Nga Andi Bushati

Edi Rama po pranon miting më miting dhe me gojën plot të gjithë akuzat e kritikëve se shteti që premtoi katër vite më parë, degjeneroi në një bandë kleptokratësh. Ai nuk ka tanimë, as kompleksin më të vogël që të pohojë se administratën e ndau sipas interesave të tepsisë, se qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës nga zyrat e shtetit, se atyre iu kanë vjelë paratë, kur kanë dashur të marrin një dokument hipoteke, se atyre u kanë shkundur portofolin kur iu është dashur patenta.

Kush ka qenë kundërshtar i kryeministrit aktual, kush nuk e ka pranuar propagandën delirante të njeriut që pretendoi se po bënte shtet, kush ka përqeshur me sarkazëm premtimin se falë sistemit që do ngrinte, Rama do të bënte të ndershëm edhe hajdutët e LSI-së, sot duhej të miklohej nga krenaria e hidhur e atij që prej kohësh ka thënë të vërtetën.

Kryeministri po bën fushatë për të treguar se ka dështuar. Por, pasi ka pranuar këtë të vërtetë, që i del në sondazhet e papublikuara, në perceptimin popullor, tek të gjithë njerëzit që takon jashtë rrethit të tij të servilëve, ai ka gjetur edhe një justifikim: “Fajin ma ka LSI-a dhe çamët”. Vjedhja ka ndodhur në zyrat që ata kanë marrë si pasojë e të qenit në koalicion dhe si domosdoshmëri për të ushqyer partitë e vogla klienteliste.

Ky argument nuk është asgjë më shumë sesa përpjekja tekanjoze e një çilimiu që bën të gjitha marifetet për të fshehur fajin. Pa dyshim që LSI-a dhe PDIU kanë bërë kërdinë në zyrat e shtetit. Por ata kanë çuar në selitë e tyre vetëm majën e ajsbergut. Vjedhja masive, ajo me koncesionet, ajo me shëndetësinë falas, ajo me lejet e ndërtimit, ajo me kultivimin e parcelave me kanabis është drejtuar nga njeriu që raporti konfidencial i OSBE-së e konsideronte si miliarderin më të madh të Shqipërisë.

Ky nuk është më një sekret dhe prandaj Rama është detyruar të pranojë dështimin duke u përpjekur të fshihet pas justifuikimeve banale se fajin e kanë partitë e vogla.

Por, meqë jemi në fushatë dhe meqë kryeministri po përpiqet ta fusë debatin në një rrugë qesharake, le t’a analizojmë edhe pretendimin e tij. Le të mbyllim për një çast sytë, të imagjinojmë sikur nuk kemi jetuar në këtë vend, sikur nuk i kemi prekur gjëmat e rilindasve.

Le të besojmë, për një moment të vetëm pretendimin se peshku i Ramës qenkësh qelbur nga bishti.

Por, pasi të bëjmë këtë, përsëri mbërijmë tek pyetja: A ka përgjegjësi Rama (edhe nëse nuk paska vjedhur vetë) që i la aleatët e tij të vjedhin, vetëm për të mbajtur karrigen e pushtetit?

Edhe kjo mënyrë “dashamirëse” gjykimi përsëri e nxjerr zbuluar kandidatin për klloun të Rilindjes.

Në vitet 2009- 2013 ai kërkoi mbështetje duke thënë se Ilir Meta është njeriu që “vjedh vota për të vjedhur Shqipërinë dhe që vjedh Shqipërinë për të vjedhur vota”. Me këtë fabul e shtyu katër vite. Por, pasi nënshkroi marrëveshjen e 1 prillit, ai nxorri formulën se në sistemin që do të ngrinte Meta do të shndërrohej nga hajdut në burrë të ndershëm. Me këtë fabul iku dhe një mandat tjetër. Dhe tani ai po kërkon të blejë katër vite të tjera kohë duke thënë se Ilir Meta doli ai mashtruesi i fillimit që vazhdoi të vjedhë me patentat dhe hipotekën, që sistemi i ngritur nga Rilindja nuk e ndali dot?

A është e mundur të besohet një gënjeshtër e kthyer për herë të tretë mbrapsht si një xhaketë e stërpërdorur? A është e mundur të merret seriozisht një njeri që një herë thotë se Meta është një xhepist i pakontrollueshëm, pastaj zotohet: më besoni mua se do ta kontrrolloj dhe më pas këmbëngul, më jepni edhe një shanc se ai mbeti hajduti që unë se kontrollova dot?

Edhe sikur vetëm për kaq sot Edi Rama duhet t’i kthehej me kohë të plotë poçtarisë dhe për të nuk duhej të flitej më publikisht.

Por historia e tij nuk mbaron këtu. Ne do ta shohim se ajo do të vazhdojë. Kryerilindasi tani po kërkon timonin për të qeverisur i vetëm. Për të eleminuar partitë e tjera që i afrohen qeverisjes vetëm për “tepsinë”. Dhe për ta bërë më të besueshme këtë, ai po proklamon se kjo nuk i duhet për një pushtet më të madh, por për të realizuar qëllime më të mëdha.

Pra shkurt ai po premton se nëse shqiptarët nuk i japin mandat të qeverisë i vetëm, ky njeri që nuk interesohet për karrigen në vetvete, nuk ka pse të jetë më në timon, pasi do të qe e kotë që ai të ishte sërish kryeministri i tepsisë që të ndante drejtori për të mbajtur kolltukun e tij.

Këtë fabul me sa duket do ta dëgjojmë deri në 25 qershor. Por më pas qetësohuni, ai nuk do të ikë. Ai do të vazhdojë të jetë sërish ndarësi i tavës dhe do të bëjë koalicion me mëkatarët e deri djeshëm. Në këtë kuptim, këto zgjedhje nuk kanë asnjë surprizë. Ato sërish na ofrojnë Ramën si të njëjtën gjellë të servirur në tepsi të ndryshme. E vetmja e panjohur e deritanishme është gënjeshtra e re që do të duhet të shpikë për të justifikuar pazarin e ri. Kjo po që mbetet për tu zbuluar: fabula e re që do të krijojë për ta shtyrë edhe katër vite të tjera.

(Lapsi.al)