Mes Djangos dhe Hitlerit, ose: si mund të pastrohet koka nga budallallëqet ballkanase

25/02/2013 - 18:45

Nga Agron Bajrami* 

Redaktimi i gazetës është një punë pas së cilës zor të merr gjumi. Koka të ushton nga qindra informata, prej të cilave njeriu nuk ndihet as më mirë e as më i mençur, ndërsa përkundër një dite të tërë të leximit e redaktimit të lajmeve, raporteve, intervistave, reportazheve, analizave e kolumneve, pushimi është i mundur vetëm nëse truri para gjumit së pari tërësisht “zbrazet” dhe “pastrohet”. Kurdo që jam në atë gjendje të “shokut profesional”, shkarkimin dhe çlodhjen e kërkoj në ndonjë film të mirë. Para pak ditësh, për këtë qëllim më shërbeu shumë mirë filmi i ri i Quentin Tarantinos, “Django Unchained”, storia e të cilit për brutalitetin e racizmit dhe hakmarrjes në Amerikën e shekullit XIX, e paketuar në nostalgjinë për spageti westernin tashmë klasik, bëri që shumë shpejt të harroja storiet tona lokale për shqiptarët e serbët, korrupsionin e krimin, papunësinë e varfërinë dhe lajmet e tjera, titujt e të cilave tashmë tepër shpesh na përsëriten, prej ditës në ditë.

* * *

Por, nuk ka aq shumë filma të mirë sa ka ditë kur ata na nevojiten.

Andaj, shpesh më duhet t’i kthehem leximit të librave, përkundër faktit që tërë ditën e kaloj para ekranit të kompjuterit. Qartë, edhe librat duhet të jenë sikur filmat – të aftë që të ma pastrojnë kokën nga budallallëqet e përditshme ballkanase. Madje edhe nëse bëhet fjalë për budallallëqe po aq të neveritshme të vendeve, botëve dhe kohëve tjera.

Me rëndësi mos të jenë tonat.

Nganjëherë janë romanet për kohët e shkuara që moti – romane historike për luftërat e përhershme mes francezëve e anglezëve, apo ngatërresave politike në Romën e kohës së Ciceros dhe Cezarit. Ose mund të jenë rrëfime nga kohët moderne, sikur ato nga romanet e Robert Harrisit, në të cilat antiheronjtë e vetmuar kot zbulojnë konspiracionet e mëdha politike e ekonomike, sepse në fund sistemi – sikur që besojmë që ndodh edhe në realitet – i gëlltit.

Por, ndodh që në pauzë mes Tarantinos e Harrisit, të shikoj ndonjë film dokumentar (adhuruesve të filmave të tillë u rekomandoj “Civil War” të autorit Ken Burns, që është një realizim monumental në nëntë seri nga një orë, shikimi i të cilave jep një pamje krejt tjetër, shumë më të thellë, të luftës qytetare amerikane të viteve 1861-1865), apo lexoj ndonjë libër të hulumtuar mirë për ndodhi historike, rreth së cilës mund të ekzistojnë paqartësi apo edhe kundërthënie.

Diçka si këto të fundit më shërbeu para pak ditësh që për pak momente të harroj procesin e “normalizimit” të marrëdhënieve mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq. Bëhet fjalë për librin “Grey Wolf” (“Ujku i përhirtë”), të historianit ushtarak Simon Dunstan dhe gazetarit Gerrard Williams, që tregon një tjetër version të vdekjes së Adolf Hitlerit.

Sipas librit, udhëheqësi i Rajhut të Tretë dhe e dashura e tij, Eva Braun, nuk kanë kryer vetëvrasje në bunkerin berlinas më 30 prill 1945, por, në momentin e fundit, bashkë me qenin e Fyrerit, Blondi, me aeroplan kanë ikur nga Gjermania përmes Danimarkës për Spanjë, prej ku me nëndetëse kanë shkuar në Argjentinë, ku Hitleri ka jetuar i rrethuar me dhjetëra nazistë të tjerë të ikur deri më 13 shkurt të vitit 1962! Ikja spektakolare, sipas librit, është organizuar nga bashkëpunëtori më i ngushtë i Hitlerit, Martin Bormann, i cili edhe vetë thuhet se ka ikur më vonë në Argjentinë, derisa e tërë bota ishte e bindur se ata të dy janë të vdekur.

Kjo teori nuk është e re, sepse me vite ka pasur njerëz e raportime që flisnin se Hitleri ka shpëtuar nga bunkeri i tij dhe ka jetuar edhe 17 vjet të tjerë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Tani, është çështje tjetër se sa mund të besojmë në një pretendim të tillë. Por, libri përmban shumë detaje nga bisedat me njerëz që madje pohojnë se e kanë parë Hitlerin dhe Eva Braunin në Argjentinë, pas Luftës së Dytë Botërore. Nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin që numri i kriminelëve të luftës që janë fshehur në Amerikën Latine, sipas informatave të vërtetuara, është mbi 9.000, dhe se shumica prej tyre kanë gjetur strehim në Argjentinë, Brazil, Kili, Paraguai dhe Uruguai, rrëfimi për Hitlerin që ka jetuar deri në moshën 73-vjeçare në një pronë afër qytetit San Carlos de Bariloche, në Patagoni, në jug të Argjentinës, bëhet më bindës. Posaçërisht nëse pëkujtohemi se strehim atje kanë gjetur edhe kriminelë të mëdhenj sikur Adolf Eichman dhe Josef Mengele, ndërsa një kohë edhe kreu i ustashëve kroatë, Ante Paveliq, si dhe kryeministri serb i Paraluftës së Dytë Botërore, Milan Stojadinoviq.

Pra, nëse atje kanë mundur të arrijnë Paveliqi dhe Stojadinoviqi, pse nuk ka mundur ta bëjë këtë edhe Hitleri, për vdekjen zyrtare të të cilit, në bunkerin e tij në Berlin, nuk ka asnjë dëshmi bindëse, përveç trupit të djegur (për të cilin në libër thuhet se ka qenë sozi i tij) dhe një kafke të cilën rusët e ruajnë me vite, e për të cilën para pak kohe u konstatua se i përket një femre të moshës 40-vjeçare, dhe jo Fyrerit të Rajhut të Tretë!

Megjithatë, nëse edhe përkundër të gjithave vendosim të besojmë se Hitleri vërtet e vrau veten në bunker më 1945, ka diçka tjetër në këtë libër që të bën të mendosh: informatat e detajizuara për kontaktet e ndryshme mes aleatëve dhe nazistëve, të cilët madje kanë negociuar rreth mundësisë që disa krerë nazistë të mos ndiqen në shkëmbim për teknologjinë e avancuar naziste dhe një pjese të pasurisë së vjedhur, veprave të artit, arit dhe gurëve të çmueshëm, vlera e të cilave besohet të ketë qenë disa miliarda euro të sotme.

Libri ka shumë shënime rreth negociatave për marrëveshje të mundshme, si dhe dëshmi rreth asaj pse dhe si shumica e kriminelëve të kërkuar të luftës ka përfunduar në Argjentinë dhe vende tjera të Amerikës Latine.

* * *

 “Ujku i përhirtë” është një libër ngacmues që vlen të lexohet madje edhe nëse njeriu nuk dëshiron të besojë në vërtetësinë e këtij versioni të vdekjes së Hitlerit. Sepse, edhe dyshuesit më të mëdhenj pas leximit të librit do ta kenë shumë të qartë se edhe në armiqësinë më të madhe, pas krimeve më të tmerrshme, bëhen negociata qëllimi i vetëm i të cilave është që ata që janë përgjegjës të mos përgjigjen para drejtësisë dhe që, sipas mundësisë, mos të humbasin gjithçka, madje edhe kur janë të mposhtur.

Pas Luftës së Dytë Botërore, përveç mija kriminelëve të cilët nuk i kapi drejtësia, janë zhdukur edhe miliona dollarë në formën e arit të vjedhur dhe veprave artistike, me të cilat, si duket, është financuar jeta e qetë dhe e sigurt e kriminelëve në Amerikën Jugore.

Sa i përket ikjes nga përgjegjësia për krime lufte, sot, për fat të keq, është shumë ngjashëm, ndërsa ka edhe shembuj të tillë të shumtë edhe në rajonin tonë. Them ngjashëm, e ndoshta edhe më keq, meqë, për dallim nga koha e Hitlerit, ata që janë përgjegjës për krime dhe hajni sot nuk duhet të kërkojnë shpëtim me ikje në vendet e largëta dhe fshehje të pasurisë së vjedhur nëpër gropa sekrete. Shumica tani mund të vazhdojnë të jetojnë nëpër shtëpitë e veta, ndonjë ndoshta i maskuar, pjesa më e madhe me emrat e tyre të vërtetë. E ndonjë prej tyre, madje, mund të fitojë në zgjedhje, të udhëheqë qeveri e shtet, arin e vjedhur ta deponojë në bankë, ndërsa veprat artistike t’i varë në muret e vilave të veta luksoze.

Për dallim nga Django i zi i Tarantinos, rrëfimi për ikjen e Hitlerit nuk më shkarkoi nga përditshmëria e pahijshme ballkanike. Përkundrazi. Edhe më shumë u ngarkova me atë që vërtet po na ndodh: kushdo që e humb betejën, do të fitojë diçka, ndërsa populli gjithsesi do ta paguajë çmimin!

*Kjo kolumne e kryeredaktorit të “Kohës Ditore” është botuar në të përditshmen malazeze “Vijesti”

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: