Përzgjedhja e kryetarit të ri të PD, proces tërësisht i deformuar

24/07/2013 - 15:24

Nga Sokol Olldashi*

Në përfundim të atij që duhet të ishte procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të PDSH, në respekt të të gjithë atyre që si anëtarë, simpatizantë, votues të PD-së apo njerëz të lirë që e kanë ndjekur këtë proces, ndihem i detyruar të qartësoj në mënyrë përfundimtare qëndrimin tim.Përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së, u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar.Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve.Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD.Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je –, u përjashtua – siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë – apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë.Intimidimi u kurorëzua me fletën e numërizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm.Kjo ishte një energji e tepërt e harxhuar brenda nesh që do duhej në fakt ta kishim shpenzuar më 23 qershor dhe jo më 22 korrik.

Ishte një gabim.

Megjithatë, gjatë gjithë fushatës sime brenda strukturave të demokratëve, kam insistuar se ne duhet të identifikojmë gabimet dhe mbi to të ndërtojmë eksperienca pozitive.Shpresoj vërtet që do të kemi inteligjencën ta bëjmë këtë.Kam insistuar që produkti i parë i 23 korrikut, duhet të jetë shëndoshja e Partisë Demokratike. Dje nuk e bëmë, por duhet të fillojmë ta bëjmë që sot.Unë i ftoj të gjithë demokratët që nuk janë ndjerë mirë me këtë proces, të kuptojnë se Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, e ndërtuar me kontributin vullnetar të secilit prej nesh dhe, në një shtëpi të madhe, qëllon që edhe prishen rregullat apo humori. Por, pavarësisht momenteve të tilla, ne mbetemi anëtarë të së njëjtës familje, edhe pas ndonjë nervozizmi apo pezmi.Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë.

Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike, në misionin e tyre opozitar për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një kartë morale opozitare, një veprim politik opozitar dhe një platformë të qëndrueshme mbi të cilën të mblidhet shumica e shoqërisë së këtij vendi.* Deklaratë e dhënë në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit; titulli është i “Dyrrah”-ut.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: