Një votë mbi arsyen, jo mbi mitet

06/05/2013 - 14:19

Nga Fatmir Shehu

-Partitë politike dhe përfaqësimi i tyre  elektoral.

Shoqëria njerëzore, është e ndarë kryesisht  sipas mirëqenies ekonomike në dy shtresa kryesore që kurrë s’kanë qenë numerikisht të barabarta- shtresa e të pasurve dhe  shtresa e nivelit të ultë ekonomik (apo siç quhet me një term të vetëm: të varfrit). Kjo e fundit, ka qenë gjithmonë dhe fatkeqësisht vazhdon të jetë në mazhorancë numerike. Po ashtu  futet edhe një shtresë e tretë, që është sidoqoftë,  një shtresë kalimtare ku zhvillohen reaksionet ekonomiko-sociale të kalimit për më lart, apo për  më poshtë. Kësisoj, tre janë shtresat apo grupimet e mëdha sociale të cilat  për të mbrojtur interesat e tyre, bashkohen, organizohen dhe duke krijuar grupimin e tyre politik mbrojnë dhe konsolidojnë pozitat ekonomike nëpërmjet ligjeve që aprovohen në Kuvend (Parlament).

Sipas kësaj logjike, duke qenë se konkretisht pjesa më e madhe e popullsisë (në rastin tonë të votuesve) repartizohet në nivelin më të ulët ekonomik, duhet që ajo parti (apo grup partish) që mbron këtë shtresë të jetë në pushtet të paktën derisa së bashku shtresa e mesme dhe e lartë  të arrijnë të bëjnë shumicën  A ka kuptim që një i varfër, që nuk ka bukë të hajë dhe që vdes për të ngrënë, apo një i pastrehë, apo një pa asnjë pronë – pra pa asnjë kapital, të aderojë në shtresën e atyre që vdesin nga të ngrënët dhe që përbëjnë “pesë-përqindëshin” e famshëm që ka në dorë pasurinë kombëtare?! Sigurisht, që përzierja e shtresave sociale dhe ekonomike pa asnjë kriter, është një nonsens që çon në çoroditje politike dhe në dëmtime të shumanshme të vetë sistemit demokratik. E pyeta njërin që e dija se ishte në ditë të hallit në pikëpamje ekonomike dhe po më thoshte  se ishte me një parti të djathtë: “Ç’të lidh ty me të djathtën”, i thashë pa pasur asnjë kompleks kundër të djathtës sonë, përkundrazi dua që e djathta të shumohet e të jetë përfaqësuese reale, jo virtuale. “E di që  ata i lidh me ty kryesisht vetëm vota që u jep dhe që atyre u intereson shumë”, – i thashë më tej.

Ai nuk dinte të më jepte një shpjegim tjetër vetëm se tha: “Ja, ata e përmbysën komunizmin”. Kjo gjë mendoj se ka të bëjë edhe me faktin, se akoma në kopshtin e demokracisë tonë mbahet një gogol i komunizmit që përdoret për të trembur sorrat. Në fakt, komunizmin e përmbysi konkurrenca midis dy sistemeve, atij demokratik me Amerikën në krye dhe totalitar me ish-BRSS në krye. Komunizmi u përmbys vetëm në atë kohë kur gjithçka e kishte treguar se kishte marrë fund. Nuk ka pse mos të thuhet se në Shqipëri  komunizmin e braktisën me logjikë  edhe vetë komunistët, të cilët nga tribuna e një kongresi të partisë në pushtet (kongresit të dhjetë), ranë në shumicën dërrmuese, dakord që të ndryshohej sistemi. Ky është një fakt historik. Prandaj, është një fatkeqësi që ndarjet politike akoma kanë si bazë ndarjen ideologjike edhe jo atë pragmatiste dhe ekonomike, që është baza e sistemit demokratik të shoqërisë. Demokracia ka si bazë konkurrencën e vlerave, qofshin ato politike, tregtare, intelektuale të ideve, programeve, projekteve, fizibilitetit të aplikimit të projekteve, të arritjeve etj., etj..

Nuk është e drejtë e askujt, qoftë lider politik apo anëtar i thjeshtë i një partie që të manipulojë votuesit nëpërmjet  termave që përbëjnë një psikozë të caktuar, që hë për hë është e dënuar, por që duke qenë të ngulitura në trurin, sidomos të brezit që e njohu - kanë efektet e tyre psikologjike. Të thuash “bllokmenët”, “bllokqenët”, “komunistët”,etj. si këto, nuk bën gjë tjetër veçse presion psikologjik që ligjërisht nuk duhet lejuar. Demokracia jonë edhe ligjërisht nuk e ka të ndaluar ideologjinë komuniste, po ashtu nuk ka pse të mbajë përgjegjësi politike pasardhësi për paraardhësin duke bërë luftë biografish, sepse këto në fakt janë praktika komuniste që nuk duhen përdorur. Një luftë e tillë është e padrejtë dhe të nxjerr deficit në arsenalin e luftërave (oponencës- më saktë) të drejta që duhet të përdorësh për të siguruar votat në një sistem demokratik.

Sigurisht, nuk është thënë pa realitet se: biznesmeni kërkon klient, politikani kërkon votues. Por edhe votuesi duhet që të kërkojë e të mbështesë atë (ata) politikan, që është më afër interesave të tija, të paktën aq sa ta thërresë e ta dëgjojë dhe jo të distancuar në interesa sa që të këlthasë se i ka vajtur thika në kockë dhe për shkak se është shumë larg tij, as zërin mos t’ia dëgjojë. Kështu pra, politikani le të kërkojë votues, ai atë qëllim ka, por  edhe votuesit duhet të gjejnë dhe të vënë në drejtim për zgjidhjen e halleve të tyre politikanë që janë më afër halleve që kanë.

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=22384&kat=92

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: