Modeli ekonomik shqiptar: mbijetesë dhe kënaqësi

08/11/2011 - 00:00

Në fazën e pasigurisë ekonomike që po shqetëson tërë botën nga tre vjet, të habisin qetësia e dukshme e popullit shqiptar dhe optimizmi i papërmbajtshëm i disa liderëve politikë. Në të gjithë vendet e planetit është e kuptueshme që klasa politike – dhe sidomos partitë qeverisëse – duhet të ngjallin optimizëm tek qytetarët, qoftë për të marrë konsensus, qoftë për të mbajtur qetësinë sociale dhe për të shmangur panikun kolektiv. Megjithatë, edhe me zbatimin e pranueshëm të “arsyes së Shtetit”, ndoshta nuk duhet të ekzagjerohet me entuziazmin, sidomos në momentin ekonomik delikat që po përjeton Europa. Sfera perëndimore, në të cilën Shqipëria pikësynon të integrohet, gjendet tashmë zyrtarisht në krizë dhe të gjitha qeveritë – nga ajo amerikane tek ajo britanike apo italiane – nuk i fshehin qytetarëve të tyre situatën e vështirë, për t'i përgatitur të jetojnë me më pak siguri ekonomike-ekzistenciale dhe për t'i mësuar me një ulje të mirëqenies. Shembulli i Greqisë, që nuk e kishte lajmëruar popullin për krizën kërcënuese, shtyn qeveritë e ish “vendeve të pasura” të veprojnë me përgjegjësi, duke përgatitur gradualisht njerëzit për uljen e nivelit të jetesës.

Në Shqipëri, përkundrazi, ka tendencë jo vetëm për të qetësuar qytetarët, por edhe për t'i bindur se sistemi ekonomik dhe standarti i jetesës së shqiptarëve janë të shkëlqyer dhe, madje, se janë model për Europën. Kështu duket se klasa politike jo vetëm po pranon, por po miraton dhe promovon një sistem ekonomik thjesht mbijetese, në të cilin të gjithë bëjnë si bëjnë për të siguruar bukën e gojës dhe rropaten për të arritur në fund të muajit. Në fakt, ka rrezik serioz që sfera euro-amerikane të përfundojë brenda pak vitesh në të njëjtën situatë si e Shqipërisë, por nuk është aspak e sigurtë që modeli ekonomik shqiptar mund të zbatohet në vendet e tjera europiane. Duhet kujtuar se sistemi ekonomik i brishtë shqiptar mbahet në këmbë qoftë nga rrethanat gjeopolitike që kanë ndryshuar Europën e vjetër në 20 vitet e fundit, qoftë nga karakteristikat dhe cilësitë tipike të mentalitetit shqiptar.

Duke përmbledhur shqip, në 20 vitet e fundit Shqipëria ka marrë ndihma dhe promovime të mëdha nga jashtë shtetit, edhe pse populli nuk e ka vënë re. Situata shqiptare ka qenë e njëjtë me atë të Greqisë e Italisë në vitet 1950-1960. Të dy vendet ishin financuar me bollëk nga Plani Marshall amerikan, sepse ekzistonte frika e hyrjes së tyre në bllokun komunist dhe kështu u promovua një rritje ekonomike artificiale, që sot po rrëzohet. Në të njëjtën mënyrë, në 1990 SHBA kishin frikë se Ballkani do të përfundonte nën influencën e Rusisë apo të vendeve islamike, kështu investuan në popullsitë shqiptare qoftë për t'i përdorur në funksion anti-sllav, qoftë për t'i mbajtur larg nga simpati të mundshme islamike. Për të ringjallur ekonominë shqiptare dhe për të lehtësuar problemin e rëndë demografik të Shqipërisë, Washington “bindi” Italinë dhe Greqinë të mirëpriste më shumë se një milion emigrantë shqiptarë. Pastaj, institucionet ndërkombëtare vendosën të mbyllnin një sy mbi aktivitetet e kryera nga shqiptarët për të mbijetuar: gjë e rëndësishme ishte që në Shqipëri të vërshonin me bollëk kursimet dhe fitimet e emigrantëve, për të ringritur vendin. Dhe në vitet e fundit mediat ndërkombëtare kanë filluar të promovojnë Shqipërinë si destinacion turistik, me shpresë se të ardhurat e turizmit do të kompensojnë paralizën e ndërtimeve.

Të gjithë këto “ndihma” nuk përfaqësojnë zgjidhje afatgjata. Me Europën gjithmonë e më shumë të varfëruar dhe të mbipopulluar, emigracioni nuk mund të jetë më valvul për demografinë e bollshme shqiptare. Për më tepër, pikërisht për shkak të varfërimit të ish vendeve të pasura, fitimi nga aktivitetet ilegale është në ulje. Në fund, edhe në rastin e suksesit turistik, të gjithë e dinë se asnjë vend nuk mund të jetojë vetëm me atë: mjafton të mendojmë që në Egjypt – i cili para “pranverës arabe” ishte vendi më i vizituar në botë – turizmi përbënte vetëm 20% të GDP.  Por, edhe pse nuk mund të pritet më asgjë nga jashtë, Shqipëria do të ketë gjithmonë një avantazh. Në fakt, fuqia e modelit ekonomik të Shqipërisë post-komuniste është mentaliteti i popullit të saj, i cili – ndyshe nga europianët e tjerë – tregon “art sajimi” të jashtëzakonshëm dhe “art kënaqje” të habitshëm.

“Art sajimi” unë quaj instinktin tregtar që pak popuj të tjerë e kanë. Pak europianë do të kishin kurajon të shisnin çdo lloj malli në rrugë, siç ndodhte në pazaret e viteve '90 dhe siç shikohet edhe sot në qytetet shqiptare. Pak europianë do të kishin kurajon të hapnin biznese pa u siguruar më parë se do të kenë sukses dhe se do të vazhdojnë në vite. Pak europianë do të investonin paratë e tyre me kaq lehtësi, pa bërë më parë njëmijë llogari pesimiste. Pak europianë arrijnë të hapin, të mbyllin dhe të ndryshojnë bizneset e tyre me aq thjeshtësi sa shqiptarët. Fakti është se shqiptarët preferojnë të provojnë biznese private sesa të kërkojnë një punë me rrogën e sigurtë. Ndërsa europianët protestojnë në sheshe kundër mungesës së punës, shqiptarët heshtin, vendosin tezga në rrugë ose, nëse mundin, marrin një dyqan me qira. Nuk presin rrogën nga Shteti apo nga ndërmarrje industriale, por zgjedhin “të jenë pronarët e vetvetes” dhe të fitojnë vetë një rrogë, sado e vogël të jetë. Ajo që çudit është se fitimi i një biznesi të vogël nuk e kalon rrogën e një nënpunësi banke, por pronari është i kënaqur sepse ndjehet “shef”.

Avantazhi i tjetër i sistemit ekonomik shqiptar është pikërisht “arti i kënaqjes”, në kuptimin se njerëzit kanë pak pretendime dhe ndjehen “të pasur” me shumë pak. Të gjithë e dimë se Shqipëria nuk ka vuajtur këtë krizë ekonomike sepse për të qenë të lumtur mjaftojnë ushqimet, ilaçet, një televizor-plazmë dhe një makinë me cilindratë të madhe (e përdorur). Të gjithë gjërat e tjera nuk janë konsideruar si një prioritet. Nuk ka nevojë për ngritje pensionesh, sepse të moshuarit mbahen nga fëmijët. Nuk ka nevojë për reformim të sistemit shëndetësor, sepse njerëzit janë mësuar të paguajnë mjekët dhe e pranojnë këtë privatizim de facto. Nuk ka nevojë për krijimin e vendeve të punës, sepse njerëzit preferojnë “biznesin-bereqaves”. Nuk ka nevojë për asgjë që, në vendet e tjera europiane, është vlerësuar si e domosdoshme për të patur një jetë dinjitoze dhe të nivelit të mesëm. Dhe fakti tronditës është se, edhe pse kanë udhëtuar në të gjithë botën për emigracion e për turizëm, shqiptarët pranojnë akoma modelin e tyre ekonomik.

Atëherë kanë plotësisht të drejtë politikanët që mbështesin “perfeksionin” e sistemit shqiptar, që duket se është i mirë për këtë popull. Por vjen një dyshim: për të (mbi)jetuar me biznes ka nevojë për blerës por, me ngopjen e tregut dhe me liberalizimin e tepruar të aktiviteteve private, klientela shpërndahet ndërmjet mijëra dyqanesh dhe fitimet pro capite ulen. Pyetje: a ka rrezik që edhe iluzioni i “biznes-bereqaves” do të rrëzohet si fajdet në 1997 dhe biznesi i ndërtimeve në 2010? Duhet kujdes dhe jo optimizëm, sepse ekonomia shqiptare është shumë e brishtë dhe, në rastin e një falimentimi tjetër, këtë radhë nuk do të ketë më as mbështetje politike amerikane, as ndihma financiare europiane. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: