Lubonja thotë se albanofobia është reminishencë nga Enver Hoxha

26/02/2013 - 17:53

TIRANË, 26 shkurt 2013– Sipas një hipoteze, “që qarkullon nëpër tryeza diplomatësh” deklaratat nacionaliste të Berishës “u drejtohen pikërisht ndërkombëtarëve, jo shqiptarëve”, shkruan Fatos Lubonja në kolumnën e titulluar “Ç’qëndron pas termit “albanofobi”” në gazetën “Panorama” të 26 shkurtit 2013. Lubonja thotë se Berisha “i lodhur apo zhgënjyer me ndërkombëtarët që ia refuzojnë statusin – që do të thotë ta pranojnë kështu siç është – ai ka zgjedhur t’i shantazhojë ata: ju nuk doni të më pranoni në Europë, atëherë unë kaloj në planin B dhe ju krijoj probleme më të mëdha nga ç’mund ta mendoni. Pra, sipas kësaj hipoteze, termin “albanofobia” ai e ka përdorur jo thjesht për të përshkruar frikën e vendeve fqinje ndaj shqiptarëve, por edhe frikën e Europës për të pranuar shqiptarët në gjirin e saj. Është një hipotezë që, në një farë mënyre, është edhe pasqyrë e frikërave evropiane”.

Analisti Lubonja shënon se “nëse do t’i besojmë kësaj hipoteze, nuk mund mos të të shkojë në mendje se ai ka dashur, në një farë mënyre, të imitojë Kryeministrin turk Erdogan, i cili, i lodhur edhe ai me pritjen e pranimit të Turqisë, ka ca kohë që flet për “islamofobi” dhe kërkim alternativash të reja ndaj asaj europiane. (Grupi i Shangait)”. 

“Nëse shumë vende mund t’ia lejojnë vetes luksin që ta mendojnë veten jashtë projektit europian, shqiptarët do të ishin më të humburit me këtë. Dhe me “shqiptarët” kam parasysh edhe ata në Kosovë, që duket sikur do t’i tërhiqte me vete plani B i Berishës. Kjo jo vetëm pse në kushtet që ndodhen sot, për sa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike, një shteti të së drejtës, shqiptarët kanë nevojë të jenë të lidhur me vendet demokratike – për lirinë dhe të drejtat e tyre më së pari – por edhe pse, e larguar nga Europa, bota shqiptare do të mbetej sot thuajse edhe pa miq”, nënvizon Lubonja.

Për publicistin dhe shkrimtarin e njohur Fatos Lubonja, “një Shqipëri vërtet demokratike dhe e integruar në Bashkimin Europian do të ishte një Shqipëri që do të kapërcente edhe urrejtjet e vjetra ndëretnike në rajon. Kurse një Shqipëri që shkëputet nga projekti europian dhe bubrron për të gjetur mbështetje politike dhe ekonomike te shtete me standarde demokratike më të ulëta, mund t’u shërbejë vetëm qëllimeve të errëta pushtetesh jodemokratike e mund të çojë edhe në aventura nacionaliste”.

Ish-i burgosuri politik i konsideron lëvizjet e fundit të liderit të PDSH-së “reminishencë e së kaluarës së errët të Enver Hoxhës, kur ky, për pushtetin e tij, izoloi shqiptarët duke i lënë kaq prapa”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Durrah/

Më hollësisht shih: http://www.panorama.com.al/2013/02/26/cqendron-pas-termit-albanofobi/#ixzz2M1S6Bi2a

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: