Nga Edlira Gjoni

"Kokëpalarët, shpellarët, hajdutët, urinuesit, dështakët, rrëmujaxhinjtë, të vonuarit, të pavlerët, fshatarë, të pacivilizuar…"

Janë epitetet që media nxiton të publikojë e të pranojë së fundmi, kur flet për protestuesit e opozitës.

Kanë kusuret e veta disa nga njerëzit që e drejtojnë apo mbështesin opozitën dhe janë arsyeja pse të djathtët nuk dalin as në protestë, as në mbështetje të saj.

Ama kjo nuk do të thotë se të djathtët janë sinonim i linçimit të pafre që ka filluar e majta dhe portalet e saj.

Me fjalor e foto qesëndisëse qeverie, me share, like e ripostime nga shpura e kuqe, është hapur një luftë urrejtjeje dhe keq portretizimi për anti-rilindasit në vend.

Është e turpshme, e ulët, anti-shqiptare, veprim i lig, dashakeq, i nisur nga njerëz prej të cilëve njeriu duhet të ruhet. Çdo linçim, stereotip, sinonim e epitet që i vishet të djathtëve, është ligësi gjarpërore.

Se nëse të djathtët janë ashtu, atëherë të majtët janë laraska, burrecë, mashtrues, manipulatorë, struca, shtremsa, narcizë dështakë, zylo kamberë, hileqarë, grabitqarë, gënjeshtarë, prepotentë, inferiorë, sipërfaqësorë, tradhëtarë, abuzues, përdhunues, vrasës, hajdutë me kollare, rrezik kombëtar.

Farë e keqe që do na çojë sërish në zgjedhje që kërkon t’i fitojë 100%, sikur jemi në fushatë korrje-shirje në vitin 1976.

Nuk tingëllojnë mirë sharjet për PS-në dhe të kuqtë, ë?

Atëherë më ç’të drejtë villni vrer kundër të tjerëve?

Shqipëria ka 1.8 milionë votues. Jo të gjithë janë syleshë. E asnjëri nuk është as shpellar, as kokë palarë.

Mblidhni frerët dhe kontrolloni gjuhën e urrejtjes, të përçarjes, të krijimit të dy fronteve që ushqejnë neveri për njëri-tjetrin.

Vihuni kundër fenomeneve, jo kundër njerëzve.

I thoni “Jo” kandidimeve moniste, nepotizmave, abuzimeve, shumë-fytyrësisë, shkatërrimit të shtetit, të imazhit, djegies së mandateve, të mundësive, të së ardhmes që na i mbajnë peng të majtë e të djathtë.

Por, kurrë, KURRE mos shani asnjë shqiptar për kokën a për shtëpinë, se një tullë më lart a një më poshtë, një dhé i shkelur na ka baltosur të gjithëve.

Mos shani e mos ndani, o të ngopurit me lugën bosh.

Pyesni: Ku po shkon Shqipëria me bejlerët e shekullit XXI?

Dhe të reagojmë për të, jo për urrejtjen që mezi presin ta shohin ulur këmbëkryq mes nesh, kokë palarëve!

Ata, të larët në flori!