Lista e kushtëzuar e Berishës

16/05/2013 - 15:35

Nga Armand Shkullaku

Lista e Sali Berishës për 23 qershorin ka provokuar shumë komente, mes të cilave dallojnë ato që i mëshojnë një lufte të heshtur klanesh brenda PD si dhe ato që analizojnë efektet negative të përfshirjes së tre ish-socialistëve dhe gjashtë kryetarëve të partive të vogla aleate në vende të sigurta. Këto të fundit madje, në kontrast me lënien jashtë parlamentit të disa figurave të njohura të PD, shihen edhe si një rrezik potencial për dekurajimin e elektoratit tradicional. Kësaj pjese po i këndon fort edhe opozita, për të përfituar sa mundet nga motivi i “tradhtisë” dhe i shpërblimit “të tradhtarëve”.

Megjithatë, të thuash që lista e PD-së është produkt i luftës së brendshme dhe e kushtëzuar nga nevoja për të shpërblyer ata që mbajtën me vota qeverinë deri në fund, nuk është e saktë. Më shumë se shprehje e ndonjë rivaliteti brenda PD, hartimi i listës së djathtë është refleks i një emergjence politike. Ikja e LSI në kampin tjetër ka qenë befasuese për Sali Berishën, i cili është detyruar më pas të përgjigjet i kushtëzuar politikisht. Kompensimi i votave të Ilir Metës, e ka bërë Berishën të kthejë kokën dhe të llogarisë çdo votë të mundshme nga çdo aleat i mundshëm. Gropa e krijuar është dashur të mbushet menjëherë. Berisha nuk ka patur kohë as për negociata të gjata dhe dhënia e një vendi të sigurt në listë për Fatmir Mediun, Dashamir Shehin, Nard Ndokën, Shpëtim Idrizin, Lufter Xhuvelin e Ekrem Spahinë dëshmon për këtë. Me qëllimin e maksimalizimit të çdo vote, oferta iu bënë edhe FRD apo partive të tjera të majta, por nuk u arrit dot më shumë se kaq. Duke mbledhur elektoratin e mundshëm të gjithë këtyre partive të vogla, PD shpreson që të paktën të ruajë mandatet e 2009 dhe të zbusë efektin e kalimit të LSI në koalicionin me PS.

Për Berishën ky është një bast i fortë, ndoshta më i forti që ka luajtur ndonjëherë. Ai po hyn në një betejë që edhe nëse fiton, mbi 10 për qind të grupit parlamentar nuk do ta ketë të vetin, por mbi të gjitha, nëse humbet, rrezikon që të katandiset vetëm me një grusht besnikësh rreth vetes. Lideri i PD nuk ka patur rrugë tjetër. Pasi u detyrua të tejkalojë vetveten në vitin 2009 për të siguruar pas zgjedhjeve qeverinë me Ilir Metën, sot është i detyruar për një krushqi më të madhe por përpara zgjedhjeve.

Në këto kushte, Sali Berisha hallin më të madh nuk ka pasur dobësimin apo forcimin e ndonjë grupi brenda PD, por kombinimin e aleancave që do të mund të kompensonin efektin LSI. Ekuilibrat në PD janë diçka që presin dhe që vendosen po nga autoriteti i tij. Një intervistë e Mark Markut dhe mungesa e Ilir Rusmajlit në mitingun e Tiranës ishin dy shenjat e vetme të pakënaqësive në radhët e demokratëve. Të tjerët, edhe ata që u përfolën si të prekur por edhe ata që u spostuan në lista, u panë të buzëqeshur në krah të Berishës. Sigurisht që ndjeshmëri të caktuara reflektohen në listën e PD, por ato nuk kanë qenë përcaktuese aq sa kombinimi në zona të sigurta i kryetarëve të partive aleate.

Në këtë funksion, por edhe me ndonjë synim më tepër, ka qenë caktimi praktikisht si deputetë i tre ish-socialistëve Islami, Kadeli e Dogjani. Nëse secili prej këtyre emrave arrin të tërheqë ndonjë votë për shkak të investimit personal në politikë apo në zonat ku bëjnë pjesë, kjo do të ishte përsëri e vlefshme në raport me efektin që krijon LSI. Ndërsa politikisht, përfshirja e tre ish-socialistëve i shërben Berishës për të treguar se e majta mbetet gjithnjë e përçarë dhe për t’u kujtuar votuesve se ata që ka përballë, të gjithë me radhë, e kanë akuzuar njëri-tjetrin për tradhti në raport me të. (Është akuzuar Meta në 1996 e 2009, Majko në 1998, Nano në 2002 e 2007, e madje edhe vetë Rama pesë vjet më parë kur ndryshoi Kodin zgjedhor e tentoi të eliminonte ata që i vinin shkopinj në rrota). Lëshimi i tri vendeve për ish-kundërshtarët, është gjithashtu edhe një lëvizje për pas 23 qershorit. Nëse rezultati i zgjedhjeve do të jetë tepër i ngushtë, ashtu siç edhe parashikohet, Berisha ofron një model konkret për ata që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të, duke tentuar të dalë më i fortë edhe në garën e pragmatizmit. Sigurisht edhe kjo është një lëvizje me rrisk të lartë, sepse askush nuk ofron garanci të përhershme dhe LSI është një shembull i pastër në këtë drejtim. Por pikërisht prej LSI, Berishës nuk i kishte mbetur mundësi tjetër, përveç një liste që i ofron pushtet kujtdo si e vetmja alternativë për të mbetur në pushtet.

http://www.mapo.al/2013/05/16/lista-e-kushtezuar-e-berishes/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Prej gati dy javësh, bashkia e Durrësit ka ndërmarrë një aksion të gjerë pastrimi në të gjithë territorin.

“A duhet t’i besojmë Albin Kurtit”, tash e një kohë kjo është pyetja që më bëhet më së shpeshti prej njerëzve të pavarur politikisht, pre