Nga Çim Peka

Çfarë është një takim apo një foto me Presidentin Amerikan? Varet nga konteksti. Për një lider Iranian mund të jetë thjeshtë një mallkim; ndërsa për një shqiptar, një bekim. Fatmirësisht, për shqiptarët autoriteti politik e moral i Shteteve të Bashkuara nuk është cenuar, dhe vazhdon të jetë vendimtar edhe në zhvillimet e brendshme politike. Në pranverën e këtij viti, Ballkani dukej në prag të një kolapsi total, i cili jo vetëm zhbënte të gjithë suksesin e arritur pas shpërbërjes së Jugosllavisë, por retë e konflikteve të brendshme por edhe atyre ndër-etnike silleshin mbi Serbi, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri. Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian ndërmorën disa ture në rajon, të cilat jo vetëm nuk dhanë rezultat, por për fat të keq dështuan me turp. Ishte pika më e ulët në raportet midis Brukselit dhe Ballkanit. Në këto kushte, zëvendësndihmëssekretari i shtetit Brian Hoyt Yee në largim ndërmori një tur në rajonin tonë. Me gjithë shpërqendrimin e administratës se re amerikane për arsyet e tyre të brendshme; megjithëse zoti Yee ishte një zyrtar në largim si përfqësues i administratës së shkuar, vizita e tij, presionet dhe deri shantazhet që përdori në Shkup, Tiranë e gjetkë në kryeqytetet e rajonit, zhduken si me magji hijet e konflikteve.

Është kombinimi i fuqisë, influencës, respektit dhe simpatisë që SHBA-të gëzojnë në rajonin tonë, dhe veçanërisht ndër shqiptarë, që çdo kontakt i çfarëdo lloji midis politikanëve shqiptarë dhe atyre amerikane merr rëndësi të madhe. Askush më mirë se Edi Rama nuk e kupton fuqinë politike dhe elektorale të një takimi apo foto me presidentin amerikan, kushdo qoftë ai. Aq mirë e di, sa është i gatshëm të shkelë ligjet amerikane dhe të dërgojë njerëz në burg veç për një foto. Të njëjtën gjë ishte i gatshëm ta bënte edhe në Samitin e NATO, pak javë më parë. Edi Rama ka pajtuar lobistët më të fuqishëm në Uashington, me lidhje të drejtpërdrejta dhe personale me Presidentin Trump. Redaksia e SYRI.net është në dijeni të kushteve dhe faturës së vërtetë, mënyrat e pagesës, dhe ndërmjetësve që përdoren për këto pagesa. Mjafton të përmendim se flitet për disa milionë dollarë. Pak rëndësi ka kjo; Rama ka, dhe paguan. Ka paguar gjithmonë. I rëndësishëm është fakti se pavarësisht lobistëve të kontraktuar dhe shumave të paguara, Edi Ramës iu refuzua një takim dhe/ose foto me Presidentin Trump në Bruksel, dhe Edi Rama e di fare mirë këtë.

Në këtë kontekst, takimi dhe foto e Lulzim Bashës me Presidentin Trump më shumë se për Bashën ishte kundër Ramës. Të jemi të sinqertë: askush nuk pret që Donald Trump të diskutojë apo të zgjidhë problemet e botës me kryetarin e opozitës në Shqipëri kushdoqoftë ai. As nuk ndodh, e as nuk ka pse të ndodhë! Diplomacia publike bëhet me mesazhe publike. Takimi dhe foto që Presidenti amerikan i dha kryetarit të opozitës në Shqipëri është nje mesash publik, i fortë, i drejtpërdrejtë, madje dhe brutal kundër Edi Ramës duke patur parasysh që u bë në mesn e fushatës elektorale, vetëm 10 ditë para zgjedhjeve.

Në dijeninë time, vetëm një herë Presidenti Trump është takuar me një lider opozite, dhe ky rast është një darkë private midis tij dhe shefes së opozitës ukrainase, ish-të burgosurës politike, miliarderes Julia Timoshenko. Në këtë rast, nuk kishte një foto publike, as një prononcim publik, por vetëm ‘një leje që Timoshenko të tregonte për këtë drekë’. Duket qartë, se foto e Lulzim Bashës me Presidentin Trump nuk është marrë me një smart phone, dhe as nuk është një selfie. Është një foto e marrë nga fotografë të Shtëpisë së Bardhë, para flamurit amerikan!

Sigurisht që mesazhi është i qartë dhe Edi Rama e ka marrë atë. E ka marrë dhe klasa politike në Shqipëri. E kanë marrë edhe partnerë të tjerë të Shqipërisë. Do e marrë edhe elektorati shqiptar (se sa ngelet për t’u marrë vesh më 25 qershor). Por kjo nuk është çështja kryesore sot. Çështja është te mesazhi tjetër, që ishte vetëm për Lulzim Bashën.

Nëse ai, Basha vazhdon të mendojë për një bashkëqeverisje mes tij dhe Edi Ramës pas zgjedhjeve, atëherë ai nuk ka kuptuar asgjë.

Për të keqen e tij!

/SYRI.net