Nga Dr. Shken. Novruz ZEJNATI

“Në qoftë se Shqipëria ka për të vdekur një ditë, tek varri i saj do të lexohet ky epitaf: E lindi të bukur Shqipërinë Zoti, e shpëtoi rastësia si një vend i vogël gjeografikisht në këtë rruzull dhe e varrosën politikanët” (Faik Konica)

Politika, këta 29 vitet e fundit në vendin tonë, nga natyra ka qenë dhe vazhdon të jetë e kokolepsur, është e ndotur, e pistë dhe morali i saj mban erë të rëndë mbytëse. Parlamentarët mjeranë në kulturën dhe etikën e të folurit, kanë në fjalorin e tyre vetëm fyerjen e shpifjen, ndërsa përgjithësisht merren me gjëra të vogla e jo me problemet që ke vendi, pra janë njerëz që dinë të flasin e mashtrojnë dhe që nuk dinë të heshtin. Janë të vetëdijshëm dhe zabtojnë më së miri parimin që për të metat që ke vetë, më mirë dil e fol sa më shumë duke akuzuar të tjerët. Ndaj edhe shumë njerëz të arsimuar jashtë vendit nuk e shohin dot mundësinë e punësimit për të sjellë idetë dhe eksperiencën perëndimore, pasi ata janë peng i sekretarëve burokratë të komunizimit. Për këtë arsye ata qëndrojnë larg kullës së mykur, nga e cila koha i ka nxjerrë jashtë. Këta njerëz që merren prej me shumë se 25 vitesh me politikë dhe nuk kanë bërë asgjë për popullin, por vetëm duke u pasuruar në kurriz të popullit, koha do t’ju tregojë shumë shpejt fundin e tyre tragjik. Faktet tregojnë se morali i politikës tashmë është i njollosur dhe i pranuar edhe nga vetë politikanët e korruptuar. Janë megallomanë në ide dhe shpesh propagandojnë se janë si enciklopeditë shëtitëse dhe se ata janë të vetmit për të cilët atdheu dhe shoqëria demokratike kanë nevojë. Ky lloj pseudopolitikanësh është i shumtë në numër, por ata nuk e kanë kuptuar ende se “kanë rënë nga fiku” dhe me gjithëfarë lloj mënyrash duan të mbeten gjallë para zgjedhësve të tyre.

Politikanët tanë nuk merren me zgjidhjen e halleve të njerëzve, por me prapaskena të shëmtuara, përplasje të pafundme për pushtet dhe vrasje politike si zgjidhje të problemeve që kanë me njëri-tjetrin. Pukëvili ka shkruar se: “Shqiptarët janë gjithnjë në luftë, edhe kur nuk luftojnë me ndonjë ushtri të huaj, do të luftojnë gjithsesi mes vetes sepse vetëm këtë dinë të bëjnë më mirë”. Politikanët tanë po e tregojnë qartë se nuk janë të aftë që të bëjnë reforma, të qeverisin dhe të ngrenë lart vendin e tyre, të zgjidhin problemet dhe mosmarrëveshjet në emër të dashurisë së madhe për vendin. Është e kotë që të zgjatesh më shumë dhe të bësh analiza  për të gjetur arsyet se përse janë të tillë bashkëkombasit e mi. Koha e ka vërtetuar se kushdo, çdo popull ka në politikë atë që meriton. Në shoqërinë tonë duke filluar nga periudha e Skënderbeut e deri në ditët tona, viktimë është gjithmonë i varfri, i shtypuri, i poshtëruari, por e ardhmja e këtij vendi nuk është pa një rrugëdalje dhe ajo është tek brezi i ri dhe kultura do të fitojë mbi injorancën, fantasia mbi shterpësinë parlamentare, qytetaria mbi barbarinë, gjenialiteti krijues mbi demonët shkatërrues…

Psikanalisti austriak Alfred Adler thotë: “Parësore është jetesa në komunitet, shëndeti i popullsisë, parandalimi i sëmundjeve dhe nevojave njerëzore për ndryshimin shoqëror pozitiv”. Vlerat më të larta të shoqërisë, si barazia, të drejtat e njeriut, respekti i ndërsjelltë dhe rritja e demokracisë në të gjitha aspektet e jetës, janë vlerat më madhore ku individi do të jetojë i lumtur dhe shoqëria do të jetë më e shëndetshme…E para në fushën e këshillimit familjar e në grup dhe e konsideron edukimin public si një mënyrë të rëndësishme për të përmirësuar shëndetin mendor shoqëror”. Këshilla të tilla që kanë themeluar shkollat e mendimit dhe të psikanalizës, sot janë tepër të rëndësishme në mbarëvajtjen e shoqërisë dhe konsolidimit të mënyrave më të mira e më të shëndetshme. Zotërinj polikanë-levantinë! Njeriu jeton mirë kur janë të gjithë mirë, sepse marrëdhëniet ndërpersonale, familjare, shoqërore e njerëzore, janë gjithnjë në kontakt me tjetrin e nuk mund të jetosh mirë nëse nuk janë të gjithë mirë. Tek ne ka një polarizim të tejskajshëm, demokracia nga kjo shtresë është kuptuar e perceptuar si pasurim e vjedhje në kurriz të popullit më fukara të Evropës, i cili ka mbi 29 vjet që po i duron me rroga e pensione qesharake. Ju zotërinj politikanë nuk keni bërë asgjë për këtë popull, prandaj vota e ndershme e tij duhet t’ju shporri nga pushteti sa më parë. Shqipëria ka politikanët dhe pushtetarët më të korruptuar, më të pasurit në Evropë dhe njëkohësisht, popullin më të varfër në kontinent. Krimi në vendin tonë që nga viti 1992 dhe në vazhdim ka qenë dhe vazhdon të jetë i lidhur me qeveritarët dhe parlamentarët, të djathtë, apo të majtë qofshin ata.

Ndryshe ndodh me njerëzit që kanë tjetër performancë profesionale, shoqërore e njerëzore. Ata nuk duan t’i hyjnë fare sfidave që kanë një përfundim vrastar, sepse e dinë shumë mirë që po të ishin “peshkuar” nga aktorët apo liderët politik, do përfliteshin, mallkoheshin e shaheshin edhe nga njerëzit e kolegët e tyre. Kjo përbuzje dhe shpërfillje kësaj kategorie i kushton shumë. Ata në fakt nuk duan të largohen nga pasioni për detyrën profesionale, nuk duan të bëhen palë me krimin, korrupsionin, prostitucionin; nuk duan të nëpërkëmben, sepse karriera e punës nuk është një mandat zgjedhor, por u takon dekadave dhe rezultateve me të cilat ata çertifikohen. Ata kanë një qasje të admirueshme nga rrethe të gjera akademike, kanë admirimin e ndërkombëtarëve dhe kjo është një pasuri e fituar me mundim, punë, sakrificë e lodhje; nuk është e ardhur apo e përfituar nga rrugë kriminale e korruptive. Njerëzit intelektualë kërkojnë dhe duan të jenë jo vetëm njerëz të mirë, por para së gjithash këmbëngulin të jenë të drejtë. Në fakt të jesh i drejtë, është shumë e vështirë, është përgjegjësi, është pasioni për punën, është emancipim dhe kjo shpreh në fund fare transparencë e koherencë. Është sfilitëse të jesh i drejtë, veçanërisht në kohën që jetojmë, kur çdo ditë bëhemi dëshmitarë të një fjalori rrugaç që mbizotëron në sferën politike dhe atë të medias, bëhemi dëshmitarë të përplasjeev politike që nuk kanë asnjëherë fund, baltosjeve pa fre dhe shohim me keqardhje se si deformohet realiteti dhe e vërteta. Kjo kategori njerëzish që nuk do dhe nuk u pëlqen fare politika, i ka qëndruar besnike parimeve të veta dhe nuk është tunduar aspak përballë provokimeve, shantazheve, kërkesave dhe thirrjeve ku debatet kthehen në sherre dhe përplasjet me grushta e armë gjithashtu nuk kanë munguar.

Njerëzit që kanë prodhimtari të bollshme profesionale, që kanë një emër përfaqësimi në shoqëri, nuk duan t’i bashkohen problematikave, të cilat vetëm ngatërrojnë dhe nuk i shërbejnë përmirësimit, ndreqjes dhe ndryshimit të shqetësimeve të ngritura. Ata u kanë qëndruar shumë larg tymnajave partiake që shpesh prodhojnë korrupsion, krim, prostitucion e asgjë me vlerë për shoqërinë. Në këto dekada, njerëzit me standarde të larta  në fusha të ndryshme shkencore, jetësore e studimore, kanë vision të qartë për të ardhmen e shoqërisë dhe refuzojnë t’i hyjnë këtij “sporti” të pamundur. Ata kanë zgjedhur një platformë ndryshe nga sfera e politikanëve duek qëndruar lag korrupsionit e molepsjes nga krimi. Por edhe politika vetë nuk e paranon këtë kategori, nuk i ka qejf njerëzit e ditur, i mban larg, sepse e kupton të keqen që vjen prej tyre. Ata intelektualët i konsiderojnë si “ndërtesë me shumë lagështi”. Liderët politikë të dy partive të mëdha (PS dhe PD) janë marrë vesh mjaft mirë me njëri-tjetrin dhe kanë nxjerrë në popull lista me kandidatë krejt të paaftë, të cilët dinë vetëm të ngrohin kolltukët e blerë më taksat e të varfërve. I kemi parë udhëheqësit legjendarë e shpirtërore të partive e partiçkave që e kanë mjeruar këtë popull me paaftësinë dhe injorancën e tyre të pashembullt. Në  këto vite tranzicioni, për shkak të politikës së grabitjes, zhvatjes e vjedhjes, na kanë mbetur në mend vetëm protesta, kërcënimë e vrasje dhe jemi dëshmitarë se si mund të bjerë gjithçka nga firma piramidale apo grushti i shtetit. Le të thonë sa të duan ata palo-zagarë politikanë, të çdo partie qofshin, se i kanë shërbyer popullit, se kanë ndërmarrë reforma, kanë luftuar krimin, korrupsionin etj. Këto janë mashtrime të atyre që e quajnë veten prodhues të mëdhenj të reformave, të cilat sipas tyre, çojnë në krijimin e një drejtësie dhe shteti të së drejtës. Politikanët shqiptarë që në krye të herës u korruptuan, u bënë njësh me krimin, me njerëzit që kanë kryer vepra penale dhe paturpësisht llapin nëpër ekrane televizionesh se po bëjnë maksimumin e mundshëm për të përmirësuar jetesën e po krijojnë vende pune për shqiptarët. Ata e dinë mirë se të gjitha krimet dhe prapësitë kanë autorë dhe autorët janë pikërisht politikanët, ata që mbajnë fjalime, që fyejnë e shajnë njëri-tjetrin duke i përdorur retorikat si karrem për njerëzit e ndershëm, për ata që robiten për një kafshatë bukë. Faktet e argumentet më të të mira, më të pakontestueshme që flasin se politika është pa arsimin dhe e duhur dhe forcën intelektuale për të drejtuar shtetin, për t’i dhënë këtij vendi dinjitetin dhe integritetin e mohuar në kaq shumë vite, gjenden pikërisht në klasën tonë politike në mënyrën se si ajo vepron dhe merr vendime. Vazhdimisht dëgjojmë deklarata të tipit “në qershor të këtij viti Shqipërisë do t’i hapen negociatat për në BE”. Kush tha se do të ndodhë kështu? Duan apo nuk duan politikanët, për arsye se ata kanë qenë e janë kundra këtij procesi, negociatat për pranimin e Shqipërisë në BE, janë akoma larg. Janë larg sepse këtë gjë po bëjnë politikanët tanë me veprimet e tyre. Vendet anëtare të BE-së nuk kanë për t’i marrë me seriozitet kërkesat për hapjen e negociatave dhe anëtarësimin në BE. Është për të ardhur keq që çdo ditë në vendin tonë kemi ngjarje me vrasje, drogë, krim e korrupsion. Dhe pas kësaj larmie ngjarjesh vihet re një performancë e dobët, një mungesë vullneti e paaftësie për të rritur ritmin në mënyrë që prioritetet e punës të mos zbvarriten, të mos sjellin vonesa, sepse kostoja është barrë e rëndë dhe këtë e paguajnë njerëzit. Ritmet e larta të punës kërkojnë njerëz me formim bashkëkohor, kërkojnë intelektualë që e kanë në zemër punën dhe paditurisë e injorancës duhet t’i tregojmë forcën e drejtimit me tru, me iniciativë dhe guxim.