Nga Shefqet Kërcelli

Moikomi, ky mik i madh i detarëve….

E kam njohur Moikomin, në sajë të studimeve të tij të shumta për arkeologjinë nënujore, por dhe shkrimeve për detarinë e marinarët shqiptarë.

Ishte Moikomi, i pari, që solli në vemendjen e historinëvë detarë, Hyun ilir të detarëve, -Redonin, si pjesë e mitologjisë së lashtë. {Antologji e Detarisë shqiptare, vëllimi i parë, faqe 16}, si dhe dhjetra shkrime e studime për arkeologjinë tonë nënujore.

Në këtë pikpamje, ai është pionier i kësaj fushe. Shkrime e biografi të detarëve shqiptarë, si në shtypin e asaj kohe, ashtu dhe botimin për Heroin e Popullit, Mujo Ulqinaku, të cilin ne e pasuruam më tej, por bazë ishte ky libër.

E takoja në Durrës, sa herë më jepej rasti, dhe atëhere, kur të takoje Moikomin ishte herezi, përndiqeshe, sepse ishte deputet i PS, i qëndroi besnik idealeve te tij, kur të tjerët fshiheshin skutave.

Në vitin 2003, punoja për botimin e nr. 1 të revistës “Detaria”.

E quanim të mangët botimin e kësaj reviste, pa opinionin e mikut të madh të detarëve Moikom Zeqo. Aso kohe, Moikomi ishte Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

I shkova në zyrë, e gjeta midis letrave dhe librave të shumtë. Ai nuk e ndau detyrën e drejtuesit nga puna studimore. Ja prezantova punën që po bënim. Urimet më të mira,-më tha. Pa e zgjatur shumë, u ul dhe më shkroi këto fjalë të cilat i publikuam në faqen 42 të revistës “Detaria”…

E quajta Rilindas të fundit…{në kuptimin e asaj Rilindje që ka njohur populli shqiptar}.

Ndërkohë unë i bëra këtë foto, e cila e tregon në formën e tij më të mirë…

Jo vetëm kaq, por Moikomi inkurajonte cdo aktivitet të detarëve. Ai mori pjesë në krijimin e shoqatës së detarëve “ADRIJON”, në Durrës. Në takimin e organizuar tek pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”, në mars 2001, ai dha plot mendime të vlefshme për ecurinë e kësaj shoqate.

Më pas kur botova “Antologjinë e Detarisë”, Moikomi më inkurajonte e plot dashamirësi më thoshte, -Hë mo djalë, si të ecin punët….

Sa herë vija në Tiranë, e takoja tek Bar kafe Agolli, ku Moikomi pinte kafe me mikun e tij Xhevdet Shehun. Me sa shihja me Xhevdetin ai ndante jo vetëm mendime për shkrimin e radhës, por qante dhe hallet.

Si mik i Dritëroit dhe i vëllait tim Aliut, krijuam një afrimitet, pamvarësisht moshës. Më jepte këshilla të vlefshme e të ciltra, një tipar ky i Moikomit. Na vinte keq për gjendjen e tij shëndetsore, e cila përkeqsohesh cdo ditë. Atë kohë, e lanë dhe pa punë, partia e tij. Ndërsa ai kishte nevojë të ngutshme për të përballuar shpenzimet e ilaceve dhe mjekimeve.

Pamvarësisht gjendjes shëndetsore, Moikomi nuk e ndërpreu punën studimore. Mëndja e tij pjellore nuk ndaloi deri në castet e fundit.

Në këtë mori botimesh, botimet për detin e detarët janë një pasuri e vecantë.

Ndaj Moikomi, do ngelet ne jetë të jetëve në memorien e qytetarëve durrsakë, vecanërisht të detarëve.

Vërtet ishte Libahovit, por i dha kaq shumë Durrësit. Mendoj se Moikomi duhej vlerësuar më shumë në Durrës, sa ishte gjallë, se këtu e ushtroi aktivitetin kryesor.

Lamtumirë miku i madh i detarëve shqiptarë, Moikom Zeqo!

Mirënjohje për jeten dhe veprën që le pas.

I përjetshëm qoftë kujtimi yt!