Nga Andi Bushati

Edi Rama dhe Ilir Meta kanë hedhur sot hapin vendimtar drejt shkatërrimit të zgjedhjeve. Ankthi i këtyre siamezëve në mëkat për t’u ndarë nga njëri-tjetri, i ka detyruar t’i drejtohen KQZ-së me një letër ku i kërkojnë të shtyjë afatet e rregjistrimit të koalicioneve.

Loja është e qartë.

Kryeministri, me gjithë përbetimet e tij se do të shkojë edhe i vetëm trim në atë që e koncepton si luftë, ka frikë t'a hedhë këtë hap pa Ilir Metën. Ky i fundit pasi ka parë reagimet e forta të ndërkombëtarëve dhe injorimin që i bëri shefi i diplomacisë gjermane, heziton të shkojë drejt humnerës së bashku me Lulzim Bashën. Por, nga ana tjetër, ai ka një përbetim publik dhe një vendim kryesie të marrë në gjaknxehtësi e sipër, se nuk do të paraqitet në 18 qershor pa opozitën. Kështu që të dy kanë vendosur ta zgjidhin hallin që i ka zënë duke i rënë në qafë ligjit.

Argumenti që ata përdorin në letrën që i kanë adresuar KQZ-së është qesharak: “Do presim edhe pak PD-në”. Asnjë referim ligjor, asnjë zgjidhje juridike, thjeshtë një vullnet personal.

Po ta shohim në sfondin kohor të qeverisjes, kërkesa voluntariste për të shtyrë datën e regjistrimit të koalicioneve i ngjan prishjes pa ligj të ndërtimeve “pa leje”, garave të dhëna pa tender, koncesioneve të shpërndara për miqtë, qyteteve të ngjyrosura sipas shijeve të një piktori mesatar.

Por, në këtë rast, ashtu siç e ka shpjeguar Lapsi.al, Kodi zgjedhor është fare i qartë. Neni 65 i tij e thekson pa ekuivoke se koalicionet mund të rregjistrohen jo më vonë se 60 ditë nga data e zgjedhjeve. Pra deri këtë të mërkurë në mbrëmje. Më pas këto parti mund të konkurojnë veç e veç, mund të mos hyjnë farë në zgjedhje, mund të bëjnë çfarë të duan, por në mënyrë taksatve ato nuk kanë më të drejtë të jenë një aleancë me njëra- tjetërën.

Nga pikpamja ligjore KQZ nuk mund ta marrë vendimin që i kërkohet. Do të ishte njësoj si t'a detyroje një gjykate të merrte në shqyrtim një çështje pasi i ka skaduar afati. Ose më keq akoma, t’i jepje mandat një gjykate të shkallës së parë për të ndryshuar ligjin. Në fakt edhe me precedentë të mëparshëm asnjëherë nuk ka ndodhur kështu. KQZ gjithmonë i ka rrefuzuar pjesmarrjen e atyre që janë paraqitur me vonesë.

Përtej kësaj zgjidhje me anë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ka edhe një rrugë të dytë. Që afatet e regjistrimit që janë të përfshira në Kodin Zgjedhor, të ndryshohen nga parlamenti me një shumicë prej 84 votash.

Por, një rrugë e tillë jo vetëm do të ndryshonte rrgullat e lojës në mes të saj, por ajo do e transformonte kodin me vota të blera dhe me përjashtimin e opozitës.

Në të dyja rastet, këtyre zgjedhjeve tashmë të njollosura, do t’i vihej vula e turpit.

Dhe sado paradoksal që të duket justifikimi se kjo shtyrje afatesh po bëhet për të ndihmuar Lulzim Bashën, për t’i dhënë një mundësi që të heqë dorë nga çmenduria që ka nisur, për t’i ofruar shancin e fundit që të mos shkojë drejt vetëvrasjes, ai në afkt është në favor të opozitës.

Deri më tani, Basha dhe PD kanë në dorë vetëm parandjenjën se zgjedhjet nuk do të jenë të rregullta. Ata nisen nga dyshimi se paratë e narkotrafikut, shpërblimet e dhëna në katër vite për oligarkët, do të financojnë fushatën e së majtës. Ata kanë vetëm indicien se televizionet e mëdha, tashmë të blera, do të punojnë kundër tyre. Ata mund t’a supozojnë, por jo të vërtetojnë se kriminelët e liruar nga burgjet do të përdoren në 18 qershor.

Ndërsa, nëse Kodit Zgjedhor i miratuar me konsensus, trajtohet si zhgarravinat e Edi Ramës gjatë mbledhjeve të qeverisë, pra nëse ai nuk respektohet dhe nëpërkembet, ata do të kenë provën e parë, të qartë dhe të prekshme, se si i trajton kjo shumicë zgjedhjet. Pas kësaj ata janë në të drejtën e tyre ta denoncojnë këtë krim të bërë ditën për diell. Ata janë në të drejtën e tyre të bëjnë thirrje për t’u mbajtur mend 19 prilli, si dita kur Rama dhe Meta treguan se mund të bëjnë ç’të duan. Si akti kur ata filluan prishjen e zgjedhjeve. Sepse që nga e enjtja e tutje ka vetëm dy mundësi: Ose zgjedhjet zhvillohen në 18 qershor dhe të gjitha partitë që duan mund të hyjnë veç e veç, ose ato të shtyhen përtej kësaj date. Ç’do zgjidhje tjetër do të ishte anti-zgjedhje. 

(Lapsi.al)