Ky popull mosmirënjohës!

09/07/2013 - 11:18

Nga: KIÇO BLUSHI

A ka të drejtë populli të jetë mosmirënjohës ndaj dikujt, ndaj një OJF-je, partie apo ndaj një udhëheqësi? Ka ndonjë lidhje varësie mosmirënjohja e popullit me të zgjedhurit e vet, apo është e kundërta: të emëruarit e të zgjedhurit, të gjithë përfaqësuesit e popullit që nga lart e deri poshtë janë të detyruar të mbeten përjetë mirënjohës të përkorë ndaj atij që i ka deleguar fuqinë dhe autoritetin për ta drejtuar? Dhe, nëse populli ua heq këtë të drejtë, a duhet e a mund të quhet kjo sjellje mos-mirë-njohje? 
Logjika më e thjeshtë të çon tek arsyetimi se koncepti moral i mosmirënjohjes mes popullit dhe të zgjedhurve të tij nuk është i barazvlershëm e i njëjtësuar si mes dy njerëzve të vdekshëm. Po të ishte kështu, nuk do të kishte nevojë për zgjedhje e gara mes kandidatësh. Populli do të pranonte të votonte vetëm një herë për një zot të vetëm, duke u vetëdënuar të mbetej mirënjohës i përjetshëm ndaj një udhëheqësi të përjetshëm, “të dërguarit e Zotit”, si dikur... Zgjedhjet vërtet janë kontratë, po ama e përkohshme. Aspak e përjetshme, përfundimtare, si një testament apo tapi. Është kaq e thjeshtë kjo sa të vjen zor e ndot ta përmendësh sot si argument, qoftë edhe në një demokraci deledash. Populli nuk është një qënie statike e amorfe që lind e vdes brenda një kufiri familjar e kohor, si njerëzit. Populli nuk hyn e nuk mbetet kurrë në borxh me të gjallët, qofshin këta të shquar a dijetarë, përveçse me veten. Dhe natyrisht edhe me historinë. Por kaviet partiake vazhdojnë ta gjykojnë popullin si veten, si plastelinë në duart e një sulltani të madhërishëm. Kësisoj “mirënjohja e popullit” shërben si ilustrim i ambalazhuar i mungesës së lirisë vetjake edhe në kushtet e demokracisë. 
*** 
Në diktaturë u duk sikur do të funksiononte tepër gjatë e me sukses trushpëlarja që synonte mirënjohjen e përjetshme për udhëheqësin legjendar. Në demokraci ky absurditet ngjan tepër banal për t’u shqiptuar, aq më pak për t’u besuar. Dje thuhej: Hoxha na çliroi nga nazifashistët e më pas ndërtoi hidrocentrale, shkolla, zhduku analfabetizmin, etj. etj. Sot: Berisha rrëzoi diktaturën më të egër të Evropës dhe më pas hapi tunelet e çau malet... Ndaj të dyve kërkohet mirënjohje e përjetshme! Po populli ç’bënte ndërkohë? Sehir? Apo mos priste që mollët t’i pikonin nga lart? Ky ngulm, për të kultivuar e çimentuar nëpërmjet propagandës, më shumë me fjalë, me parulla dhe me panagjerizma se sa me vepra, përjetësinë e mirënjohjes së popullit ndaj krerëve aktualë, është esenca e mendësisë totalitare. Me sa duket kjo mendësi nuk qenka shlyer, as harruar. 
Për këtë arsye ka ende njerëz që i besojnë dhe i gëlltisin pa i përtypur këto marrëzi e lëtyra primitive! Nuk dihet numri i tyre, pasi kameleonët lëvizin dhe kalojnë nga një ekstrem në tjetrin, sidomos kur merret vesh që “mbreti vdiq”! Por ndërgjegjja e një populli, edhe pse trysnia e “tregtarëve të flamurëve” është jo e paktë, nuk luhatet e nuk mbetet peng i kësaj rrapullie atavike. Nëqoftëse propaganda arrin të manipulojë të gjallët, ajo nuk i manipulon dot të vdekurit, as ende të palindurit, të cilët, si një e tërë përbëjnë ndërgjegjen, kujtesën historike dhe vetëdijen e çdo populli të qytetëruar. Ky lloj eterniteti nuk pranon që populli të identifikohet me të gjallët, me një segment kohor, me një qeveri, aq më pak me një aksh udhëheqës, qoftë ky legjendar apo “historik”! 
Jo se popujt nuk gabojnë, por ata gabojnë kur ndjekin liderë të gabuar, mashtrues, demagogë të talentuar, për të cilët paguajnë shtrenjtë, por kjo nuk do të thotë që populli të mos kërkojë shpagim, duke i hequr “idhujt pa krena” herë me votë e herë me kryengritje, kur vota mohohet. Duke ia lënë në dorë shpagimin dhe hakun historisë, populli është “pusi që lahet vetë”. Me votë të heshtur erdhi ndryshimi më 23 qershor kundër Berishës, ndryshe nga ç’erdhi ndaj të njëjtit person, në vitin 1997! 
E pra, ç’hyn këtu mosmirënjohja? 
*** 
Ditët e fundit jo vetëm në një rast, e as nga vetëm një qëndrestar i fanepsur berishist, populli shqiptar është cilësuar “popull mosmirënjohës” për shkak se guxoi të votojë kundër “liderit historik”, Berishës. 
E jo vetëm kaq, po një gardalinë mediatike e PD-së, e cila mesa duket ka më shumë respekt e dashuri për refleksin e saj në pasqyrë (rrjedhimisht edhe në media e në partinë e saj) se sa për pasqyrën e për atë që realisht përfaqëson, ia mohoi popullit të drejtën të quhet popull! Nga këta “elitarë’ të vetëshpallur populli shqiptar u vlerësua si një turmë injorante, e cila nuk di ç’bën; nuk qenkësh madje i aftë të vlerësojë udhëheqësin e ndritur, fatsjellësin e gjithë këtyre të mirave e begative, meqë u gënjye e votoi kundër tij “për ca para e për një thes miell”; apo ca më keq, për ca ëndrra në diell e qiqra të pjekura në hell... Sylesh, injorant, i paditur, i pabesë, dhe ca më keq, mosmirënjohës qenkësh ky popull! E përse? Sepse nuk e mbajti në pushtet pafundësisht Sali Berishën! 
Sigurisht jo vetëm popullit shqiptar, por çdo populli të tilla dokrra “elitarësh’ të vetëshpallur, nga një vesh i hyjnë e në tjetrin i dalin. Aq më tepër që etiketime të tilla, edhe pse harbute dhe injorante, nuk janë as të parat e as të fundit. Kur u rrëzuan monumentet e Enverit, idhtarët e tij dolën e thanë të njëjtën gjë, aq sa u mobilizuan nëpër formacione gjysmë ushtarake të quajtura “Vullnetarët e Enverit”, duke kërcënuar se do të marshonin në Tiranë për të rivendosur nderin e komandantit të përdhosur nga “populli mosmirënjohës”. Ndërsa tani, që me sa duket e kanë lënë “litarin jashtë”, duke e ditur se arkën e thesarit të shtetit e kanë lënë qëllimisht bosh, kërcënojnë: Prisni, prisni janarin e do ta shihni se si do ta pësoni! Nuk do të kini rroga, pensione, as drita, gjë që tekefundit do të thotë: ke për t’u penduar, o popull që u tregove mosmirënjohës me Berishën, por do të jetë vonë! 
*** 
“Mosmirënjohja” e popullit për udhëheqësin në fund të diktaturës arriti kulmin. Shpejt ish-komunistët fanatikë u shndërruan në antikomunistë fanatikë, enveristët u shpallën antienveristë, aq sa më i shquari i tyre u (vetë) zgjodh kryetar i opozitës e më pas edhe President Republike, ashtu si pas 23 vitesh në tranzicion, një ish-vullnetar i Enverit, i cili, edhe ky, për të njëjtat arsye të mosarsyes, pasi “u ndje” antikomunist dhe antienverist i thekur, për të njëjtat motive u emërua në vitin 2012 President Republike... 
E pra, në këtë gjullurdi morale e kokëposhtësi vlerash ku mund të kërkohen themelet dhe kufiri ndarës midis mirënjohjes dhe mosmirënjohjes, midis përcaktimit se kur dhe me ç’masë një bashkësi mund të quhet popull dhe kur turmë? Thashë emëruar, pasi edhe pse presidenti aktual është i detyruar t’i qëndrojë përjetë mirënjohës (kupto: besnik) atij që e ka emëruar (Berishës) dhe jo popullit, as Kushtetutës! Vendimet e tij të ditëve të fundit po e provojnë këtë. Kësisoj presidenti, njëlloj si deputetët e listave, nuk ka lidhje direkte me votat e popullit, ndaj nesër mund t’i japë të drejtë vetes, po e hoqën nga posti (shembuj të tillë ditët e fundit ka jo pak, kur të hequrit nga listat e deputetëve u treguan ‘mosmirënjohës’ me kryetarin e partisë dhe anasjelltas!...) të shfaqet edhe ky mosmirënjohës jo me kapon e partisë, por me popullin, i cili nuk u ngrit të mbronte Kushtetutën (në fakt atë vetë!), si po e mbrojnë këto ditë Presidentin egjiptian, Morsi, fanatikët e partisë së tij islamike... Ka humbur kuptimi i tradicional i mirënjohjes, pasi kjo vlerë morale shpesh e më shpesh po përdoret, sidomos në politikë, si armë e dobishme e klientelizmit, nepotizmit, rekrutimit, nënshtrimit dhe sundimit jetëgjatë. 
Vitet e fundit ka jo pak shembuj honorifikësh mediatikë që kërkojnë të provojnë se populli quhet i mirë, liridashës, demokrat dhe i mençur, vetëm kur voton për udhëheqësin përkatës, kur bindet e sakrifikon për ta; në rast të kundërt, kur rebelohet, quhet prej tyre kope, një turmë mosmirënjohëse kokëpalarësh...Eh, ç’po na dëgjojnë veshët e ç’po na shohin sytë, teksa dihet që populli nuk ndryshon me urdhër, nuk gjykohet, nuk peshohet, madje nuk ka të drejtë askush të mëdyshë verdiktin dhe vendimet e tij! Por janë të njëjtët krerë që thonë, kur duan të fitojnë: “qytetari është i pari”, “jeni ju, pa jemi ne!”etj., dhe kur humbasin, pra kur populli i heq, e quajnë popull mosmirënjohës, injorant, një i pabesë që “gjykon me stomak” dhe me “xhep”, se u shitka edhe për një pesëdhjetëmijë lekësh!... 
Harrojnë se nuk ka treg ku mund të blihet e shitet një popull; si shitet e blihet një parti, bashkë me udhëheqësin... Një popull mund ta shtypësh, mund ta shfytyrosh, por nuk e blen dot si një dele, e cila edhe kur çohet për t’u therur, duhet të sillet e të mbetet deri në fund mirënjohëse... Por fodullët ballkanikë nuk e kuptojnë dot këtë aksiomë. Janë të dehur me vetveten, edhe pse shembujt nga historia janë të shumtë për të provuar se të tillët janë të destinuar të ikin me të shumtët, në mos në drejtim të paditur, në koshin e plehrave të harresës, aty ku e kanë vendin. Vetëm populli mbetet e gjallon, njëlloj si “pusi që lahet vetë” i Elbasanit.

/BW/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: