Opinion Kur lypsari i imponohet bamirësit Arben Manaj

15/04/2013 - 15:24

Nga Arben Manaj

Një shprehje angleze thotë: “beggars can’t be choosers”, e cila në një përkthim në vartësi nga cinizmi mund të jetë: “Lypsari nuk mund të përzgjedhë çfarë i jepet”! Këtë marrëdhënie të përçudnuar dhe të përmbysur mes një nevojtari dhe bamirësi më solli ndër mend teksa lexoja skriptin e nje interviste televizive të z.Dule, duke vënë kushte për koalicionin me Partinë Socialiste.

Absurdi dhe megalomania e udhëheqësit politik të pakicës greke në Shqipëri, pasi dukshëm të drejtat e tyre mbron, janë  shokuese deri në provokim. Pasi u shkëput befas nga grupimi i partive opozitare do muaj më parë, besoj i pandikuar, në përpjekjen për të krijuar një Pol të Tretë, duke u befasuar nga zhvillimet e fundit, duket se kërkon sërish të hedhë spirancën në ujërat e tokës opozitare, pasi kupton që siç ka mbetur hëpërhë mund ta hajë ujku, nëse konkurron i vetëm.

Në përpjekjen për të shmangur harakirin elektoral, dënglaxhiu grek në retoriken justifikuese përdor vizionin evropian që duhet të kenë partitë që do duhet të plotësojnë kushtet për t’i pasur votat e minoritetit grek në koshin e tyre!

Madje hidhet në sulm duke bërë diversion dhe anatemuar parti me orientim më të spikatur atdhetar (shqiptar është gjithmonë  fjala) si AKZ apo Partine e Çamëve, që kanë një problematikë me shumë çështje që lidhen me Athinën. Këto parti për z.Dule duhet të jenë koka e turkut nëse do duhet që të pushtohet dhe mposhtet trojani Berisha me goditjen e fundit vendimtare të supozuar të grekëve të mbetur të Shqipërisë.

Në një manovër tipike dhe djallëzore, jo dhe aq agreke, nga pozita evropianisti siç dëgjojmë shpesh nga euroteknokratët e Brukselit, njëson politikisht këto dy formacione politike me neonazistët grekë të “Agimit të Artë”, për të justifikuar krijimin e hendekut të këtyre partive me dy polet më të mëdha të politikës shqiptare, hendek që do të duhet të mbushet nga nacionalisti grek në Shqipëri.

Me një gjuhë të denjë diplomatike helenike, ai kryqëzon edhe politiken e ndjekur nga Partia Socialiste si shkaktare për prishjen e marrëveshjes së qeverise Berisha dhe asaj greke, që në këto vitet e krizës janë bërë si ato italiane përpara do dekadash, për çështjen e kufirit detar, ndërsa Çamëria është inekzistente për Dulen dhe partine e tij, që ironikisht do duhet të mbrojë të drejtat e çdo njeriu.

Idemadhi grek i Tiranës duket se ka ngelur pa shumë ide dhe opsione kur kane mbetur pak me shume se dy muaj nga rotacioni i pritshëm, i cili mesa duket ka qenë i pamundur për leximin e z. Dule, derisa bëri jo në kohen e duhur gre-exit nga stani opozitar.

Pesha specifike e partisë së grekëve në Shqipëri është në pikiatë për një kaleidoskop arsyesh. Zeniti i tyre i postkomunizmit shpjegohet me terrenin që kjo parti kishte krijuar për shkak të zënies së kokës me derë të shqiptarëve, të cilët për mbijetesë ekonomike, e shprehur në punësim dhe qëndrim pa dokumente nëpër qytetet, fshatrat e ishujt e Greqisë, shisnin nga halli votën për të siguruar një vizë greke apo për privilegje të tjera të asociuara me shtetësinë dhe homogjenitetin. Sot kjo praktikë greke dhe nevojë shqiptare nuk është aq urgjente dhe aq jetike sa më parë, edhe pse ende mbijetuese.

Largimi, dhe jo kthimi, i minoritarëve nga Shqipëria për t’u stabilizuar në Greqi dhe fraksionizimi i subjekteve dhe entiteteve politike greke në Shqipëri herë për t’i pasur vezët në dy kacidhe e herë për shkak të nevojës për protagonizëm në qarqet zyrtare dhe atyre me ndikim në politikën greke që shoqërohet me suporte të shumëllojshme nga Athina, kanë bërë që roli i tyre elektoral në Shqipëri të humbasë forcën ndikuese në foltoret legjislative dhe kabinetet shqiptare.

Atë çka këto formacione dhe individë të caktuar me një rëndësi të caktuar në rrethana të caktuara politike, por me instruksion të dukshëm politik nga Athina, nuk e realizojnë dot, ua mundëson kompleksi dhe inferioriteti deri në poshtërim i një numri politikanësh shqiptarë ndaj Athinës zyrtare, që diku ka trajta lidhjesh të dyshimta e diku tjetër prezantohet si nevojë dhe përshtatshmëri politike me realitetet dhe statusin e privilegjuar grek kundrejt vendeve te Ballkanit për shkak të karriges politike greke në Bruksel.

Fakt mbetet se partitë dhe grupacionet apo individë lokalë me qëndrime të hapëta pro-greke deri në anti-shqiptare pas viteve 90-të kanë gjetur strehë nëpër koalicione dhe administrata të qeverisë shqiptare dhe pushtetit lokal, edhe pse shpesh pa qenë nevoja dhe domosdoshmëria politike, sesa për të pasur një syshkelje nga Athina.

Jo rrallë ka qenë miopia tipike shqiptare apo dhe mungesa dhe rekordimi panpartiak i dy forcave kryesore politike shqiptare, që nuk gjendet në rrethana të ngjashme në vende të tjera fqinje me faktorët politikë shqiptarë, si ne Serbi p.sh, që ka mundësuar që të futen në parlament apo të bëhen krerë pushtetesh vendorë me rekorde të kritikueshme eksponentë të spikatur të minoritetit grek, një pjese madje me qëndrime të hapura anti- shqiptare.

Kjo dhe arsye të tjera kanë mbajtur në tregun politik parti si ajo e z.Dule apo ndonjë tjetër, që nëse do të konkurrojne jashtë kohabitacioneve politike me partitë shqiptare të të dy krahëve, ndoshta me sistemet zgjedhore në fuqi nuk do të merrnin këtë relevancë fiktive dhe do të ofronin një pamje më realiste se çfarë mbështetje politike gëzojnë në Shqipëri, ndoshta edhe  një lloj censusi më të përafërt dhe jo atë spekulativ sa të qeverisë, aq edhe të atij të pritshëm të OMONIA-s.

Nisur nga lëvizjet e fundit në skakierën politike dhe qëndrimet publike të Vangjel Dules, përjashtuese ndaj AKZ-së së Spahiut apo Partisë së Çamëve të Idrizit, dhe nacionalizmit të Partisë Socialiste për çështjen e kufirit, duket se streha e vetme vorfnore ku Dule do të duhet të përshëndesë bamirësin mbetet PD dhe aleatet e saj, aq më tepër që ata kanë dhënë prova se nuk e shqetësojnë politikisht z.Dule dhe Athinën, përkundrazi, siç ndodhi për marrëveshjen e detit.

Nëse partia e z.Dule si avokate ekskluzive e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri realisht mendon se i vlen lëkura më shtrenjtë në pazarin politik të Shqipërisë, e ka këtë shans t’ua mbyllë gojën skeptikëve, përfshi edhe mua, në zgjedhjet e ardhshme, duke dalë më vete në zgjedhje dhe jo të fshihet pas sistemit zgjedhor aktual, i cili është ndoshta jo aq ideal për çdo parti të vogël shqiptare, dhe jo vetëm për partine e grekëve, të cilët kanë shijuar dekada të tëra dhe jo muaj mjalti me mega-dhëndurët e skenës politike në Tiranë.

Në të kundërtën zot në shtëpinë politike të tjetrit s’ka pse bëhet më.

http://www.gazetatema.net/web/2013/04/15/kur-lypsari-i-imponohet-bamiresit/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori