Nga Gentjan Hajdari

Teksa po ecja rrugëve të Tiranës nuk po më vinte keq për banorët e Astirit, por për gjithë ata qytetarë që shihja në rrugë. Po më vinte keq se nuk e dinë që nesër e kanë radhën ata. E kemi radhën ne. Nuk e dinë që arroganca e shtetit do jetë nesër mbi ta, ndoshta në një formë tjetër: herë i veshur me dhunë, herë me kërcënime, herë me korrupsion, herë me nepotizëm, herë me rryshfet, e herë me fytyrë ëngjëlli që premton sot e të zhvat mot.

Ecën i qetë sepse mendon se fundja ti nuk ke ndërtuar gabim, por harron se banorëve të Astirit për 29 vite u kanë premtuar se do i legalizonin, mbasi i ftuan të jetonin e ndërtonin aty. Krimin nuk e kanë bërë ata, por klasa jonë politike.

E teksa politikanët, të gjithë, ndërtuan e blenë vila luksoze në kodra, banorët e shkretë rrihen me policinë e paguar me taksat e tyre. Ecën i qetë sot por harron se ke paguar ti për gjithë këtë spektakël, edhe për vilat edhe për dajakun.

Ecën sot i qetë rrugëve por harron se nesër mund të sëmuresh e do duhet të mbash radhë spitaleve, me 500 € në xhep për operacionin. Ecën sot i qetë rrugëve por harron se nesër do përballesh me faktin që nuk ke ku t’i dërgosh fëmijët të arsimohen sepse mësuesit aty e kanë blerë vendin e punës, apo u dhemb koka nga paga qesharake. Nuk ia kanë ngenë fëmijës tënd e timit.

Ecën i qetë sot por nuk e di se nesër mund t’ju teket të ndërtojnë bash te shtëpia jote e shteti do të gjakosë e hedhë gaz lotsjellës deri sa ta lësh atë me vrap.

Ecën i qetë sot por harron se paguan naftën më shtrenjtë se çdo qytetar tjetër në Evropë. E ndoshta nuk e di se pothuajse gjithë miliardat e saj shkojnë në një xhep që e ka atë monopol.

Ecën i qetë sot por nuk e di se nesër do duhet ta paguash për të kaluar autostradën Durrës-Tiranë pavarësisht se paguan taksa rruge tre here sot. E pra do paguash sërish, sepse ti je i qetë.

Ecën i qetë sot, por harron që në fund të muajit mezi të del rroga. Ecën i qetë sot por nuk e di se nesër do e paguash km e rrugës 20 milion Euro. Ecën i qetë sot sepse harron që do duhet të paguash nesër 5000 Euro për të futur fëmijën në një punë në administratë. Ose 10 mijë për një vend në kamionin e Anglisë.

Ecën i qetë sot se nuk e di që nesër para banesës tënde do ndërtohet një pallat më i lartë e ti nuk do kesh fatin të shohësh më diellin. Ecën i qetë sot por nuk e di se nesër do të bjerë në qafë i forti, dhe ti nuk e di që ky shtet mbron gjithmonë atë. Sepse ai nuk është aspak i qetë si ti.

Ecën i qetë sot, por nuk e di se nesër nuk mund të kërkosh drejtësi se drejtësia është me ata që kanë lekët.

Ecën i qetë sot, por nuk e di që nesër nuk do ketë asnjë park ku të luajë fëmija yt.

Ecën i qetë sot, por harron që fëmijën nuk do e kesh pranë nesër se ka ikur në emigracion.

Ecën i qetë sot teksa taksat e tua përfundojnë rryshfet xhepave të kryetarit të rradhës.

Ecën i qetë sot por nuk e di që nesër do mësosh që stadiumi kombëtar është pronë private dhe jo publike.

Ecën i qetë sot por harron që hapësirat publike po zhduken çdo ditë se po i merr privati dhe kryetari me koncension.

Ecën i qetë sot, por nuk e di që nesër nuk do t’i shohësh më bukuritë kombëtarë si Valbona, Vjosa, Holta etj., se po kthehen në hidrocentrale e uji po humbet në tuba që prodhojnë pasuri për ta e jo për mua e për ty.

Ecën i qetë sot por nuk e di që nesër nuk do kesh çfarë monumenti kulturor t’i tregosh fëmijëve.

Ecën i qetë sot, por nuk e di që nesër do ngelësh pa identitet kombëtar.

Ecën i qetë sot se ke shpresë te “opozita e bashkuar”, por harron që këta e hanë darkën bashkë, aty te rezortet luksoze, e mbasi flenë bashkë, zgjohen bashkë për të na përcarë ne sikur ujqërit delet.

Ecën i qetë sot, se kujton se do të mbrojë “opozita”, por kujto sesi i mbrojti sot banorët e Astirit.

Ecën i qetë sot, por harron se pushteti është në duar të 2-3 njerëzve, dhe ty nuk të përfaqëson askush.

Ecën i qetë sot, se kujton se do gjesh mbështetje te mediat, por harron që mediat janë me pushtetin, se fitimet nga korrupsioni, pushteti së pari i ndan me ta. Ndoshta nuk je dhe aq i qetë sot, por e pranon kokëulur situatën sepse punon në administratë, shpreson të marrësh një leje, nuk do ta prishësh me pushtetet, nuk do t’i hapësh telashe vetes etj., por harron që e nesërmja vjen për të gjithë dhe kryetarit, kushdoqoftë ai, nuk ia ndjen për ty as sot e as mot. Nuk të nxjerr nga situata ajo paga minimale që po merr sot kokëulur dhe për të cilën duhet të servilosesh, të heshtësh apo të shtiresh sikur je i qetë…

Nesër miku im, kur të të vijë radha ty, do kërkosh ndihmë dhe do urosh që të tjerët të mos jenë kaq të qetë.

E në vend ta shohësh shpresën te emigrimi, ku do të duhet t’ia nisësh nga zero, prishe pak atë qetësinë dhe mundohu të ndërtojmë këtu ku ke rrënjët e tua. Nuk duhet shumë, mjaft të mos shtiremi sikur jemi të qetë.

Ndaj mos ji kaq i qetë, se nesër e ke radhën ti! /CitizensChannel