Nga Arben Rrozhani

Qeveria vendosi dje, ashtu siç ishte paralajmëruar, që të zëvendësojë anëtarin e LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me një përfaqësues të PR-së.

Këtu nuk bëhet fjalë për zëvendësimin vetëm të një njeriu në Pallatin e Kongreseve prej nga administrohet procesi zgjedhor në Shqipëri, por për një reaksion zinxhir që do të zëvendësojë me qindra përfaqësues të LSI-së nga Zonat e Administrimit Zgjedhor, dhe më poshtë pastaj deri te anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit dhe më pas ato të numërimit.

Reagimet, siç edhe pritej janë të ashpra, madje LSI vendosi mbrëmë t’u drejtohej edhe ambasadorëve të huaj në Tiranë, për të denoncuar grabitjen e anëtarit të KQZ dhe më tej, ndërsa kreu i PS-së Rama, akuzoi Berishën si arkitektin e kësaj grabitjeje të radhës në panikun e largimit nga pushteti.

Pika më e dobët e lëvizjes së fundit të PD-së është shkelja e nenit 18 të Kodit Zgjedhor që flet për ndërprerjen para kohe të mandatit të anëtarit të KQZ-së.

Anëtari i LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho do ta përfundonte mandatin e anëtarit përpara afatit, nëse kryen edhe veprimtari politike, por në fakt ai mërzitet edhe kur e etiketon si përfaqësues të LSI-së në KQZ, se thotë vetëm është propozuar nga partia e Metës.

Ai është shumë i ri për të dalë në pension, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, nuk ka bërë ndonjë krim dhe as është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, nuk ka bërë veprim ose mosveprim që ka cenuar rëndë veprimtarinë e KQZ-së për përgatitjen, mbikëqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre, nuk ka munguar qoftë edhe një ditë pa shkaqe të arsyeshme në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë. Me një fjalë, me letra dhe me ligj ai është në rregull si anëtar i KQZ-së.

Planin e PD-së për të bërë çorap procesin parazgjedhor, “Shekulli” e sqaroi katër ditë më parë, me intervistat e dy ish-kryetarëve të KQZ-së, Kristaq Kume dhe Çlirim Gjata. Kume shprehej kundër largimit të përfaqësuesit të LSI-së, sepse Kodi elektoral e përcakton me mandat 6-vjeçar dhe të pandërprerë. Ai merrte si shembull postzgjedhjet e 2009-ës dhe rastin e PSD-së, e cila nuk kishte asnjë deputet në Kuvend megjithatë kishte një anëtar në KQZ, komision i formatuar përpara zgjedhjeve të 2009-ës, anëtar, i cili qëndroi si i PSD-së deri në fund, deri sa u krijua komisioni i ri.

Ndërsa nga ana tjetër, Gjata u shpreh se koalicioni PS-LSI e cenonte baraspeshën mes forcave politike pozitë- opozitë në KQZ.

Por ai thoshte edhe një fakt shumë të rëndësishëm, se ditën e zgjedhjeve qeveria nuk ka më punë me zgjedhjet, ka dhënë paratë ka vënë objektet publike për votim, policinë, ka bërë listat e zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve në 7 të mëngjesit.

Gjithçka e kanë në dorë organet e administrimit të zgjedhjeve, KQZ, KZAZ, KQV dhe grupet e numërimit, të cilat i drejtonte opozita. Normalisht, qeverisë, për hir të imazhit do t’i leverdiste që zgjedhjet në ishin në “dorën” e opozitës, që ajo të kishte të gjithë aksesin për të pasur kontrollin mbi gjithçka, që nesër të mos kundërshtonte rezultatin e zgjedhjeve.

Qeveria nga ana tjetër, që ka përgjegjësinë dhe merret me organizimin e zgjedhjeve, duhet të ishte e fokusuar te cilësia e infrastrukturës zgjedhore dhe të vriste mendjen se si të krijonte një klimë sa më demokratike para, gjatë dhe pas ditës së 23 qershorit, që më në fund Shqipëria të dilte nga lista e zezë e vendeve që nuk dinë të mbajnë zgjedhje të lira dhe demokratike. Por qeveria ka llogari të tjera.

Derisa ishte LSI-ja në krahun e saj, ajo ka punuar ditë-natë për të parapërgatitur infrastrukturën e manipulimit të zgjedhjeve. Disa me votimin e ndarjes së mandateve në Kuvend, disa duke fryrë me steroidë alla-PD hamshorët e Kukësit, dhe duke “sterilizuar” burrat e Beratit, diku duke bërë një ligj të veçantë për shtetësinë që lejon marrjen më pas të kartave të identitetit, diku duke vënë në dispozicion shtetin dhe rritur presionin, për të numëruar administratën shtetërore të terrorizuar që të votojë në grup për PD-në, ndryshe nisin largimet nga puna, diku edhe duke luajtur me idenë e votimit të 16-vjeçarëve, për t’ua blerë ato 100 mijë vota me notat kaluese në shkollë.

Por shpresa më e madhe, ka mbetur dhe fatkeqësisht mbetet, loja me kutitë, fletët dhe komisionerët.

 Një nga arsyet që kreu i PS-së dha më 1 prill për aleancën me LSI-në, veç maksimalizimit të votës së elektoratit të majtë, krijimin e një blloku të fortë kundër Berishës dhe padyshim rotacionin e sigurt politik, ishte mbrojtja e votës nga pushteti.

Dhe me lëvizjen e djeshme të pushtetit, kjo duket detyra kryesore e opozitës së bashkuar. Të tjerat pastaj vijnë vetë, natyrshëm.

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=20824&kat=92