Mos ia kthe pushkën vetit dhe kombit tënd, Uran Butka!

14/04/2013 - 15:35

 Në dokumentet jugosllave nuk përmendet asnjë udhëheqës shqiptar.

Mbi librin e Uran Butkës, Tragjedia e Tivarit, “Enver Hoxha urdhëroi vrasjen e kosovarëve” , botuar në “Kosova Sot”, 6 prill 2013, f. 31

Nga Prof. Dr. Hakif Bajrami

Të ngrihesh sot e të thuash se “Enver Hoxha urdhëroi vrasjen e kosovarëve” në Tivar, më 1 prill 1945, është një tragjedi për kombin, sepse sido që të ketë qenë “urdhrin” për masakrën e Tivarit e paska dhënë një shqiptar. Po sa të ka paguar Beogradi ore i gjori Uran Butka. Nuk e kam mendjen të polemizoi me Ty sepse psikikisht ndoshta je i orientuar në hakmarrje dhe në atë rrugë vendos vetë e s’ka kush që të ndalë. Po ama kur ka qenë koha që shkonin kokat, ne kemi shkruar për atë tragjedi gjithnjë duke i cituar me nga dhjeta dokumente jugosllave, sepse AKUZËN duhej argumentuar mirë e me themel. Uran, njeriu i parë që ka folur zyrtarisht për atë tragjedi në Tivar, më 31 mars 1945, çuditërisht është Aleksandër Rankoviçi në Kongresin themelues të Partisë Komuniste të Serbisë, e ku ishte edhe Tito, po ishte edhe e tërë elita politike jugosllave. Po, është fakt se Kongresi është mbajtur në ilegalitet dhe shumë herë kemi pyetur pse dhe prej kujt janë fshehur gjërat. Ishte aty, në Kongres edhe përfaqësuesi i Shqipërisë. Pse reagoi Rankoviçi në fjalimin e Dushan Mugoshës që e mbajti në Kongres, ai u ngrit kundër “dy porcioneve”, kundër dygjuhësisë në Kosovë. Meqë aty ishte elita komuniste, Rankoviçi u ngrit dhe i tha: “Ja shovinizmi në vepër. Ne kemi bërë në të kaluarën gabime, madje krime të papara ndaj shqiptarëve. Dhe, më 31 mars 1945, në Tivar për një ushtar tonin i kemi vra 300 shqiptarë. Këtë proporcion nuk e kanë pasur adet ta përdorin as nazistët gjermanë”, mbaron citati. (Gjeje Uran Butka librin ‘Osnivaqki Kongres KP Serbija’, Beograd 1972, në redaksinë e Bogumil Hrabakut. Aty e ke fjalimin integral.

Atë libër dokumentar e kam lexuar si dhuratë e profesorit B. Hrabak, më 1972. Lidhur me këtë, meqë PRINDI IM ka qenë rekrut në Tivar (në Eshalonin e tretë prej Shkodrës e tutje) atëbotë në Eshalonin e tretë, me dhjeta herë e kisha dëgjuar kah fliste për atë tragjedi dhe jo vetëm për atë. Prindin që ishte edhe hoxhë e që i ishte caktuar detyra që t`i varrosë kufomat e mbetura, pastaj e kam intervistuar së bashku me 36 pjesëtarë të tjerë që e kanë parë masakrën me sy. Janë gjëra të tmerrshme përshkrimet e tyre. Ata thonë: pjesën më të madhe të kufomave malazezët i kanë hedh në det, një pjesë e kanë hedh në greminën Tuxhemil, e një pjesë fare të vogël e kanë lënë për varrim.

Urdhrin e dha Millovan Gjillasi

Në vitin 1973, duke punuar në temën e magjistraturës në Arkivin ushtarak në Beograd, me sugjerim të Anton Miletiçit (kolonel kroat), hasa në dokumente rrëqethëse që e përshkruanin tragjedinë e eshaloneve shqiptare, si për ato që shkuan në Srem ashtu edhe për ato që shkuan për Adriatik, përmes Kukësit-Shkodrës-Ulqinit -Tivarit-Trogirit e deri në çlirimin e Triestes dhe Mariborit. Ato dokumente i kam ruajtur me kujdes deri më 1985, kur filloi sulmi çetniko-komunist ndaj shqiptarëve në shkallën më të hapur, sepse sulmi i mbuluar ishte gjithherë. Atëherë vendosa që disa dokumente t`i botoj, por prapë me një kujdes, sepse nuk e vlente të dalësh aq hapur. Lidhur me tërë këtë histori tragjike dokumentet jugosllave askund nuk e përmendin asnjë udhëheqës shqiptar që do të ketë qenë në dijeni apo lëre më të këtë urdhëruar vrasjen e shqiptarëve në Tivar. Jo nuk ka të dhëna as që është vrarë dikush nga shqiptarët gjatë rrugës Kukës-Shkodër si amputohet në disa raste. Shtrohet tash pyetja: Si mundet të urdhërojë Enver Hoxha në ushtrinë që e drejtonte Tito dhe Peka Dapçeviçi.

Uran Butka, urdhrin, pasi që po e dëshiron, e ka dhënë personalisht Millovan Gjillasi dhe aksionin e kanë kryer vartësit e Peka Dapçeviçit, komanda e tërë e Brigadës X(10) malazeze. Po dëshirove, emrat i ke në librin e botuar prej tyre. Dhe, ata të gjithë janë paditë nga prokurori ushtarak dhe janë dënuar më 1955, pas kërkesës me shkrim nga ana e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Pse u bë kjo kërkesë me vonesë dhjetëvjeçare, sepse nuk ka guxuar kush i gjallë ta ngritë çështjen prej Millovan Gjillasit. Por, kur ai ra në burg, çështjet rreth Tivarit filluan të kthjellohen dhe tragjedia filloi ta marrë një epilog sadopak të drejtë, sepse të gjithë rekrutët u konsideruan si luftëtarë të Luftës Antifashiste.

Këtë fakt e vërteton kërkesa e Këshillit Popullor të Krahinës Autonome të Kosovës më 12 nëntor 1955, drejtuar Prokurorisë ushtarake në Beograd. Prokuroria me shkresën nr. 556/56 më 6 shkurt 1956 jep këtë përgjigje se përcjellës së rekrutëve shqiptarë nga Shkodra e deri në Tivar ishin pjesëtarët e Brigadës X malazeze me qëllim që ata t’i dorëzohen pastaj Divizionit IX sulmues të Dalmacisë. Millovan Gjillasi, deri sa zgjatnin operacionet e luftës, i thotë Peka Dapçeviçit tekstualisht: “Eja t`ua bëjmë shqiptarëve siç ua ka bërë Savë Patarja më 1913, e ta shndërrojmë Dukagjinin në hambar të drithit për Malin e Zi, sepse shqiptarët ma kanë vrarë babin si kolonist atje”. Mendo tash se prej kujt e mori lejen Vasa Qubrilloviçi që më 3 nëntor ta dorëzojë Elaboratin për likuidimin e shqiptarëve. Ku u entuziazmua Brigada X malazeze për masakër. Po dihet në AMNISTINË e çetnikëve, me urdhër të Kryesisë së AVNOJ-it, më 21 nëntor 1944. Po me urdhër të kujt u vendos diktatura ushtarake më 8 shkurt 1945 dhe kush ishte Sava Serleviçi, e kompania e tyre që prenë e grinë shqiptarë në Kosovë dhe askujt nuk i dhanë llogari. Po, është fat që erdhën dy divizione nga Shqipëria në Kosovë, se përndryshe tragjedia do të ishte dhjetëfish më e lartë. Prokurori ushtarak i Gjykatës Ushtarake të RFJ-së shkruan tekstualisht: “Pjesëtarët e Brigadës X malazeze i përcollën shqiptarët e mobilizuar për në Tivarin e Ri, me qëllim që t’ua dorëzojnë përfaqësuesve të Divizionit të Divizionit IX sulmues Dalmatin. Në Tivar u shkaktuan incidente. Me këtë rast vdiqën ose u lënduan një numër i madh i shqiptarëve. Pasi e kreva detyrën, i paraqita raportin kryetarit të Gjykatës Supreme Ushtarake, dhe më kujtohet se disa shokë nga shtabi i brigadës X malazeze janë përgjigjur për vepër PENALE, e disa në mënyrë disiplinore”. Shtohet tash pyetja, po ta kishin jugosllavët ndonjë urdhër nga Shqipëria, atë do ta distribuonin në njëmijë adresa dhe nuk do të linin mjet pa përdorë për qëllime të veta propagandistike dhe politike antishqiptare.

Fajet e Enver Hoxhës duhet të objektivizohen

E vërteta, i kam hulumtuar të gjitha dosjet rreth Tivarit të lejuara deri më 15 maj 1945 për hulumtim. Askund nuk përmendet si fajtor në masakrën e Tivarit ndonjë shqiptar, qoftë edhe pa funksion ushtarak dhe politik. Prandaj, çfarë dobie kemi kur ia “kthejmë pushkën veti” për shkaqe politike dhe personale. Shkenca ose e thotë të vërtetën ose e hedh akuzën si të tillë të trilluar. Sa i takon “urdhrit” të Enver Hoxhës: “T`arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojeni Divizionit 52 të Serbisë”. (AQSH, F. 206, v. 1945), nuk është komentuar drejt. Fjala është për vullnetarë që ishin nën komandën e kolonel Qazim Komonit në ruajtjen e kufirit karshi Serbisë. Ata kur Divizioni VI i Shqipërisë i drejtoi për luftime jashtë Kosovës, i rezistuan urdhrit dhe nuk shkuan drejt Vishegradit, por kërkuan që të mbesin në Kosovë për t`i ruajtur trojet e veta. Vërtet Divizioni 52 ishte i Kosovës dhe jo i Serbisë, por sjelljet ndaj shqiptarëve në viset e tjera kanë qenë kriminale, po nuk duhet të lidhen me gjenocidin në Tivar, për të cilin përgjegjës është Millovan Gjillas. Prandaj, procedura hetimore rreth tragjedisë u bë e mundur vetëm kur Gjillasi shkoi në burg. Me gjithë këtë, gabimet dhe fajet e Enver Hoxhës duhet të objektivizohen, sepse nuk e ka njohur mirë çështjen e shqiptarëve në robërinë jugosllave. Po kush i dorëzoi tek jugosllavët Qazim Komonin, Bedri Pejanin, Fuad Dibrën, Ibrahim Gjakovën, Halim Spahin e shumë patriot të tjerë. I dorëzoi Koçi Xoxi, po fajtor është përkrah pozita edhe Enver Hoxha pa dyshim. Një fakt tjetër, kur janë temat e tilla delikate në pyetje, është citimi i dokumenteve nga arkivat. Ne e dimë se kush ka hulumtuar dhe sa dokumente janë botuar. Por, disa shkronjës të librave për t`u bërë “shkencëtarë” në vend që t`i citojnë dokumentet e botuara po i citojnë arkivat jugosllave dhe fondet e tyre, pa i parë kurrë. Kjo dukuri është tragjike.

Tash e shtroj një pyetje principiale: Pasi që jeni shumë të kujdesshëm të akuzoni, pse nuk u bë akuza në të kaluarën nga shteti shqiptar, 1945-1992. Edhe më keq, kush e ka penguar shtetin shqiptar nga viti 1992 e deri më sot (2013) ta bëjë një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Nuk u jepet haku viktimave, duke fajësuar individë që nuk kanë lidhje me tragjedinë. E përshëndes çdo shkrim që mbështetet në fakte, por jo duke kopjuar dhe përvetësuar djersën e të tjerëve, siç po ndodh me shumë libra, dje, sot e nesër, nuk e di?

http://www.kosova-sot.info/opinione/mos-ia-kthe-pushken-vetit-dhe-kombit...

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori