Në pikun e vlimit të një zemërimi që ka shkaktuar taksa e rrugës Durrës-Kukës në popullin e thjeshtë prej ditësh, atëhere kur Partia Demokratike e Durrësit duhet të hapte dyert për anëtarët e saj, opozita e qytetit bregdetar është në mos e “vdekur”, inekzistente.

Sot është dita kur populli trim i Kukësit ka zgjuar nga gjumi opozitën e cila po e shfrytëzon më së miri këtë mundësi të artë që iu dha si prikë në duar. Sot opozita në qytetet kryesore të vendit i tregon Edi Ramës se popullit i duhet një “bari” për ta udhëhequr në protestat mbarë qytetare të cilat vijnë kaq natyrshëm të shpërthejnë kudo, si rezultat i keqqeversjes së Rilindjes. Populli është ngritur kundër taksave, kundër oligarkëve që kanë marrë në duar fatin e shqiptarëve në bashkëpunim me kryeministrin Rama i cili udhëheq i vetëm vendin. Opozita në qytetet kryesore të vendit sot proteston në një revolucion të heshtur ose mosbindje civile.

Nga jugu në veri ka protesta. Kjo është gjë e mirë, më së paku e vendos për shpatulla pas murit kryeministrin dhe qeverinë dhe i kujton që populli është aty kur duhet dhe verdiktit të tij nuk i shpëton dot asnjë.

Por të kthehemi në Durrës.

Në qytetin numër dy të vendit, i cili ka peshën kryesore të turizmit në rang kombëtar, qytet i cili në mënyrë të pakthyeshme e ka të lidhur fatin e tij pazgjidhshmërisht me Rrugën e Kombit. Se Rruga e Kombit nis në Durrës e mbyllet në Kosovë duke i lidhur të dy anët e kufirit në mënyrë të pazgjidhshme me njëri-tjetrin. Në këtë qytet , 1/3 e biznesit është në funksion të turizmit. Në Durrës është porti më i madh i vendit, këtu kryhet importi dhe eksporti i mallrave të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Këtu zbarkojnë mineralet për eksport, dhe gruri e produktet ushqimore nga të gjitha vendet ku importojmë, që më pas përfundojnë te kompanitë porositëse në Shqipëri e Kosovë nëpërmjet Rrugës së Kombit. Këtë fakt e dinë të gjithë, por e kanë harruar deputetët e Opozitës në Durrës.

Këta deputetë që kryesuan listën e deputetëve dhe në mënyrën më të turpshme i kanë vënë kyçin selisë së PD-së në Durrës. Kryetari i komanduar bën politikën e madhe në Tiranë. Edi Paloka dhe Edmond Spaho, kryetari i grupit të deputetëve në Durrës mund të vijnë për ndonjë drekë peshku po, por te strukturat nuk janë dukur kurrë. Edhe angazhimi i deputetes Fatbardha Kadiu është për t’u vlerësuar, por një dallëndyshe e vetme nuk mund të sjellë pranverën në Durrës.

Durrsakët mund të kenë 100 halle e probleme. Së pari, futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së ka shkaktuar mjaft panik, po kështu edhe frenimi e frika që ka përfshirë kosovarët. Biznesi dhe operatorët turistikë e dinë shumë mirë se po të mos vijnë pushuesit nga Kosova me qindra biznese të vogla u vënë drynin qepenëve të tyre. A kanë probleme me papunësinë me listat e ndihmës ekonomike durrsakët? Nga listat janë hequr mbi 1 mijë familje që kanë mbetur pa asnjë të ardhur. A kanë probleme fermerët? U janë përmbytur tokat disa herë. A kanë probleme durrsakët pa fund? Në ish-Kënetë varfëria, papunësia, e kanalet e hapura që kutërbojnë erën e rëndë të fekaleve të Durrësit u shkurtojnë jetën banorëve nga dita në ditë. Po burokacitë pa fund në zyrat e shtetit, hallexhinjtë e pronave që u janë zaptuar nga të fortët e sorollaten pa fund në zyrat e shtetit, i dëgjon njeri?

Problemet e durrsakëve kanë mbetur pa bari, pa opozitë, për aq kohë sa dyert e PD-së janë të mbyllura, për aq kohë sa pushteti i Edi Ramës ka hyrë në çdo qelizë të pushtetit lokal.

Durrësi hesht dhe ky qytet është për të vënë ulërimën e dhimbjes! Për aq kohë sa opozita mungon, i ka mbetur në dorë bashkisë dhe vetë Partisë Socialsite të luajnë edhe rolin e opozitës nëse iu pëlqen. Delli i rebelimit të durrsakëve të vjetër e të rinj, nuk ka lidhje me popullin trim kuksian, të Havzi Nelës!