Nga Andi Bushati

Edi Rama sakrifikoi në mënyrë të pakuptimtë 8 nga 12 ministrat e kabinetit pa arritur të japë asnjë mesazh për publikun dhe sidomos për protestën studentore që ai e konsideroi si një shuplakë. Lëvizjet që ai vendosi ti shpallë këtë fund viti ishin kontradiktore, të amullta dhe pa sens.

Megjithëse në formë ato kanë pamjen e një shock-u që është i barazvlefshëm me rrëzimin e qeverisë (po të shtosh dhe ikjen e Xhafajt vetëm 3 nga ministrat e kabinetit të pas zgjedhjeve kanë mbëtur në detyrë), ato rrezikojnë mos përçojnë asnjë kumt drejt publikut.

Askush nuk mund të ketë vërejte për largimin e Lindita Nikollës, kundër të cilës dolën në rrugë me mijra studentë, por askush nuk mund të kuptojë gjithëashtu se si ministrja rrëzohet dhe ligji i arsimit të lartë, i përpunuar dhe vënë në zbatim prej saj, qëndron.

Mos vallë Rama ka ndryshuar mendim 180 gtradë, duke pretenduar tashmë se fajin nuk e ka më sistemi po njerëzit?

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Damian Gjiknurin emri i të cilit u përfshi në skandalin e 40 milonë eurove (për 2 km rrugë) tek Unaza e re. Ç’kuptim ka të bjerë Gjiknuri dhe projekti i vjedhjes të vazhdojë njësoj si më parë?

Askush nuk e di pse po largohet Ditmir Bushati kur marrëveshja ne Athinën e çuar drejt fundit konsiderohet nga Rama si sukses, apo kur ai është në të njëjtën linjë me partnerët e BE kunër idesë së shkëmbimit të kufinjve Kosovë-Serbi?

Askush nuk e kupton pse Arben Ahmetaj u bë kokë turku, kur sipas shefit të vet ekonomia është rritur, punësimet janë shtuar dhe fuqia blerëse është ngritur.

Në theb, këto ndryshime tregojnë përrallën tashmë të konsumuar të peshkut që qelbet nga bishti.

Sipas saj, Edi Rama është personazhi pozitiv i kësaj fabule ku ai gjithmonë gjendet i rrethuar nga njerëz të këqinj.

Në mandatin e parë mëkatarët ishin aleatët e tepsisë që duheshin larguar. Edhe atëhere qeverisja qe e shkëlqyer, por të vetmet njolla ia linin LSI dhe PDIU.

Më pas fajin e kishin drejtotët e hipotekave, të legalizimeve dhe të spitaleve që turbullonin ujin që rridhte i pastër nga maja.

Erdhi protesta e studentëve dhe faji tentoi të lihej tek rektorët e dekanët që shumë shpejt u evidentuan si servilët e kryeministrit.

Edhe me këto ndryshime, njësoj, Rama po tenton të përçohet mesazhi se fajtor është pothuaj gjithë kabineti, ndërkohë që lideri po e çon vendin drejt sukseseve të reja.

Vetëm kështu mund të shpjegohet fabula paradoksale e nje qeverisjeje të mirë, por me 8 ministra që ikin.

Këtë alibi askush nuk mund ta besojë.

Madje, ata studentë që dolën në rrugë dhe ende nuk kanë arritur as të ngrejnë buxhetin e arsimit,  as të ulin tarifën e masterave, as të kenë kartën e studentit dhe as të abrogojnë ligjin që i ka pjellë të gjitha problemet, kur të rikthehen në Tiranë kanë më shumë arsye të protestojnë se sa patën kur e nisën në fillim të dhjetorit.

Sepse të gjitha sa ndodhën që prej rrebelimit të tyre treguan se probkemi që kanë është një njeri i vetëm.

Nëse para për arsimin nuk gjenden sepse ato duhet të shkojnë tek oligarkët edhe pa praninë e Gjiknurit, nëse tarifat nuk ulen edhe dhuratat fiskale për të pasurit vazhdojnë edhe pa Ahmetajn, nëse në universitete gjithçka do të jetë si më arë edhe pa Nikollën, problemi inture është i drejtpërdrejtë me kryeministrin.

Këto ndryshimë tronditëse të qeverisë shërbyen së paku vetëm për një gjë. Për ti bërë të kuptojnë studentët dhe të gjitha shtresat e revoltuara, se mes tyre dhe Ramës nuk ka më asnjë digë, se nëse flasim për shuplakë, ajo nuk ka asnjë vlerë pa rënë mbi fytyrën e tij. Dhe me sa pamë në asamblenë e PS këtë të hënë, ajo ende është një dorë e mbetur në ajër. /Lapsi.al