Madhështia e shpërfillur e thjeshtësisë

01/07/2013 - 13:09

Nga Andrea Stefani

Dje në mëngjes, m’u para hyrjes së pallatit ku banoj, pashë një grumbullim që jepte e merrte përkulur mbi një njeri të rrëzuar. 

I derdhnin ujë mbi fytyrën e bërë meit, ndërsa ia godisnin me pëllëmbë për ta përmendur. Ishte një djalë fare i ri që qe shembur befas. E ëma, e shastisur nga tmerri, i thërriste në emër, ia fërkonte shpatullat. Pranë saj, ndoshta e motra, qëndronte e mekur. Afrohem i shqetësuar me pyetjen “çfarë ka?” në buzë dhe aty pashë, njeriun që me gjestin e tij, “më urdhëroi” të bëj këtë shkrim, duke anuluar një tjetër për “zgjedhjet”. Ishte edhe ai një djalë, aty rrotull të 30-ave, që i ulur në gjunjë mbi asfalt, po jepte e merrte me të alivanosurin. Me kurajën dhe vendosmërinë e një kirurgu, fuste gishtat në fytin e të gjorit për t’i nxjerrë gjuhën që ai e kish gëlltitur dhe po i bllokonte rrezikshëm frymëmarrjen. Arrita në momentin kur përpjekja doli me sukses dhe shpëtimtari, ndërsa i zhbllokoi frymën viktimës, tha nëpër dhëmbë “ashtu mirë!” Ky njeri i panjohur sapo kishte shpëtuar një njeri! 

*** 

U deshën vetëm disa sekonda që djaloshi të dalë nga gjendja e të fikëtit dhe nëna e tij, mes ngashërimeve dhe një gëzimi të përlotur, të shqiptonte disa fjalë bekimi në drejtim të shpëtimtarit. Por shkurt e kalimthi, sepse qe ende e përthithur nga tmerri dhe meraku tek shihte të birin që, edhe pse i ardhur në vete, mbetej kruspull me fytyrën ende të zbehtë. Ne pak të tjerë, ndërpremë kërkimin e urgjencës nëpër celularë, të lehtësuar që nuk kishte më nevojë për një ndihmë që vështirë se do të mund të vinte në kohë. “Rrofsh dhe të lumtë!” - i thashë shpëtimtarit duke ia rrahur shpatullat plot mirënjohje dhe admirim. Mërmëriti disa fjalë rutinë mbi faktin që kish qenë i detyruar t’i tërhiqte viktimës gjuhën dhe… kaq. E pashë tek bëri të ikte, pastaj si u kthye për t’i hedhur edhe një sy djalit, tamam si ai mjeshtri që do të sigurohet për të fundit herë se gjërat janë në rregull dhe pastaj se si u largua drejt një furgoni të vogël të bardhë. 

*** 

Më vonë mora vesh se shpëtimtari është një nga furnitorët e zakonshëm të një kioske të vogël aty pranë hyrjes ku banoj. Ma tha Adi, pronari i saj dhe komshiu im i katit të dytë. Ishte ndodhur rastësisht atje, tamam si i dërguar nga Zoti. Sepse Perëndia dërgon vetëm shpëtimtarë. Dhe ai njeri që nuk ia dimë as emrin, është vërtet, po vërtet një shpëtimtar! 

*** 

Askush nuk do ta kishte marrë vesh se ç’ngjau dje në mëngjes, nëse nuk do të isha ndodhur atje, nëse nuk do të isha ulur për të bërë këtë shkrim. Përse ndodh kështu? Kur ndodh një vrasje apo tjetër krim, lajmi përhapet me shpejtësi nëpër eteret e medias duke qenë prezent në ekrane dhe gazeta shumë më tepër sesa duam. Lajmi i vdekjes na ndjek këmba këmbës si një qen i keq. Ndërsa ai i shpëtimit, i fitores së jetës, jo. Dëgjojmë pa fund “e vrau”, por shumë rrallë “e shpëtoi”. Një deformim mediatik nekrofil, që padyshim na bën shumë keq, na bën të shohim ngado ligësi, na frikëson deri në verbim, na bën të kemi frikë nga njëri-tjetri dhe të mos kuptojmë se pranë kemi njerëz, shpëtimtarë të gatshëm që të na japin dorën, të na mbrojnë, të na shpëtojnë, pa asnjë shpërblim, atë që kemi më të shtrenjtë. 

*** 

Më ka mbetur në mend tek largohej me kokën e kthyer nga viktima, si për t’u siguruar se shpëtimi ishte i pakthyeshëm. Me figurën e larë e ndriçuar nga rrezet e diellit të mëngjesit. Si një Mesia. Se si u drejtua kah furgoni i bardhë me një nxitim këmbëlehtë që rrezatonte atë ndjenjë ngazëllimi të brendshëm që pushton këdo, sa herë kryen diçka të mirë. E pashë si iku me “indietro” për në punën e tij me të cilën nxjerr bukën e përditshme të familjes. Pa medalje, pa dekorata, pa duartrokitje. Vetëm me bekimin e një nëne në zgrip të lemerisë. *** Do ta gjej se s’bën se kush është. Dua ta gjej emrin dhe mbiemrin e shpëtimtarit. Do t’ia kërkoj Adit, komshiut, të ma thotë. Do t’ia gjej numrin e telefonit dhe, në paça sukses, do bëj atë që nuk e kam bërë me as edhe një politikan, deputet, VIP apo të tjerë nga të shquarit e këtij vendi të pashquar, që korrin pa fund admirim dhe duartrokitje. Madje edhe kur qëllojnë të vrasin njerëz dhe nxirosin jetë. Do t’i lutem shpëtimtarit pa lavdi dhe me furgon të bardhë, të pijë “një kafe” me mua. Do ta bëja gjithë dëshirë, gjithë kënaqësi, respekt, përulje dhe admirim. Sepse ai njeri bëri dje atë që unë nuk e kam bërë dot në gjithë këta vite të jetës sime, atë që shumica e njerëzimit, miliarda njerëz nëpër botë, nuk kanë fat ta bëjnë kurrë në jetë. Ai ka shpëtuar një njeri! 

 /Shqip/ 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: