Nga Hamdi Jupe

Zgjedhjet e 23 qershorit po afrojnë dhe bashkë me to po thellohet edhe debati teorik lidhur me rolin e këtyre zgjedhjeve. Rrotacion jo rrotacion, ndërrim pushteti, ndërrim ekipesh apo ndërrim i mënyrës së qeverisjes: këto janë idetë që po hidhen nëpër media, jo pa pasion elektoral.

Rrotacioni i pushtetit është ndërrim i ekipeve qeveritare dhe i politikave të qeverisjes në një vend të caktuar, në rrethana të caktuara. Demokracia botërore këtë formë ka përpunuar deri tani, si rrugën më të përshtatshme për perfeksionimin e politikave dhe ekipeve të qeverisjes. Sistemi totalitar, ku qeverisja ishte “e përjetshme”, dështoi. Ai sot ka mbetur në fuqi vetëm në Korenë e Veriut.

Demokracitë e zhvilluara e kanë gjetur mekanizmin e vetërregullimit të brendshëm të shoqërive të tyre. Ky mekanizëm është rrotacioni i politikave dhe i ekipeve që i përfaqësojnë këto politika. Mund të ketë edhe rrugë të tjera, por ato nuk janë zbuluar ende prej njerëzimit. Prandaj jemi të detyruar të mbetemi te ajo që njohim.

Demokracia më e zhvilluar në botë është ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Niveli i demokracisë dhe i shtetit ligjor atje është më i përsosur se kudo tjetër. Zhvillimi ekonomik, po ashtu. Dhe dihet se mekanizmi që ka çuar në këtë shoqëri të zhvilluar, prej më shumë se dyqind vjetësh, është ai i kontrollit të pushtetit prej popullit, nëpërmjet rrotacionit të pushtetit, me zgjedhje që zhvillohen çdo katër vjet. Historia amerikane njeh edhe shembuj presidentësh që kanë qenë shumë popullorë dhe të suksesshëm në fundin e mandatit të tyre të dytë. Megjithatë, ata nuk mund të rizgjidheshin më në këtë post, sepse nuk e lejon Kushtetuta.

Të vazhdojmë pastaj me Francën, Britaninë, Gjermaninë, Italinë etj., deri edhe te Kina komuniste, që e ndërron ekipin udhëheqës çdo dhjetë vjet. Mandatet e qeverisjes janë të përcaktuara qartësisht në kushtetutat e tyre, me katër ose pesë vjet. Më tej ndodh verifikimi në publik me anë të zgjedhjeve të lira, që në shumicën e rasteve çon në ndërrimin e udhëheqjeve ekzistuese me udhëheqje të reja.

Rrotacioni nuk është një fatkeqësi kombëtare, përkundrazi, është festë për votuesit. Kështu ndodh në vendet demokratike. Thjesht ndërrohet udhëheqja ekzistuese me një udhëheqje të re, që pretendon se do të reformojë sistemin, por nuk e ndryshon thelbin tij. Te njerëzit krijohet një shpresë e re, një besim i ri për punë, pasuri, përparim, arsimin etj., veçanërisht në kohë krizash si kjo aktualja.

Shqipëria ka 23 vjet që ka hyrë në rrugën e zhvillimit demokratik me anë të sistemit politik shumëpartiak. Kjo do të thotë se ajo ka pranuar ato forma të përcaktimit të qeverisjes që ka njohur dhe ka përpunuar edhe bota demokratike. Se sa i përsosur apo i mangët ka qenë zbatimi në praktikë i këtyre rrugëve, ky është një problem tjetër. Ai është deformuar nga faktorë subjektivë që kanë qenë në krye të vendit, por nuk ka vënë në dyshim vlerat e sistemit dhe të mekanizmave të rrotacionit, përkundrazi.

Në vitin 1996, në zgjedhjet e 26 majit, ndodhi një shkelje e rëndë e këtij parimi bazë të funksionimit të demokracisë. Atëherë u manipuluan zgjedhjet masivisht. Kjo e goditi rëndë vetë sistemin e vlerave të një shoqërie demokratike ku sapo kishin hyrë. Dhe pas kësaj erdhi menjëherë kriza financiare e vitit 1997. Po të mos kishte ndodhur manipulimi i zgjedhjeve, nuk do të kishte ndodhur kriza e njohur e piramidave.

Ata që kanë frikë nga rrotacioni, duket se nuk i kanë të qarta këto koncepte teorike rreth tij. Ata e konceptojnë rrotacionin si një fatkeqësi kombëtare. Kjo vjen sepse zhvillimin e shoqërisë e shikojnë si lojë në duart e një individi apo një grupi individësh, të cilët janë të “vetmit” që dinë të qeverisin. Të tjerët, vetëm fatkeqësi do të sjellin, sipas tyre.

Shqipëria ka tetë vite që qeveriset nga një koalicion qeveritar. Sukseset apo mossukseset e tij, është koha të verifikohen tani, në këto zgjedhjet e 23 qershorit. Populli do të vendosë nëse do të vazhdojë të mbajë këtë udhëheqje, apo do të sjellë në qeveri një udhëheqje të re, me anë të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Populli do të vendosë. Por këtu është vendi të thuhet se nuk do të ndodhë ndonjë tragjedi nëse ndërrohet udhëheqja aktuale qeverisëse me një ekip tjetër qeverisës. Përkundrazi. Do të krijohet një shpresë e re për shqiptarët nga një qeveri e re që do të vijë.

Vendi është në një krizë të thellë ekonomike, me borxhe të mëdha të jashtme e të brendshme, të njohura e të padeklaruara, me borxhe ndaj qytetarëve të vet, me mungesë besimi të institucioneve financiare ndërkombëtare ndaj qeverisë aktuale etj. Pa folur këtu për problemet e tjera të shumta, të grumbulluara prej vitesh. Kjo situatë e ka kapur vendin për fyti. A janë në gjendje ta nxjerrin prej saj ata që e krijuan këtë gjendje? Edhe mundet të ndodhë. Por këtë do ta vendosë publiku më 23 qershor.

Politika është perceptim i publikut mbi qeverisjen. Nëse ky perceptim është pozitiv, atëherë punë të mbarë qeverisë! Por nëse ky perceptim është negativ, atëherë më mirë largohu pa ta thënë të tjerët këtë gjë. Kur nuk je në gjendje të bindësh popullin tënd për punën që bën, atëherë shko bind ndonjë popull tjetër!

Rrotacionin e konceptojnë dhe e propagandojnë si fatkeqësi kombëtare ata që janë në pushtet dhe që nuk duan të largohen prej tij me anë të zgjedhjeve. Frikën e humbjes së karriges së tyre, që e mendojnë dhe e deklarojnë si të akaparuar për “tridhjetë vjet”, ata përpiqen ta shpërndajnë edhe te aktivistët dhe militantët e tyre, pra te populli i thjeshtë.

“Do bëhet kiameti po humbëm zgjedhjet!”. Kjo psikologji i udhëheq ata në punët e fushatës. Dhe pas kësaj vijnë veprime të paligjshme që minojnë demokracinë, ku bëjnë pjesë edhe lloj–lloj përpjekjesh për të manipuluar, atje ku mundet, zgjedhjet që po vijnë. Ky mendim i “fatkeqësisë” që vjen nga humbja e pushtetit, është burim i të gjitha tensioneve.

Mundet që ekipi i ri qeverisës, i cili do të dalë nga zgjedhjet e reja, të mos i kënaqë votuesit e sotëm gjatë katër viteve të ardhshme. Kjo ndodh në shumë vende. Por kjo nuk i ul vlerat e rrotacionit. Zgjedhjet do të vijnë përsëri dhe kostot e qeverisjes së keqe do të paguhen në ato zgjedhje që do të vijnë. Ky është rrotacioni, kjo është demokracia, kjo është bukuria e kësaj shoqërie. Rrotacioni është pjesë e lojës demokratike dhe e interesit publik.

Rrotacioni nuk lidhet me emra të përveçëm politikanësh, që janë apo që duan të vijnë në pushtet. Rrotacioni nuk është “Berisha apo Rama”, apo ndonjë binom tjetër i tillë. Ky është vulgarizim i konceptit të rrotacionit, është “rrotacion” individësh, por jo rrotacion politikash dhe ekipesh. Rrotacioni është tjetër gjë, është thelbësisht tjetër gjë. Prandaj nuk ka përse të trembemi prej tij.

http://www.panorama.com.al/2013/05/22/mbi-rrotacionin/