me aleatët e tyre. Midis sosh Partia Socialiste po shpenzon një retorikë të parakohshme, duke u munduar të formojë bindje të padiskutueshme se fituesit do të jenë ata, edhe sikur “votat të numërohen në shtëpinë e Berishës”. Përkundër tyre, koalicioni i djathtë sikur nuk ndihet, po vijon të demonstrojë një qetësi, e cila mund të interpretohet në dy mënyra: si frikë e pasiguri, ose sikur zgjedhjet janë

një procedurë rutinë, që do t‘i fitojnë lehtë. Dhe meqenëse fati i zgjedhjeve kalon nëpër ngushticën mitologjike të Skyllës dhe Haribdës (PS-PD), le të gjykojmë mbi shansin e tyre.

E para, Partia Socialiste është duke krijuar bindjen se bashkimi me LSI-në garanton fitoren. Partitë e tjera të koalicionit të majtë, partitë jashtëparlamentare, nuk ngrenë peshë pothuajse fare as në prodhimin e një mandati. Por edhe në të ardhmen, LSI ka shumë gjasa ta ndjekë fati i Partisë Agrare të z. Xhuveli: është kostoja e mungesës së parimësisë politike, e sinqeritetit politik përballë zgjedhësve, e gjestit dhe sjelljes inkoherente, që e bën këtë formacion politik më shumë si ndërmarrje biznesi të kalkuluar, sesa si fizionomi me identitet politik. Pikërisht bazuar në këtë inkoherencë e kundërthënie, ka shumë gjasa që kostoja politike e saj mund të jetë e rëndë, deri në daljen “jashtë fushës” së lojës, nëse nuk do të ketë zgjuarsinë për t`u shkrirë në kohë me PS-në.

Duke mos e pasur de facto rivalitetin shtesë të LSI-së brenda aleancës socialiste, koalicioni i djathtë do të përballet pa kamuflazh me të.

Nëse qeveria dhe Kryeministri në pushtet do të kishte mbajtur një qëndrim parimor denoncues të korrupsionit të përfolur me videon Meta-Prifti, nëse do të kishte dhënë dorëheqjen e qeverisë dhe hyrjen në zgjedhje të parakohshme, jam i bindur se do të ishte rikthyer në pushtet pa ia pasur fare nevojën LSI-së, e cila me kohë ka qenë e shënjuar dhe e përfolur si pjesa më e korruptuar e qeverisjes. Në kushtet kur LSI u kthye në të kuqen e vet natyrale dhe sot ligjëron për pushtetin e kapur nga “një bandë të korruptuarish”, kjo shkakton një reaksion të fortë te të djathtët dhe liberalët, por kjo pafytyrësi ka shumë të ngjarë të motivojë fort edhe indiferentët e të lëkundurit t`i kundërpërgjigjen kësaj sjelljeje me votë ndëshkuese. E djathta ka shumë shanse t’i fitojë me diferencë të ngushtë zgjedhjet. Për ato pak merita të dëshmueshme. Por sidomos, falë hipokrizisë, sjelljes kontradiktore dhe përçarjes së kundërshtarit të majtë. Gjithçka fillon të qartësohet me hyrjen e së djathtës në fushatë, me inaugurimet e veprave e rrugëve, me karizmën unikale e të padiskutueshme të liderit të saj, z. Sali Berisha e, sigurisht, me avantazhin jo të pakët që të jep të qenët në pushtet…

* Shkrimtar; studime pasuniversitare në institutin e letërsisë “Maksim Gorki”, Moskë, Rusi; fitues i disa çmimeve letrare; publicist; studiues; përkthyes; pedagog; drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit (emëruar nga Kryeministri Sali Berisha).

http://www.panorama.com.al/2013/05/01/kush-mund-ti-fitoje-zgjedhjet-me-23-qershor/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: