Minxhozi shkruan se SHBA nuk ka prioritet demokracinë në Shqipëri, por stabilitetin rajonal

23/02/2013 - 17:36

TIRANË, 23 shkurt 2013 - Për Skënder Minxhozin, analist i njohur me të kaluar prej diplomati, zëvendës-ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit Filip Riker “ka ardhur e është investuar para opinionit publik në Tiranë kryesisht për të demaskuar gjoja-nacionalizmin elektoral të Berishës dhe krerëve të tjerë politikë të Tiranës, apo edhe Prishtinës e Tetovës”.

Gazetari i njohur ka shkruar një koment në të përditshmen “Shqip” të 23 shkurtit me titullin mjaft provokues: “Kemi një problem demokracie, zoti Riker!”. Për Minxhozin, “në sytë e amerikanëve, stabiliteti në rrafshin rajonal, vlen më shumë sesa standardet demokratike që aplikojmë në shtëpinë tonë. Këtë vizion nuk e ndryshon aspak fakti që kapaciteti stabilizues i një vendi të brishtë si Shqipëria, lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me standardet demokratike të brendshme që aplikon”.

Me një gjuhë elegante kryeredaktori i së përjavshmes “Java” shënon se “Rikeri u mjaftua t’i zgjasë një dorë ambasadorit Arvizu, i cili është vënë nën sulme të ashpra të qeverisë në ditët e fundit. Morëm vesh formalisht për shembull, se Arvizu është përfaqësuesi zyrtar i SHBA në Shqipëri, e jo Podesta. Si të thuash fjala vjen, se java ka shtatë ditë! Por Riker nuk u shty (të paktën publikisht) përtej përcaktimeve të deklaratës së ambasadës amerikane, sa i përket vendimit të 21 janarit, i cili ka formën e një shuplake të vogël ndaj angazhimit amerikan për të identifikuar përgjegjësit. Ashtu siç u kufizua të mos insistojë me mesazhe të forta, për zgjedhjet e 23 qershorit”.

Minxhozi vëren se vizita e zyrtarit të lartë amerikan “e ka trajtuar problemin shqiptar, si një sfidë stabiliteti ballkanik, e jo si një ngërç njëzetvjeçar demokracie. Një vizion normal për një fuqi globale, por gjithsesi i pamjaftueshëm për sytë dhe veshët e shumë shqiptarëve, që ende vijojnë të presin asin e radhës, nga mënga amerikane”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/02/23/kemi-nje-problem-demokracie-zot...

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: