Përse është e vështirë të jetohet në komunitet?

14/04/2013 - 15:39

Nga Kiço Blushi

Të dëshirosh të përfshihesh e të bëhesh pjesë e një bote globale, si është BE, nuk mjafton; detyrimisht do të duhet të pranosh dhe respektosh rregullat e ligjet e saj: ekonomike, juridike, kulturore, mjedisore, pasi t’i kesh bërë lanét mbeturinat e mendësisë kanunore... Vetëkuptohet, besoj: Më së pari të kesh përmbushur standardet demokratike. Në këtë përsiatje ndoshta nuk ia vlen të shtjellohen si dhe sa janë plotësuar këto kushte taksative që na përsëriten sa herë vijnë misionarë të BE-së, por arsyet e trashëgimisë historike (si p.sh. lehtësia jonë për t’u konvertuar e shkonvertuar fetarisht, kombëtarisht dhe politikisht), si dhe shkaqet objektive e specifike të ecurisë së shoqërisë dhe të politikës së ditës, të cilat na kanë lënë jashtë dyerve të Evropës, në pamundësi e vështirësi për t’u bërë pjesë e qenësishme e Komunitetit Evropian.

Partitë dhe kryetarët përkatës ia hedhin fajin njëri-tjetrit për vonesën, duke nxjerrë si sebep, në mënyrë qesharake, trashanike e shpesh edhe panagjerike ato tri ligjet e munguara, për të cilat zonja Jozefinë ka vënë një tabelë elektronike poshtë mureve të zyrës së saj, ku frapullin herë pas here fjala: Turp! Turp! Se, medemek, po të ishin miratuar ato tri ligje nga opozita, neve nuk do të na kishte mbuluar turpi, por do të ishim gdhirë të nesërmen te pragu i derës së Evropës! Do të kishim përfituar, sipas saj, edhe disa qindra milionë euro qyl! Kaq i lehtë qenka ky dreq integrimi, që në shqip do të thotë përfshirje? Sigurisht që jo! Politika nuk gënjen veten, por neve. Se integrimi nuk varet vetëm nga dëshirat e ne qytetarëve, por edhe nga vullneti i atyre që janë lart, në katin e sipërm të shoqërisë. Jo nga performanca e tyre, nga demagogjia, nga kravatat e kostumet e tyre firmato, nga buzëqeshjet që u japin ndërkombëtarëve, por nga sjellja, nga veprimet dhe mosveprimet e tyre. Pyetja është e thjeshtë: A i hedhin edhe ata plehrat nga dritarja e qeverisë? Sigurisht, jo letrat higjienike e bishtat e cigareve, por vendimet dhe qëndrimet.

Nuk besoj që krerët të mos e kuptojnë se ne nuk mund të bashkëjetojmë (integrohemi) me Komunitetin Evropian, pa bashkëjetuar më së pari në harmoni me njëri-tjetrin, me bashkëkombësit, me kohën, me vendin dhe shtetin amë. Pikërisht këtë mision ata nuk e kryejnë. Jo tri ligjet, po edhe sikur Kushtetutën amerikane të miratojë Kuvendi brenda një nate, si bëri me ndryshimet kushtetuese, ne jemi larg Evropës po aq sa jemi! Konfliktualiteti dhe mosndëshkueshmëria, pabarazia para ligjit, krimi dhe korrupsioni, vënia e pronës private kundër asaj publike, rrënimi i mjedisit etj., burojnë nga politika: “Bëni si them unë e mos bëni si bëj unë”! Këto janë “plehrat” që hidhen përditë nga dritaret e ekraneve, mbi sytë, veshët dhe mendjen e qytetarëve. Prandaj pamundësia dhe paaftësia jonë për të bashkëjetuar në komunitet, më së pari së brendshmi, në mëmëdhe, e bën të pamundur edhe atë së jashtmi, në BE.

Partitë shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Maqedoni, luajnë rol parësor e të qëllimshëm (me apo pa dashje, kjo pak rëndësi ka!) për ta bërë sa më të pamundur, të zorshëm e të largët integrimin e brendshëm të shoqërisë, besimin e qytetarit te shteti i vet, te e ardhmja e përbashkët... Sikur të mos ishte boll përçarja e diktaturës me luftën e klasave apo me dasitë e vjetra fetare e etnike, u desh të provonim edhe këtë hyrjabyrja të demokracisë. “Këtu nuk ka shtet!”, shkruanin në një parullë para ca ditësh demonstruesit e Prishtinës. Edhe të përmbyturit në Shkodër këtë kanë filluar ta shqiptojnë me zë të lartë... Kushdo që ka një hall e kërkon zgjidhje nga arbitri dhe nga kujdestari i shoqërisë që quhet shtet, do të përsëritë para kamerave të njëjtën ankesë: Nuk ka ardhur shteti të na ndihmojë se po na shembet shtëpia; nuk kemi urë; nuk kemi shkollë; nuk ka rrugë; nuk kemi drita; po na mbyten gratë dhe fëmijët në lumë... Ku është shteti? Nuk ka shtet!... Përgjigjja e nënkuptuar e zyrtarëve lokalë e qendrorë që e justifikon “larjen e duarve” është: Nuk jemi në diktaturë, tani dilini zot vetes! Po a mund t’i zgjidhë një individ i vetmuar dhe i braktisur këto halle mbi halle?

“Evropianët nuk janë më të mirë se ne meqë nuk i hedhin plehrat nga dritarja... Por ata kanë frikë ngaqë e dinë se andej të dënon policia...”. Kështu më shkruante një internetaut për shkrimin e kaluar. Sigurisht që shteti dhe përfaqësuesit e saj në demokraci kanë një qasje tjetër me ligjin dhe qytetarët nga ajo e diktaturës. Nëse në diktaturë lidhja qytetar-shtet kryhej nëpërmjet frikës, dhunës, diferencimit klasor, spiunllëkut të njëri-tjetrit, pasi shteti dhe Njëshi ishin pronar i vetëm dhe absolut, në demokraci kjo lidhje duhet të kryhet nëpërmjet besimit të ndërsjellë mes dy partnerësh. Por provoni të bëni një denoncim në polici për një gjiton që hedh mbeturinat nga ballkoni! Provoni të ankoheni për një ndërtim pa lejë, kur një i fortë “privatizon” edhe burimin dhe e lë katundin pa ujë, le më për një krim!... Qytetari ka frikë të denoncojë, se... se ashtu si ka ndodhur me vrasjet e disa komisarëve, që kanë rënë në kurth, policët mund të bashkëpunojnë me ndotësin e mjedisit, me të fortin e ndërtimit pa lejë, me pronarin e diskos e të burimit të fshatit, me kriminelin që “ka ikur në drejtim të paditur”... Dhe ai që pat denoncuar për ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare, e gjen veten të ndëshkuar!

Shumica e proceseve gjyqësore të kriminelëve kanë dështuar ngaqë nuk guxojnë të dalin dëshmitarët. Në procesin “Dajti” po thyhet një rekord botëror: seancat gjyqësore po shtyhen në pambarim se, edhe avokatët paskan frikë ta mbrojnë të pandehurin. Në gjyqin e “21 janarit”, gardistët, me praninë e tyre terrorizonin gjyqtarët, se kishin kolegun dhe komandantin në bankën e të akuzuarit, të cilët, si rezultat, dolën të pafajshëm, edhe pse ekspertizën e kishte bërë FBI-ja...

E pra, në këtë klimë, në këtë “fushë me mina”, a mund të flitet për integrim dhe për mirëbesim të ndërsjellë qytetar-shtet, rrjedhimisht edhe qytetar-qytetar, le më pastaj për shqiptar-evropian?

***

Krerët partiakë kujtojnë se, duke na mbajtur të hasmosur, të ndarë e të përçarë prej gati një çerek shekulli pluralizëm në partizanë dhe ballistë, në neobllokmenë e antibllokmenë, në evropianë dhe antievropianë, në “blu” e në “rozë”, në “me ne” e “kundër nesh”, në të krishterë e muslimanë, në veriorë e jugorë, ato, partitë dhe krerët e tyre, do ta kenë më të kollajtë të manipulojnë trutë e zgjedhësve “pa kulturë të mjaftueshme demokratike”, që të fitojnë vota, ndikim dhe pushtet të pakufizuar. Po të ndjekësh ligjërimin e krerëve të partive nëpër fushatat zgjedhore në të gjitha viset ku banojnë shqiptarët, e kupton se gjuha e urrejtjes së ndërsjellë të shqiptarit kundër shqiptarit është ku e ku më e egër, më përjashtuese, më helmuese dhe, rrjedhimisht edhe më e ndyrë se ajo e nazistëve grekë apo radikalëve serbë... Sepse gjuha e këtyre të fundit nuk ka ndikim në mjedisin shqiptar, përkundrazi, ngjall patriotizëm, kurse gjuha e urrejtjes e krerëve partiakë helmon dhe shfytyron tërë shoqërinë, duke i shtyrë njerëzit e pambrojtur te aksioma e vjetër, që ngjan si mallkim: “Ky vend nuk bëhet, vëlla!”

Le më pastaj po të futesh nëpër blogjet e internetit, ku zanati i fletërrufetistit anonim e partiak bën kërdinë me sharje e shpifje, duke e ndotur mjedisin shoqëror më zi se furrat e gëlqeres e të çimentos të Krujës, apo edhe se bonfilli i plehrave të Vaqarrit. Shoqëria shqiptare nuk ka pasur kurrë një ndotje kaq masive verbale si sot. Ende nuk e kemi kuptuar se kjo ndotje, që stimulohet dhe yshtet qëllimisht nga lart, nga krerët e politikës, e infekton dhe e moleps përditë njeriun, qytetar, katundar, apo fshatar në qoftë, më keq se një pandemi, si gripi i derrit a i pulave, pasi i heq imunitetin moralit, drejtësisë, nderit, fjalës publike dhe përgjegjësisë ligjore e morale të të zgjedhurve. Hakerat e internetit, ca të paguar e ca të verbuar pas bajraktarëve, (dihet: sa më injorant të jesh, aq më me qejf e pranon skllavërinë dhe nënshtrimin ndaj një idhulli...) pra, ngaqë janë të vobektë, pranojnë me dëshirë të mercenarizohen, të kryejnë bombardimin paraprak e të përditshëm të opinionit publik me shpifje e sharje, që pushtuesit e pushtetit ta gjejnë mjedisin “të qethur”... Kështu, po fole në kafene me zë të lartë, duhet të kthesh kokën pas; po fole në publik, do të quhesh armik i njërës palë, në mos po edhe i kombit; po demonstrove kundër qeverisë, mund të arrestohesh po edhe të ekzekutohesh; po je i përndjekur dhe po hyre në grevë urie, madje edhe po i vure zjarrin vetes, do të quhesh se ke bërë lojën e armikut të partisë dhe të udhëheqësit të saj....

Është ky mjeti i flamosur që e realizon me sukses të plotë sundimin. Duke na bërë të pafuqishëm, të nënshtruar, gojëkyçur, të urtë, të bindur, të përulur, po edhe të manipulueshëm, njëlloj si në diktaturë.

http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=131278

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori