Nga Gertjana Daçi

Mjaftuan vetëm 30 sekonda për të shuar sikur të mos kishte ekzistuar, atë që nuk mjafton as jeta për ta ndërtuar. E në fakt dëshmi e ekzistencës janë gërmadhat kudo nëpër qytet…

30 sekonda për të shuar jetë njerëzish, e për të lënë pas dhimbjen e madhe e të përjetshme që nuk ka lot ta çlirojë shpirtin, 30 sekonda që çdokujt prej nesh, me siguri i janë dukur përjetësi.

Teksa ka kaluar një javë në kalendar, nuk ka kaluar aspak frika e paniku që ato 30 sekonda, po aq të forta e të pamëshirshme, mund të rikthehen për të mos kursyer të tjera jetë.

Një javë që na bëri të reflektojmë e të kuptojmë sesa të pafuqishëm jemi për të mbrojtur veten dhe ata që duam nga diçka që nuk e sheh as nuk e prek dot.

Kur po zbardhte e marta e 3 dhjetorit, para syve më dilte mëngjesii i zymtë i të njëjtës ditë në javën e kaluar. Mendoja për bisedat e të hënës në darkë të atyre që humbën jetën.

Dikush, thoja me veten time, i ka premtuar dikujt që do të shihet e do të flasë me të të nesërmen, dhe diçka më shtërngonte fort në kraharor sepse e nesërmja nuk zbardhi.

Pastaj mendoja për ata që mund të kishin bërë sherr natën e tyre të fundit dhe nuk patën mundësi të sqaroheshin, të falnin njëri-tjetrin e të mund të përqafoheshin.

Ose ose, i thoja vetes, po ata që të nesërmen duhet të shkonin në Universtitet, mbase kishin provim dhe nuk e hëngrën vaktin e fundit për të qëndruar më shumë mbi libra…

Përfytyroja ata që dolën nxitimthi për të shpëtuar kokën me shpresën se do riktheheshin sërish në folezën e tyre në të cilën kanë investuar ndër vite, pa e ditur që do bëhej shkrumb e hi.

Kujtoja ata që kishin udhëtuar nga larg për të punuar teksa iu premtonin me datë konkrete familjarëve ditën kur do të bashkoheshin, por fatkeqësisht ky bashkim erdhi në mënyrën më të kobshme…

Më dilnin para syve dy foshnjet që nuk dihet nëse prindërit ua dëgjuan belbëzimet e para, apo fëmijët që ishin përgatitur prej javësh për festat e nëntorit nëpër shkolla, festa në të cilat nuk gëzuan dot.

Ndoshta ishte ende herët për të vendosur pemën a për të shkruar letrën e babagjyshit, por mbase njëri prej tyre e kishte lënë për t'i bërë të martën e 26 nëntorit.

Një datë kjo që sot na drithëron trupin, por dikush mezi e priste sepse do të fikte qirinjtë e tortës së 18-vjetorit, por nuk pati frymë të shuante flakën…

Mendoja klithmat e shoqes time në dhè të huaj, që humbi gjysmën e saj nën rrënoja. Ajo kapërceu shtete pa menduar për asgjë veç dashurisë, por tani këtë dashuri duhet ta mbaje në zemrën e përvëluar. Ai i qeshi vdekjes për shumë orë ashtu siç i qeshi jetës për 32 vite.

Jo se nuk e dinim më parë, por atë ditë të zezë për vendin, u vulos që gjyshet janë krijesat më të mira në botë, nuk kursejnë asgjë kur vjen puna për nipin apo mbesën, madje as jetën e tyre.

Që nëna është heroinë dhe s'ka vend më të sigurtë për t'u fshehur nga e keqja sesa në kraharorin e saj, edhe kur e keqja është një gërmadhë e madhe betoni..

Që zemra e njeriut është shumë e fortë përballë çdo tragjedie, ndryshon formën si rreh por rreh sërish me shpresë.

Sot, një javë që lutemi që të mos përjetojmë më ato që ndodhën e duam t’i harrojmë.

Sot, një javë që një qytet i tërë, herë i braktisur e herë që gumëzhin kërkon të ringrihet, t’i rikthehet normalitetit, të rijetojë edhe pse me disa bashkëqytetarë më pak por me më shumë yje në qiellin e hapur e të pafund.

Ata ndriçojnë lart si për të na thënë që po na mbrojnë ne..

E ndërsa ne… ne në tokë po jetojmë mundësinë e dytë sepse dielli lind e perëndon sërish.