"Puna që bëra, gjërat që mësova ato muaj më ndryshuan mua më tepër se sa unë ndryshova jetën e këtyre komuniteteve. Njoha shpresat dhe aspiratat e njerëzve të zakonshëm, të të përjashtuarve, të të varfërve, objektivat që të gjithë kemi për të kapërcyer dallimet. Dhe mësova ç’do të thotë të punosh fort, të kapërcesh zhgënjimet, të mendosh për sëmundjet e tyre. Kështu piqesh e bëhesh burrë".

I sapozgjedhuri Barak Obama u përlot teksa falenderonte stafin e tij për përkushtimin dhe u kthye pas në vitet dhe përvojën që diktoi ndryshimin persona dhe e bëri t’i dedikohet politikës. Pikërisht, atëherë kur punonte vullnetarisht në periferitë e Çikagos, në ndihmë të komuniteteve në nevojë. Lotët që rrodhën faqeve të burrit që fitoi besimin e amerikanëve për një mandat të dytë në drejtimin e kombit lider për të gjithë botën në mos na prekën të gjithëve na bënë të mendojmë. A kemi udhëheqës që vendosën t’i hyjnë politikës për të sjellë ndryshimin e shumëpritur? A kemi pushtetarë që janë aty, shtrënguar fort pas karriges, jo për të shijuar përfitimet e pushtetit, po për të lehtësuar plagët e kategorive në nevojë?

Në mbi 20 vjet pluralizëm, ky 100-vjetor na ka gjetur me një mori protestash në të gjithë vendin dhe ngjarjesh tragjike të mbetura pezull nga gjyqësori shqiptar.

Protesta për mungesën e energjisë elektrike për shkak të ndëshkimeve kolektive; protesta, grevë urie dhe vetëdjegje për mungesën e dëmshpërblimit për vitet e burgut; protesta invalidësh; protesta për Vendimin e Këshillit të Ministrave për nxjerrjen nga shtëpitë të mijëra familjarëve që jetojnë në shtëpi pronarësh dhe që së shpejti presin të përballen në Strasburg me vendimin e Qeverisë dhe gjyqësorit shqiptar; protesta të familjeve të pastreha etj. dhe po t’i shtosh këtyre qindra mijëra zëra të pazë njerëzish në nevojë dhe të pamundur për t’u organizuar situata duket e trishtë për një vend të vogël si ky i yni.

Dhe sërish pyetje të tjera ngrejnë krye. A kanë bërë apo të paktën a kanë tentuar ndonjëherë të bëjnë punë vullnetare udhëheqësit e politikës shqiptare, të futen e të qëndrojnë mes hallexhinjve, atyre që luftojnë çdo ditë për jetën? A e kanë prekur realitetin, jetën e njerëzve të thjeshtë që përballen me nevojën për edukim, për ushqim e për mbrojtje sociale, që çdo ditë luftojnë për të siguruar para për ushqimin e përditshëm; ilaçet për sëmundje, për veshjet e fëmijëve; për librat e shkollës; çantën, për një vizitë te okulisti apo dhe syze për të korigjuar shikimin e dëmtuar?

Zgjedhjet amerikane dhe fituesi i tyre dhanë rishtas një leksion për botën. Pas atij mbi fushatat elektorale, përballjet e kandidatëve, organizimit të zgjedhjeve dhe të pranuarit me modesti të fitores dhe me bindje të humbjes, Shtetet e Bashkuara përmes liderit të tyre dhanë edhe leksionin e rradhës mbi njerëzoren, që duhet të karakterizojë udhëheqësin e një vendi.

Lotët që rrodhën faqeve të Obamës na ftojnë jo vetëm të mendojmë, diskutojmë, po dhe të shpresojmë se liderët tanë në miniaturë do të mund të reflektojnë dhe të ndjekin shembullin e amerikanit Obama, i cili fitoi falë votës së shtresave në nevojë. Të ndjekin shembullin e tij, pa iu dukur vonë. Për pak orë në muaj të futen në gjirin e komuniteteve në nevojë, të dalin jashtë ish-bllokut, jashtë lagjeve të zhvilluara urbane të Tiranës e Durrësit, pak më në periferi dhe në fshat, atje ku lufta me jetën e ka emrin bukë dhe arsim.